Nga Boldnews.al
Është ende herët të kuptohet asryeja e vërtetë e kandidimit të Lajla Përnaskës si kandidate e bashkisë Tiranën, nën siglën e PDIU-së. Për shumë të djathtë, lëvizja e saj ishte një surprizë, gati në kufijtë e të pabesueshmes. Ish-deputetja u rikthye në skenën politike në fund të vitit 2022, teksa në emisione televizive deklaroi se do të kandidojë në garën e 14 Majit për kryebashkiake të Tiranës. Edhe pse vjen nga radhët e demokratëve, ajo ka zgjedhur të mos qëndrojë krah Belind Këlliçit, por të garojë vetë përballë tij dhe Erion Veliajt.
“Rruga e vetme për të dhënë një kontribut real është kandidimi për kreun e Bashkisë së Tiranës. Sigla është çështje teknike, për mua nuk ka rëndësi sigla. Për mua ka rëndësi impenjimi, përgjegjësia dhe në respektim të rregullave dhe sistemit që kemi në fuqi, ne të japim kontribut”, u shpreh Përnaska në një dalje televizive.
Vetëm 24 orë kaluan nga konfirmimi i kandidaturës prej saj dhe në media qarkulluan foto të Lajla Përnaskës duke u takuar me kryebashkiakun Veliaj, të cilin ajo do ta ketë kundërshtar më 14 Maj. Teksa Veliaj mbikëqyrte punimet e UKT, për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në rrugën “Mihal Grameno”, Lajla Përnaska e cila ishte e dërguara e PD-së për organizimin e strukturave partiake në Njësinë Administrative Nr.2 në kryeqytet, fotografohet duke u përqafuar me atë që do të jetë në 14 maj rivali për të mundur.
“Por pavarësisht se vjen nga një forcë politike kundërshtare ajo nuk ka nguruar që të vlerësojë me nota pozitive punën që po bëhet në Tiranë, duke theksuar se ajo i shërben çdo qytetari të kryeqytetit qoftë ky demokrat apo socialistë”, ishte teksti që shoqëronte fotot e Përnaskës përkrah Veliajt, në njoftimin e Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë nga selia blu hodhën dyshime për garën e ish-deputetes së tyre, në një kohë që PD ka kandidat zyrtar Belind Këlliçin e dalë nga procesi i “Primareve”. Përnaska në krahun tjetër hodhi akuza për kryetarokraci, duke e cilësuar kandidaturë të imponuar Këlliçin dhe gjithashtu e ka quajtur të mbyllur misionin e saj për të mbështetur PD-në.
“Ne hyjmë në një proces zgjedhor dhe flasim për zgjedhjet. Duket në normalitet çdo gjë. Unë si votuese respektoj zgjedhjet, por nuk kam përzgjedhje. Sepse ne kemi pranuar të gjithë të mbështesim kandidaturat që na ka dhënë kryetari i partisë. Kryetarokracia ka prodhuar gjithmonë kandidatura të imponuara. Historia na vë përpara disa fakteve që duhet të dimë t’i lexojmë. Kam më të freskët kandidimin e Lulzim Bashës. Mënyra e qeverisjes nga Basha ishte zhgënjyese sepse premtimet nuk i mbajtëm. Unë jam e gatshme të marr përsipër sfidën e garës si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Kjo është mundësia e vetme që të ofron sistemi sot, për t’u bërë direkt pjesë e garës. Unë misionin për të mbështetur PD e quaj të mbyllur sepse është investim deri në sakrificë dhe rezultatet kanë qenë të trishta. Të mbështesim një kandidate femër. I ka ardhur koha Tiranës për të mbështetur një kandidate femër”, ka thënë kandidatja për Tiranën.
Kapërcimi kaq i lehtë nga PD tek PDIU për të zënë radhën në listën e kandidatëve për kryebashkiak në kryeqytet më së paku tingëllon jo logjik. Vërtetë PDIU është “Parti Kombëtare”, por elektorati i saj, gati stoik për shumë vite vjen kryesisht nga radhët e komunitetit çam. Përnaska nuk ka pasur kontribut në këtë subjekt, por në “merkaton politike” sa herë ka zgjedhje individë të ndryshëm janë gati të kapërcejnë degë më degë, jo për të fituar, por për ti dhënë një dorë më shumë fituesit që me para blen “emra kandidatësh”.
Avantazhet
1-Është e vetmja femër që kandidon për bashkinë e kryeqytetit dhe mund të marrë disa vota, nga femrat që nisen jo nga ajo që përfaqëson, por si “barazi gjinore”.
2-Gëzon mbështetjen e Veliajt pasi edhe nëse nuk ka qenë “ide e tij” shtysa që Përnaska të kandidojë, i interson emri i saj në fletën e votimit pasi njihet si individ që politikisht ka qenë djathtas.
3-Të paktën në letra ka logon e PDIU-së, një subjekt politik që njihet se gëzon mbështetjen e komunitetit çam dhe në zgjedhjet e përgjithshme janë faktor jo i pa rëndësishëm.
4-Ka mundësitë finaciare që të bëjë një fushatë jo edhe aq modeste duke kërkuar që partia që e kandidon të ofrojë vlera monetare të nevojshme për broshura, zyra elektorale, ambiente për takime etj, dhe nëse nuk i ofron partia “zyrtare” ka kryezyrtarë lokalë që e hedhin paranë për “kundërshtarin në lëetra”, por aleatin në vepra.
5-Ka qenë pjesë e rëndësishme e politikës, një deputete e zëshme që nuk shquhej për agresivitet dhe mbi të gjitha synonte që në fjalime apo nisma ti vinin në ndihmë shtresave të ndryshme sociale.
Disavantazhet
1-Që në momentin e parë kur emri i saj doli si kandidate për bashkinë e kryeqytetit shumë analistë politik, por edhe qytetarë, dyshuan se ishte nxitur nga Veliaj si një formë për të përçarë edhe më shumë votën e djathtë. Kjo është një pjesë që nuk e favorizon për të qenë faktor i rëndësishëm.
2-Edhe pse ka pas logon e PDIU-së Përnaska njihet si pjesë e strukturave të PD-së për disa kohë dhe më pas edhe të PR-së, por gjithnjë brenda së djathtës, kalimi tek PDIU nuk mund të konsiderohet si lëvizje logjike dhe elektorati këtë pjesë di ta peshojë.
3-Është shkëputur prej disa vitesh nga politika aktive duke humbur kontaktet me qytetarët, por edhe formën e të bërit politikë për shkak të zhvillimeve të vrullshme në vend.
4-Nuk ka staf të zgjeruar dhe mbështetës aktiv, pasi edhe PDIU është përqëndruar që më shumë se të investohet tek kandidatja për kryetar, synon vota për anëtarët e këshillave bashkiakë.
5-Disa dalje të saj me Erion Veliajn nuk i japin pikë të forta që mund të përkthehen në vota sidomos nga kampi i djathtë.
LEXO EDHE:
https://boldnews.al/2023/04/22/belind-kellici-mes-sakrifices-dhe-ambicies/
https://boldnews.al/2023/04/21/erion-veliaj-dhe-14-maji-si-beteja-e-tij-finale/
https://boldnews.al/2023/04/20/roland-bejko-desanti-i-amerikaneve-ne-tirane/
https://boldnews.al/2023/04/20/arlind-qori-idealisti-i-majte-kandidati-antisistem/