Nga Boldnews.al
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u tregua i dorëzuar përballë procesit të Dekriminalizimit, sidomos për bashkëpunimin me autoritetet e huaja mbi verifikimin e figurës së zyrtarëve dhe kandidatëve për poste të rëndësishme drejtuese.
Ai deklaroi se institucionet ndërkombëtare nuk e njohin procesin e Dekriminalizimit dhe nuk kthejnë përgjigje mbi kërkesat e prokurorisë shqiptare. “Vetëm dy shtete kthejnë përgjigje”, deklaroi Çela të Enjten, pasi raportoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për Gjendjen e Kriminalitetit për vitin 2022. Ai i referohej Italisë dhe Greqisë.
“Kemi vështirësi tek përgjigjet që marrim jashtë vendit, pjesa me e madhe e vendeve nuk na përgjigjen sepse nuk e njohin si proces. Vetëm dy vende na përgjigjen. Verifikimet që ne kryejmë janë të paplota ndaj ka dhe zvarritje. Pjesë më e madhe e shteteve nuk ofrojnë ndihmë juridike sa i përket çështjeve të dekriminalizimit…. Ne duam të zgjidhim një çështje shqiptare si çështje ndërkombëtare”, tha Çela.
Por, situata nuk ka qenë gjithnjë kështu siç e prezanton kryeprokurori i vendit dhe është e paqartë se përse verifikimi jashtë vendit në kuadër të Dekriminalizimit është “bllokuar”.
Ligji “Për verifikimin e integritetit të zyrtarëve…”, i njohur ndryshe edhe si “Ligji i Dekriminalizimit” ka hyrë në fuqi në vitin 2015.
Ligji ngarkon Prokurorinë e Përgjithshme që të kryejë hetime të thelluara mbi zyrtarët e administratës, duke përdorur edhe kanalet e komunikimit me autoritetet ndërkombëtare.
Dekriminalizimi është një proces hetimi administrativ dhe komunikimi me institucionet e huaja ligjzbatuese nuk kryhet me anën e metodës klasike të letër-porosive, të cilat përdoren në kuadër të procesit penal.
Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme, në fillimet e zbatimit të ligjit të Dekriminalizimit, arriti të krijonte kontakte të vazhdueshme e të plota me shumë shtete, për të siguruar të dhëna në kuadër të verifikimit të të shkuarës së zyrtarëve të lartë dhe nëpunësve publikë të administratës.
Për disa vite, autoritetet e huaja i përgjigjeshin rigorozisht kërkesave për informacion të Prokurorisë së Përgjithshme.
Institucioni qendror i Akuzës, më herët, ka marrë të dhëna edhe nga shtete, të cilat duket se janë “të mbyllura” përsa i përket shkëmbimit të informacionit.
Zvicra, përshembull, një shtet që funksionon si “kasafortë”, u tregua e gatshme që të ofronte informacion mbi precedentët kriminalë të ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili u shkarkua dhe më pas u arrestua në vitin 2015, në kuadër të procesit të Dekriminalizimit.
Autoritetet belge, hollandeze dhe britanike, gjithashtu i përgjigjeshin në kohë Prokurorisë së Përgjithshme mbi kërkesat për verifikimin e zyrtarëve shqiptarë.
Natyrisht, vendet fqinje si Italia e Greqia kanë qenë gjithnjë të hapura për bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Në vitet e para të zbatimit të ligjit “Për Dekriminalizimin”, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme siguroi të dhëna që u pasuan me shkarkimin e të paktën 10 deputetëve dhe kryebashkiakëve, në përgjithësi zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar nga Partia Socialiste në pushtet.
Mes emrave që humbën mandatin e deputetit pas verifikimeve të kryera më herët nga Prokuroria e Përgjithshme, ishin Aqif Rakipi, Gledjon Rehovica, Armando Prenga, Shkëlqim Selami, Dashamir Tahiri, e të tjerë.
Një deputet tjetër, Arben Ndoka, dha dorëheqjen pak para se të niste zbatimi i ligjit për “Dekriminalizimit.
Vrulli fillestar i Dekriminalizimit u shua thuajse menjëherë, pasi Arta Marku mori postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Mungesa e rezultateve domethënëse në këtë proces të rëndësishëm për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë vijoi pa shkëputje edhe në Prokurorinë e drejtuar nga Olsian Çela.
Kryeprokurori aktual e gjen problemin tek mungesa e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare, ndërkohë që nuk ka një përgjigje shteruese se çfarë ka ndodhur që institucionet homologe më parë jepnin informacion dhe tashmë, nën mandatin e tij, nuk preferojnë të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Përgjithshme.