Agron Gjekmarkaj në një analizë të gjatë është ndalur tek vendimi i qeverisë për të rritur pagat.
Nuk ka munguar ironia si edhe kritikat nga ana e Gjekmarkaj. Ai thotë se një politikë e re pagash do të duhej të ishte bërë me kohë, ndërsa shprehet sërish mosbesues se kryeministri Edi Rama do të realizojë premtimet e saj lidhur me këtë çështje.
E PLOTË:
Prej ditësh flitet mes mosbesimit dhe euforisë për rritjen e përgjithshme të rrogave.
Nuk dua të besoj që kjo është një tautologji elektorale se do ishte e rënde e as ata që nën zë apo me zë thonë se po ndodhi shkojmë në bankarotë. Shqiptaret kanë nevojë për rroga më të larta sepse ënde janë më te keq paguarit në Europë. Më shumë se asnjë komb tjetër në bashkëkohësi ata po braktisin vendin e tyre edhe prej varfërisë. Një politikë e re pagesash duhej prej kohesh.
Na mbetet të shpresojmë që është e vërtetë dhe po kaq e bazuar. Koha do ta vërtetojë.
Tani është momenti të flasim edhe për rrogat e deputeteve një temë kjo aspak popullorë. E di që ka një mitologji dhe mistifikim por rrogat e deputeteve janë tejet modeste, dietat e tyre qesharake. Në shtetin shqiptar ka shumë e shumë shtetarë që paguhen ku e ku më mirë se ata. E vërteta është se këto 32 vite korrupsioni dhe politika janë konceptuar bashkë. Një statusquo mbizotëron ajo e pranimit të sulmeve dhe akuzave nga shoqëria por edhe shoqëria pranon të abuzohet prej tyre. Nuk ka benefite deputeti mjafton të mendosh që në çdo profesion mund të paguhesh aq e shumë më mirë.
Për shoqërinë shqiptare nuk është problem rroga e deputeteve po ta analizonim hollë problem është fakti që është e vogël. Pyetja qe duhet bërë është ndonëse rroga është e vogël pse dëshira për tu bërë deputet sidomos pushteti është e madhe? Shumë shqiptarë e gjejnë dinjitetin e tyre tek rroga. Unë jam njëri prej tyre qëkur kam zgjedhur të bëj atë profesion që bëj. As kam fare turp përkundrazi jam krenar.
Nuk do të isha ankuar nëse nuk do të konsumohej një çudi. Qeveria ka dizenjuar një projektligj që rrit rrogat. Me Ligj sanksionohet që rroga e deputetit është 60% e Presidentit të Republikës.
Presidentit dhe të gjitha kategorive po ju rritet dhe e përsëris shumë mirë duhej bërë më parë. Drafti i qeverisë e ul në 39 % të rrogës së Presidentit atë deputetit në mënyrë që atij ti mbetet e njëjta, pra jo vetëm që nuk ja rrit po de fakto ja ul.
Ne e dimë sa kushton një dalje në terren, sa shpenzime e karburant, pa llogaritë kafet e drekat me njerëzit se po ashtu njerëz jemi dhe ne (, paçka se na dizenjojnë si bisha ) e në fund familja. Personalisht e kam ënde krenarinë e njeriut dinjitetin për të luftuar për të.
Me këto të ardhura mbetesh në nivelin e varfërisë. Sot kam folur më shumë kolegë të djathtë e të majtë. Të gjithë mendonin që është e padrejtë. Disa nuk flasin të kompleksuar nga populizmi disa nga pushteti. Unë skam asnjë kompleks as nga njëra as nga tjetra kategori se nuk kam ndërmend të zvarritem përjetësisht atyre korridoreve.
Ndoshta Kryeministri e di që deputetët e tij vijnë nga biznesi, nga devijimet përfituese të pushtetit , ish-kryetarë bashkish, ministrat me gjasë po ashtu me gjithë ato akuza mbi të cilat notojnë dhe mendon nuk po i bëj më shumë objekt sulmi. Të tillë mund të ketë edhe tek opozita që se kanë këtë shqetësim. Mbase kësisoj mendon se i mbron por statusin e deputetit e përdhos.
Automatikisht një masë kesodore i ekspozon disa edhe me të padrejtë si përfitues që rroga nuk u nevojitet dhe e kanë atë për kusur xhepi. Ne e kemi duartrokitur reformën në drejtësi se paku një pjesë e jona, pagat e larta për gjyqtarë e prokurorë me idenë që dinjiteti ekonomik i bën më imun nga tentativat e korrupsionit.
Po pse disa kategori duhen konsideruar patricë dhe të zgjedhurit e popullit ( të paktën ata si puna ime) plebe?
Politikanet populiste janë atë që u kanë punuar rrengjet nga me të mëdhatë popullit të tyre. Ata e vjedhin me tarafet që kanë më pas, ata e rrejnë dhe pastaj sillen si klerik të moralit gati për të kryqëzuar këdo po në emër të popullit se kërkon një të drejtë. Raca me e ndyrë janë demagoget. Tanët janë dylekësh nga përmbajtja. I dëgjoj ndonjëherë koleget populiste me gjuhen e tyre patetike e të mjerë, të braktisur nga çdo etike dhe e vërtetë dhe me krijojnë bindjen se ato janë rriqnat më të ndyta të këtij vendi, hipokritet, abuzuesit dhe hajdutet më të mëdhenj.
Do duhej vetëm një dite a një javë ti ndjekësh nga pas populistët për të parë si jetojnë dhe mbi çfarë e kanë ndërtuar bazamentin e jetës. Ndaj ata nuk duan rroga. Të korruptuarit nuk duan rroga. Ata jetojnë me hajni. Këtu shoqëria duhet të shqetësohet tek paraja lum që i vidhet jo tek dinjiteti i deputetit që kërkon ta jetoje politiken dhe jetën ndershmërisht.
Meqënese jemi në këtë moment i propozoj Qeverisë ta mbylle Parlamentin ta bëjë si në kohen e Enverit dy herë në vit, me Kryetare koperativash se aty afër jemi për kah niveli e cilësia e mendimit, me dieta dhe secili të punojë e të bëjë atë që di më mirë, kush hajdutin kush profesorin, kush bujkun, kush doktorin, kush servilin e kush kritikun.
Po ndyrësinë e populizmit dhe populistëve mos na e servirni si etikë të shoqërisë. Ajo duhet të pyesë thelle veten pse duan të bëhen të gjithë politikanë kur paguhen keq!! ?
Kjo është pyetje retorike. Qeveria me këtë akt po njollos veten dhe ne tjerëve që si kemi asnjë borxh. Personalisht jetoj edhe me pak në çdo segment të jetës edhe pse nuk jam aspak kundra të kem më shumë ndershmërisht. Ma neverisin ata që flasin gjithë kohen si papagaj vetëm për para , pasuri e prona se jo për gjë po janë edhe koprracë që nuk të paguajnë as kafen por thjeshtë duan të zhysin në depresion një vend të tërë me shpresën se do pranohen prej tij si elita.
Por me modesti aq sa mundem do ju them qytetarëve se populizmi nuk është ndershmëri dhe ndershmeria për të kërkuar atë që i takon nuk është përfitim. Balten e heronjve të moralit në rrjetet sociale e nga koleget e darkës në panele kësaj here le ta marr unë.