Prokurori i Lezhës, Ylli Pjetërnikaj u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një raport sipas së cilit atij i ishte kaluar barrë prove për të shpjeguar burimin e një investimi prej 8.5 milionë lekësh në një shtëpi në një fshat të Tropojës.
Komisioni vuri në dukje se pasuria pretendohej e ngritur me të ardhura nga ferma, por sipas KPK-së, ligjshmëria e këtyre të ardhurave nuk ishte provuar.
Pjetërnikaj e kundërshtoi këtë gjetje duke vënë në dukje se ferma menaxhohej nga vëllezërit e tij. Ai po ashtu dha shpjegime mbi disa çështje, për të cilat kishte denoncime që pretendonin se ai nuk i kishte vënë avokatëve mbrojtës në dispozicion dosjet e të akuzuarve. Prokurori po ashtu i mohoi akuzat dhe dha shpjegime të gjata procedurale.
Prokurori Ylli Pjetërnikaj i Prokuorisë së Rrethit Lezhë po hetohet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli. Pjetërnikaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe ka punuar si prokuror në Kukës, Lezhë dhe në Tiranë. Më parë, ai ishte angazhuar në mësimdhënie në Fakultetin e Drejtësisë dhe në disa institucione arsimore private.
Problemet e pasurisë
Relatorja Firdes Shuli e ndau në dy pjesë relatimin për pasurinë e prokurorit Pjetërnikaj; atë të krijuar para fillimit të detyrës dhe pas fillimit të saj. Duke vënë në dukje disa pasaktësi në deklarim e sipërfaqeve të tokës, të cilat edhe Pjetërnikaj i pranoi, Shuli la të kuptohej se problemi kryesor qëndronte në mungesën e provave që dokumentonin ligjshmërinë e 20 milionë lekëve të ardhura nga ferma.
Pjetërnikaj i tha trupës se nuk ishte marrë me menaxhimin e fermës dhe punët e saj, ndërsa kishte deklaruar 25 për qind të pronësisë në këtë sipërmarrje, përfshi pjesën e tij në shtëpi, stalla dhe në të ardhurat e grumbulluara cash.
Hetimet e KPK kishin gjetur se prokurori i kishte deklaruar këto të ardhura cash para fillimit të detyrës, por më pas nuk kishte deklaruar ndryshim të tyre. Po ashtu, KPK vuri në dukje paqartësi të sipërfaqeve në disa deklarime.
Pjetërnikaj shpjegoi se deklarimet fillestare ishin bazuar në matjet e bëra me litar dhe hapa nga komisionet e ndarjes së pronave dhe se ai kishte kërkuar matje të saktë nga vëllezërit para fillimit të detyrës. Megjithatë, ai tha se saktësisht prona ishte matur vetëm pas regjistrimit në kadastër, kur ishte bërë edhe deklarimi i plotë.
Shuli theksoi se prokurorit i ishte kaluar barrë prove për të dokumentuar burimin e ligjshëm të të ardhurave për investimin në shtëpinë në Tropojë në shumën 8.5 milionë lekë dhe pjesën e tij në këtë investim prej 2 milion lekësh. Pjetërnikaj kishte deklaruar shumë si pjesë e të ardhurave nga ferma, por Shuli arsyetoi se nuk kishte prova për ligjshmërinë e këtyre të ardhurave edhe pse listoi ndër pasuritë e familjes numrin e krerëve të gjedhëve, deleve dhe bletëve.
Pjetërnikaj në seancë solli disa raporte dhe bëri parashtrime mbi legjislacionin në fuqi. Ai po ashtu tha se vëllezërit kishin mbajtur fatura dhe kishin llogaritur shpenzimet dhe të ardhurat e familjes së madhe fermerë. Ai pranoi se ata nuk kishin fatura tatimore, por vuri në dukje se kjo kishte të bënte me legjislacionin në fuqi.
