Autoritetet në Kosovë thanë se po vazhdojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave në veriun e banuar me shumicë serbe të caktuara për datën 23 prill, me gjithë paralajmërimin për bojkotimin e tyre nga subjektet kryesore politike serbe dhe zërat që kërkojnë shtyrjen e tyre.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten të zvogëlojë numrin e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit pas rekomandimeve të institucioneve të sigurisë.
Sipas komisionit në zgjedhjet paraprake të mbajtura në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut ishin hapur 44 qendra të votimit ndërsa me vendimin e ri pritet të hapen 19 qendra, nga të cila 13 do të jenë lëvizëse.
“Bazuar në vlerësimin të organeve të sigurisë është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme dhe 13 qendra të votimit do të jenë qendra alternative apo në kontejnerë, që do të sigurohen nga institucionet tjera”, tha anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani.
Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha sot gjatë një raportimi në komisionin parlamentar për integrime evropiane se policia e Kosovës është e gatshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ne vlerësojmë se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe. Është e qartë se segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje. Ne si institucione të Republikës së Kosovës kemi obligim që qytetarëve atje të ju ofrojmë shansin për jetë të qetë edhe për rregullim demokratik”, tha ministri Sveçla.
Lista Serbe që është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa të cilin tha ai, serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha sot se institucionet e vendit nuk mund të kushtëzohen nga Beogradi.
“Zgjedhjet janë caktuar. Një kompromis më herët ka ndodhur kur janë shtyrë zgjedhjet njëherë. Ato janë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi marr garanci prej tyre se nuk do të shtyhen më shumë se njëherë dhe kjo ka përfunduar si tregim dhe tash duhet të presim lëvizjen nga ana e partive politike serbe që të regjistrohen”, tha ai.
Zoti Konjufca tha se kushtëzimi serbëve për të marr pjesë në zgjedhje pas formimit të Asociacionit nuk është mbështetur as nga faktori ndërkombëtar.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i ‘Quintit’ dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat janë paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit. Ky ka qenë qëndrim i ‘Quintit’, dhe mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim”, tha zoti Konjufca.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, më herët shprehën keqardhjen për vendimin e Listës Serbe, që të mos marrë pjesë në zgjedhje. ndërsa theksuan se është thelbësore të sigurohet që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt dhe palët të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj bëri thirrje të enjten gjatë një seance të parlamentit që zgjedhjet të shtyhen.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha në një intervistë me Zërin e Amerikës të enjten se “shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave dhe jo të hyjë në një proces të normalizimit të raporteve”.
Postet e kryetarëve të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët ishin përfshirë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër./voa