Media prestigjoze britanike “Daily Mail” ka publikuar mbrëmjen e sotme një dokumentar, ku gazetari Stephen Wright raporton nga Ekuadori për raportin e ngushtë që “Narcos-it” e frikshëm shqiptarë kanë krijuar me vendasit, kryesisht në qytet-portin e Guajakil.
Gazetari zhvillon edhe një intervistë, ndër më të rrallat në botë, me krahun e djathtë të “Carlos Djallit”, udhëheqësit të degës ekuadoriane të bandës famëkeqe kriminale të Amerikës së Jugut, “Latin Kings”.
Në intervistë ai zbërthen marrëdhënien e ngushtë që është krijuar me shqiptarët dhe faktin se ata janë të dhunshëm, që “të vrasin, nëse dështon” të kryesh porositë që japin.
Në dokumentar tregohet edhe vrasja e shqiptarit Ergys Dashi, më 22 Janar 2022 në një restorant në Ekuador.
Vrasja ka ndodhur në veri të Guajakilit, ndërsa 34-vjeçari rezulton se është nga qyteti i Durrësit, por banues në Tiranë.
Dashi kishte disa kohë që jetonte përkohësisht në Guajakil të Ekuadorit, ndërsa dyshohet se aktiviteti i tij në këtë shtet, ka qenë trafiku i lëndëve narkotike.
Vrasja e Dashit u regjistrua rreth orës 19:00, kur dy persona, njëri prej tyre me një buqetë me lule, hynë në restorant duke iu shmangur stafit, i cili kërkonte për klientët kartën e vaksinimit.
Njëri nga personat ka nxjerrë nga tufa e luleve armën duke qëlluar plot 20 herë dhe lënë të vdekur në vend, Ergys Dashin.
Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës grumbulluan mbi 20 gëzhoja të fishekëve të markës Fame, tip 9×19, sipas karakteristikave të dhëna nga hetuesit. Ata gjithashtu konstatuan se viktima ka marrë disa të shtëna në pjesën ballore të kafkës.
“Ergys Dashi, 34 vjeç, u identifikua si njeriu i vrarë në restorantin Grilling, në Avenue José Joaquín Orrantia, diagonalisht me Mall del Sol, në veri të Guayaquil. Sipas burimeve policore, individi do të kishte pasur lidhje me trafikun e drogës …fillimisht nuk dihej identiteti i të ndjerit, por pas dërgimit në Laboratorin e Kriminalistikës, u konfirmua identiteti dhe origjina e tij nga Evropa Lindore, nga rajoni i Ballkanit…”, raportuan asokohe mediat vendase.
Ndërsa më pas u mësua plotësisht se viktima ishte shtetas shqiptar, pjesë e një grupi kriminal në Shqipëri, që vepron në Durrës dhe Tiranë.
Artikulli i “Daily Mail”:
Nga poshtë kapelës së tij të bejsbollit, e vënë mbrapash mbi kokë, por e ulur poshtë, sytë e tij ishin plot dyshime armiqësore. Ai u përpoq të shmangte kamerat CCTV, duke parë me nervozizëm majtas, djathtas dhe më pas mbrapa supeve. Papritur, ai bëri me gisht nga një cep i restorantit në drejtim të një dritare.
U ulëm. Së pari më duhej të konfirmoja se i kuptoja rregullat bazë. Në asnjë rrethanë nuk duhet të identifikohet dhe asnjë foto e tij të mos publikohet pa lejen e tij. Nëqoftë se do të bëja këtë do të rezultonte në një vdekje pothuajse të sigurt për mua, shpjegoi ai.
Dhe nëse nuk e kam mbajtur fjalën e dhënë? Edhe jeta ime do të ishte në rrezik, e kuptova shpejt.
Kujdesi ishte i kuptueshëm. I ulur para meje në një restorant turistik të njohur në portin e Guayaquil në Ekuador – portë për në plazhet e Paqësorit dhe ishujt Galapagos, por edhe një nga qytetet më të rrezikshme në botë – ishte një anëtar i një bande rruge që punonte me shqiptarët, ‘Narcos’ për të furnizuar kokainë ilegale në Evropën Perëndimore.
Ai është një burrë që thotë se është mësuar të vrasë vetëm në moshën 14-vjeçare në një ceremoni ku ai u bë pjesë e bandës së dhunshme.
“Më dhanë një armë dhe më thanë të dilja në rrugë dhe ta përdorja atë”, më tha ai në spanjishten e tij amtare.
“A e bëre ti?”, e pyeta unë.
“Po. Unë qëllova dikë, por nuk jam i sigurt nëse ai vdiq”, ngriti supet.
Ishte pak ngushëllim për mua kur Junior, siç do ta quajmë ne, më njoftoi me mirësjellje se kishte vendosur të mos merrte armën me vete sot.
Junior është një ndihmës i “Djallit Carlos”, udhëheqës i degës së Ekuadorit të bandës famëkeqe kriminale të Amerikës së Jugut, “Latin Kings”.