Ai vuri në dukje një ekspertizë që llogariste të ardhurat e familjes dhe po ashtu pretendoi se ato ishin të ligjshme.
Të njëjtat shpjegime dha pak e shumë prokurori mbi barrën e provës për personin tjetër të lidhur, vëllanë e tij. Nga sa doli në relatim, ky i fundit kishte blerë një shtëpi në Yzberisht dhe Pjetërnikaj jetonte aty pa qira.
Blerja e shtëpisë ishte deklaruar me para nga femra, por siç doli në relatim më herët ishte marrë një kredi, e cila më pas ishte shlyer brenda një kohe të shkurtër.
Pjetërnikaj po ashtu dha shpjegime mbi mosdeklarimin e një kredie konsumatore në vlerën 120 mijë lekë që kishte shërbyer për të blerë një aparat celular. Prokurori tha se nuk e kishte menduar atë si kredi, por si shpenzim.
Denoncimet nga avokatët
Për prokurorin Pjetërnikaj u vu në dukje se nuk kishte probleme sa i përket figurës. Po ashtu Komisioni nuk deklaroi gjetje sa i përket profesionalizmit.
Megjithatë, KPK vuri në dukje se nga shqyrtimi i dokumentacionit për 23 denoncime, i ishin kërkuar shpjegime prokurorit sa i përket një pjese prej tyre që kishin të bënin kryesisht me moskryerje veprimesh hetimore dhe në disa raste moskthim përgjigje për kërkesat e palëve.
Në një diskutime pyetje përgjigje me kryesuesen Etleda Çiftja u vu në dukje se Pjetërnikaj akuzohej nga dy avokatë se ai nuk u kishte vënë në dispozicion dosjet e të pandehurve që kishte pasur në hetim.
Pjetërnikaj u mbrojt specifikisht për çdo rast. Ai argumentoi në një rast se nuk kishte qenë në dijeni të kërkesave dhe se e kishte vënë dosjen ne dispozicion në gjykatë dhe se në procesverbalin e gjyqit është shënuar ky rast dhe avokati nuk ka treguar pakënaqësi. Pjetërnikaj këmbënguli se ky rast kishte të bënte me një gabim në adresimin e kërkesës.
Në një rast të dytë prokurori këmbënguli se hetimet e çështjes kishin qenë sekret për sa kohë i pandehuri ishte i shpallur në kërkim dhe në arrati. I pyetur nga kryesuesja nëse kjo kishte cënuar të drejtat e personit pasi këtij të fundit i ishte shënuar emri në dosje, Pjetërnikaj këmbënguli se ai nuk konsiderohej i njoftuar sa kohë ishte në arrati.
Komisioni ndaloi po ashtu gjatë mbi procedimin penal ndaj një kallëzimi të rremë për kërcënim e përndjekje përmes Facebook. Dy persona ishin arrestuar dhe ishin mbajtur në qeli, por më pas ishin dëmshpërblyer dhe nën hetim ishte marrë kallëzuesja.
Pjetërnikaj shpjegoi se për sqarimin e çështjes ishte dashur një përgjigje zyrtare nga Facebook, që kishte ardhur vetëm pas disa muajsh me kërkesë të gjykatës.
Çiftja kërkoi të dinte arsyet pse Pjetërnikaj kishte trajtuar dy çështje sipas saj të ngjashme në mënyrë të ndryshme, duke iu referuar faktit se në rastin e kallëzimit të rremë dy persona ishin burgosur, ndërsa në një rast kërcënimi të një përmbarueseje ishte vendosur mosfillim i çështjes.
Pjetërnikaj këmbënguli në faktin se kallëzimi që kishte rezultuar i rremë mbështetej nga disa dëshmi dhe se rastet ishin të ndryshme.
Në fund të seancës, prokurori këkoi të konfirmohej në detyrë, duke thënë se shpresonte se kishte arritur besimin e kërkuar. Seanca për njoftimin e vendimit u la më 27 prill në orën 9.50.
/Reporter.al/