Shqipëria humbi 5 ditë më parë, përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin Italian Francesco Becchetti, për dëmshpërblimin që ai kërkon nga shteti shqiptar pas urdhërit të Edi Ramës në 2015 për të mbyllur televizionin “Agon Channel”.
Gjykata e Arbitrazhit la në fuqi vendimin që e detyron Shqipërinë t’i paguajë Becchettit dëmshpërblimin prej 110 milionë euro, pasi mbyllja e televizionit u cilësua e motivuar politikisht.
Por teksa detyrimi për të paguar gjobën është fakt, i vemti që përpiqet ta mohojë gjobën që rëndon mbi ekonomitë familjare të taksapaguesve shqiptarë, është kryeministri Edi Rama.
E teksa shefi i qeverisë pretendon se Becheeti s’do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, të kundërtën pretendon gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, i cili tha një ditë më parë në MCN Tv se “nga 1 janari i vitit 2020, Beccheti ka sekuestruar llogarinë e Albcontrol në Bruksel.
“Deri tani shuma thonë se ka vajtur 90 milionë euro dhe ato vetëm shtohen. Gjykata e Shkallës së parë në Bruksel i dha të drejtën Beçhetit që ta ekzekutojë vendimin, domethënë t’i marrë paratë. Tani çështja është në Gjykatën e Apelit të Brukselit. Nëse Apeli lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ai merr formë të prerë”, zbuloi gazetari.
Pikërisht për këtë arsye sipas tij, qeveria në dhjetor i dha 20 milionë dollarë nga buxheti me akt normativ Albcontrolit, pasi mungonin paratë për të vazhduar aktivitetin.
Por, i gjendur sot përballë gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama është përpiqur ta shmangë pyetjen e një gazetareje në lidhje me bllokimin e llogarisë bankare të Albcontrol, duke thënë se kjo çështje është konfidenciale, e më pas duke shpërthyer kundër Gjykatës së Arbitrazhit.
Sipas Ramës, qeveria mund edhe të vendosë të tërhiqet nga juridiksioni i Arbitrazhit, duke marrë në konsideratë faktin se ka humbur disa gjyqe radhazi.
“Së pari njëherë meqë më dole në një temë kaq të dashur për ata që gëzojnë që sa herë ka lajme të kësaj natyre, në vend që të irritohen që një kriminel arrin të çajë rrugët në një gjykatë me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke nisur nga java e ardhshme. Po mendojmë daljen fare nga juridiksioni i kësaj gjykate, pas vendimeve skandaloze.
Po këta njerëz kanë thënë që Shqipëria i ka paguar ato para, ja që ato 100 milionë nuk kanë ikur, nuk janë fare në xhepin e atij mashtruesi. Sa i përket luftës me të, ne e bëjmë dhe do ta bëjmë me të, edhe pa këtë kategori njerëzish. Unë përgjigjet i jap si dua unë. Kalo mikrofonin te tjetri, ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin, por detyra ime është që të ruaj konfidencialitetin”, tha Rama.
E për t’i hedhur sikletit të momentit që e pushtoi pas këmbënguljes së gazetares për një përgjigje, Rama iu kthye sulmeve personale ndaj përfaqësuesëve të mediave.
“E kam thënë dhe një herë…e kam humbur çdo lloj shprese që ne të dy të merremi vesh. Ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin e procesit. Gjë që se ata që presim që të prishin këtë konfidencialitet, unë se dua këtë…”, shtoi Rama.
Gazetarja: A ka pasur ndonjëherë bllokim të llogarive të Albcontrol-it në Bruksel, dhe nëse nuk ka pasur, a mendoni se në rast se nuk ka pasur, do të ketë një bllokim të tillë për sa kohë që gjoba që Beketi ka fituar në arbitrazh, vazhdon të ngelet në fuqi?
Edi Rama: Së pari, meqë më dolët në këtë temë kaq të dashur për ata që mendojnë se e mira e tyre është e keqja e Shqipërisë dhe që gëzohen sa herë ka një lajm të kësaj natyre, në vend që të revoltohen që një kriminel i gjykuar dhe i dënuar me 17 vjet burg për mashtrim të shtetit shqiptar, arrin të çajë rrugën në një gjykatë, me të cilën ne do të hapim probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme, dhe nga e cila madje po analizojmë edhe daljen fare nga juridiksioni, sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur. Por, ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja dy vjetësh se Shqipëria i ka paguar ato para!
Po këta njerëz kanë shpërndarë edhe fletëpalosje nëpër makina në bulevard dhe poshtë dyerve që ikën 100 milionë!!! Ja që këto 100 milionë, nuk paska ikur pra! Dhe ju po bëni pyetjen “janë bllokuar apo s’janë bllokuar”, domethënë që s’janë fare gjëkundi në xhepin e atij mashtros dhe mendoj se ky është momenti që t’i kërkoni falje shqiptarëve që i keni gënjyer për kaq shumë kohë duke u thënë të kundërtën. Për sa i përket luftës me të, pa asnjë diskutim ne bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund edhe pa këtë soj të prishur shqiptarët!
Gazetarja: Po llogarive?!
Edi Rama: Pyetje tjetër!
Gazetarja: Nuk mora përgjigje për këtë që t’ju bëj pyetje tjetër. Ka pasur bllokim të llogarive apo jo? Të llogarive të Albcontrol.
Edi Rama: Unë i jap përgjigjet siç unë i mendoj dhe këtë debat së bashku e kemi zhvilluar shumë herë. Unë kam humbur çdo lloj shprese që mund të merremi vesh, kalo mikrofonin te tjetri sepse kjo ishte përgjigjja ime!
Gazetarja: Po nuk marr përgjigje nëse janë bllokuar apo jo. Ka pasur një bllokim të llogarive që janë në Bruksel të Albcontrol-it. Kaq gjë besoj se ju mund të na përgjigjeni.
Edi Rama: Ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin e gjithë procesit, gjë e cila ata që mezi presin që Shqipëria të dëmtohet nuk kanë pse ta ruajnë si konfidencialitet, është e drejta e tyre por detyra ime është të ruaj konfidencialitetin e procesit.