Kjo e vendos atë në zemër të një sipërmarrjeje të vulosur me gjak, me mafian shqiptare për të eksportuar drogë përmes Kanalit të Panamasë dhe në veri përtej Atlantikut në qendrat e shpërndarjes në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë.
Asnjëherë më parë një gangster ekuadorian nuk e ka thyer kodin mafioz të heshtjes për të përshkruar se si funksionojnë bandat shqiptare të krimit të organizuar (OCG).
Asnjëherë më parë në karrierën time raportuese prej dekadash për Daily Mail – në të cilën jam përballur me vrasës të shumtë – nuk jam ballafaquar me një njeri kaq të rrezikshëm në një vend ku jeta është kaq e lirë.
Në një dokumentar të titulluar “Albanian Narcos: Bullets, Bloodshed & Britain” ne detajojmë se si e ashtuquajtura Mafia Ballkanike është vendosur në Ekuador.
Dhe ne ekspozojmë sesi ‘kapot’ shqiptarë dhe “killerat” e tyre kontrollojnë çdo aspekt të tregtisë deri në pikën përfundimtare – tregun e kokainës prej 2 miliardë paund në pothuajse të gjitha qytetet kryesore dhe zonat periferike të Britanisë.
Anëtarët e vëllazërisë kriminale shqiptare filluan të mbërrinin në Ekuador rreth dhjetë vjet më parë, jo shumë kohë pasi presidenti i krahut të majtë Rafael Correa vendosi që të huajt të mund të qëndronin për gjashtë muaj pa vizë. Në fakt, ai po hapte dyert për narkosin shqiptarë – trafikantët e drogës – për të cilët qëndrimi në Ekuador ishte një mundësi shumë e mirë për t’u refuzuar.
Ky vend i varfër ka si fqinj dy pika të nxehta të prodhimit të kokainës, Kolumbinë në veri dhe Perunë në jug. Ajo ka kufij poroz, një vijë bregdetare prej 1300 miljesh dhe ryshfeti dhe korrupsioni janë të përhapura – veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe ushtrinë. Plus, ka akses të lehtë në blerjen e armëve dhe një furnizim të bollshëm vrasësish të gatshëm, disa, tepër të rinj deri në 12 vjeç.
Baronët shqiptarë të drogës paraqiten si biznesmenë dhe investitorë legjitimë, duke përdorur identitete të rreme. Ata marrin me qira shtëpi në komplekse ultra të sigurta dhe të pasura, dhe kalojnë kohën e tyre në palestër dhe në restorante e hotele të shtrenjta. Shumë prej tyre janë vendosur në Guayaquil, i cili sipas Byrosë së Shteteve të Bashkuara për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve është një nga ‘nyjet kryesore logjistike për kokainën që shkon në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës’.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), e cila monitoron trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës, konfirmon se “zinxhirët e furnizimit, dikur të dominuar nga disa grupe të organizuara kriminale po pësojnë ndryshime me organizatat nga Ballkani që tani janë përfshirë gjithnjë e më shumë në trafikimin dhe furnizimin me drogën e luksit nga Amerika Latine”.
Shpatullat e kërrusura në bluzën e tij të gjerë, Junior i përkul përpara dhe filloi të pëshpëriste me nxitim:
“Mbretërit Latinë në Guayaquil kontrabandojnë drogë me origjinë nga Kolumbia dhe Bolivia. Kokaina shkon përmes kontejnerëve nga Ekuadori në Evropë dhe Britani. Njeriu i ngarkuar për të punuar me shqiptarët është Carlos El Diablo [Carlos Djalli]. Njerëzit që punojnë në doket e portit paguhen për të ndihmuar bandat kriminale. Ka punëtorë të korruptuar në një kantier privat të quajtur Contecon. Ata që janë përgjegjës për mbylljen dhe zhbllokimin e kontejnerëve janë në shënjestër të ryshfeteve, ashtu si edhe personeli i sigurisë përgjegjës për kamerat. Çmimi [për kokainën] është 28,000 dollarë për kilogram. Ndonjëherë deri në 300 kilogramë shkojnë me një kontejner – përfshihen shuma të mëdha parash”.
Ndërmjetësi që siguroi intervistën me Junior më tha se “killeri” që punon për “Carlos Djallin” po përpiqet të distancohet nga jeta e bandës. Por me kalimin e minutave, fillova të dyshoja për këtë – pasi ai ishte një njeri i zhytur në kulturën e bandave të lumtura, vrastare dhe shpërblimet në para që mund të ofrojë krimi.
Junior vazhdoi të tregonte se “Carlos punon me shqiptarët që jetojnë në Guayaquil”.
“Ata ndonjëherë takohen në “Mall del Sol” dhe qendra të tjera tregtare. Ata janë përgjegjës për mallin dhe vlerën se sa [kokainë] do të dërgohet….Shqiptarët japin kaparin e parave cash për dërgesat e drogës, me shumën paraprake që është saktësisht gjysma e çmimit që duhet paguar. Shqiptarëve nuk u pëlqen t’i përshëndesin kur nuk janë në punë”, shtoi ai.
