Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në tryezën për politikat sociale të strehimit, u shpreh sot se “pamundësia për strehim është një plagë e rëndë sociale, duke u kthyer në një nga arsyet themelore për largimin masiv të qytetarëve në emigrim”.
Meta tha se duhet të paktën një pagë mujore mesatare, për të përballuar koston e qirasë, apo të kësteve të kredisë.
“Kostoja e blerjes së apartamentit, është rritur ndjeshëm, bashkë me kostot e jetesës, nga rritja e çmimeve dhe mosrritja e pagave. Strehimi është shtrenjtuar ndjeshëm, duke u bërë i papërballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Një familjeje me të ardhura mesatare, i duhen mesatarisht 30 vjet për të blerë një shtëpi”, tha ai.
Sipas Metës, “qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, edhe pse Shqipëria është betonizuar masivisht vitet e fundit”.
Duke iu referuar situatës në Tiranë, Meta tha se “nga viti 2016 deri në vitin 2022, mbi 7 milionë metra katrorë leje ndërtimi janë dhënë, ndërkohë kemi në kryeqytet mijëra apartamente të pashitura, pasi ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi, por për pastrimin e parave të pista”.
“Njëkohësisht, fondi 3 % i banesave, pra që synon banesa të gatshme që u merren ndërtuesve të cilët marrin leje për sipërfaqe mbi 2000 m2, për t’ia dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk iu është vendosur në dispozicion qytetarëve, për shkak të pazareve që bëjnë me ndërtuesit, dhe qytetarët i keni parë se si nxirren nga shtëpitë me forcë dhe rrinë rrugëve. Rreth 25 mijë metra katrorë nga këto që bashkia e Veliajt duhet t’i merrte sipërfaqe banimi të ndërtuara, nuk ia ka marrë ndërtuesve dhe aq më keq, u ka lejuar dhe pazaret me para, duke shkelur haptaz ligjin “Për Strehimin Social”. Ne e kemi çuar këtë çështje në SPAK”, tha Meta.
Ai tha se Partia e Lirisë propozon një sërë masash politike, të mundshme, duke iu referuar mesatares të financimit të programeve të strehimit të këtyre vendeve europiane.
Sipas tij, “politikat sociale të strehimit të Partisë së Lirisë do të fokusohen në programet e subvencionimit për përfitim për strehim, por njëkohësisht dhe për investim për ndërtimin e banesave sociale”.
Meta tha se në programin e subvencioneve synohet që niveli i financimit të rritet në masën 100 milionë euro, që i bie të jetë 0.56 % e PBB-së; programi i investimeve për ndërtimin nga shteti të banesave sociale te zgjerohet dhe financimi i këtij programi të rritet në masën 50 milionë euro, rreth 0.28 % e PBB-së. Po ashtu, sipas tij, totali i fondit për politikat e strehimit synohet të arrijë në nivelin e 0.84 % e PBB-së, ose rreth 150 milionë euro, për dy programet e mësipërme nga 0.05 % e PBB që është aktualisht.
Po ashtu, Meta propozoi edhe disa zgjidhje për Tiranën, si rritja e fondit nga buxheti i shtetit dhe bashkëfinancimi i bashkisë për politikat sociale të strehimit në rreth 33 milionë euro çdo vit, nga 0.7 milionë euro që është aktualisht buxheti për strehim social në bashkinë e Tiranës.