“Në një rast, një shqiptar më tha: ‘Nëse më sheh ndonjëherë jashtë këtij vendtakimi, nuk më njeh. As mos më shiko”, zbulon Junior.
Junior mund të garantojë për efikasitetin e pamëshirshëm, siç thotë ai për shqiptarët. “Sapo përfundon biznesin me një shqiptar, nuk do të dëgjosh më prej tyre deri në transaksionin tjetër. Nëse dështon, ata të vrasin”.
Sipas zyrtarëve të Doganës në Ekuador, të cilët po punojnë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar, ekzistojnë katër metoda kryesore që përdoren nga trafikantët në porte.
Ato përfshijnë drejtimin e një kompanie frontale, një opsion i njohur për shqiptarët, të cilin ata e krijojnë vetë ose blejnë një biznes ekzistues për të fshehur kokainën përpara transportit.
Një teknikë tjetër është manovra ‘rip on/rip off’. Trafikantët e drogës thyejnë kontejnerët e hapur të eksporteve të ligjshme, fshehin ngarkesën e tyre të paligjshme brenda dhe më pas përdorin vula të klonuara doganore për të fshehur punën e tyre. Sapo kontejnerët mbërrijnë në Evropë, kokaina merret nga bandat e tjera të ndërlidhura në këtë “biznes”.
Një tjetër metodë është ajo ku trafikantët e fshehin drogën në zgavrat e anijeve me kontejnerë ose me paketat e rripave në trupat e anijeve të ankoruara në porte. Shumica e kontejnerëve që largohen nga Guayaquil mbërrijnë në Antwerp në Belgjikë ose Roterdam në Holandë, ku personelit thuhet se i ofrohen shuma të mëdha për të mbyllur një sy.
Nga atje, kokaina mendohet se hyn në Britaninë e Madhe nëpërmjet porteve si Portsmouth, Tilbury, Harwich, Immingham dhe Hull.
Florence Angelici, një zëdhënëse e Ministrisë belge të Financave, tha për Mail se konfiskimet e kokainës në Antwerp arritën në 100 tonë deri në fund të vitit 2022, një rekord i ri ky për vendin. Pjesa më e madhe e drogës u gjet në port në dhjetor, saqë disa zyrtarë e quajtën atë “Krishtlindja e bardhë”.
“Prodhimi po rritet për shkak të modifikimit gjenetik të bimëve të kakaos në Amerikën e Jugut”, shton zonja Angelici. Dikur kishte vetëm një kulturë të bimës së kokos në vit, ndërsa tani mund të prodhojnë dy ose tre nga e njëjta bimë, kështu që numri i dërgesave të drogës që dërgohen jashtë vendit është rritur si rezultat.
Metoda kryesore është ende “rip on/rip off” ku paketat e kokainës futen në dollapë ose çanta të cilat më pas hidhen mbi një ngarkesë. Ata mbështeten në bandën që i pret në anën tjetër. Por kontrabandistët janë shumë kreativë dhe gjithmonë vijnë me ide të reja – [kokaina] mund të injektohet në fruta, të fshehura brenda dërrasave të drurit të fortë dhe në shiritat e kontejnerëve.
“Ata mund të fusin kokainë në çdo gjë. Ju i jepni idenë, ata e përdorin atë: lodra seksuale, ushqim për qen, madje ngjyhet në veshje dhe nxirret më vonë. Evropa është shumë tërheqëse për trafikantët. Çmimi që ata mund të marrin këtu është më i lartë se në SHBA ku fentanili është ilaçi i zgjedhur”, u shpreh Junior.
Junior në mënyrë të përsëritur refuzoi të tregojë shqiptarët me të cilët ka pasur punë apo shqiptarin më të fundit ‘Mr Big’ në Ekuador.
“A ishte famëkeqi Dritan Rexhepi, i ashtuquajturi ‘Mbreti i Kokainës’ që është cilësuar si ‘kapoja e padiskutueshme’ e mafies shqiptare?”, e pyeta.
Ai nuk donte të fliste për këtë dhe unë vura re terror në sytë e tij thjesht nga përmendja e emrit të Rexhepit, një ish-student i drejtësisë, i cili tani është në të dyzetat dhe ka grumbulluar një pasuri shumëmilionëshe nga tregtia ilegale e drogës.
Në të vërtetë, i tillë është fama e tij globale, ai është krahasuar me bosin meksikan të drogës Joaquin Guzman – ‘El Chapo’ – dikur një nga trafikantët më të fuqishëm të narkotikëve në botë. Guzman tani po vuan një dënim të përjetshëm plus 30 vjet të tjera në një burg të sigurisë së lartë në SHBA.
Ndërkohë, Rexhepi i dënuar me 13 vite burg për trafik droge në Ekuador, është liruar para kohe. Por të thuash se ai është kthyer në biznes do të ishte mashtruese. Ai nuk u ndal kurrë. Nga qelia e tij e burgut në kryeqytetin Quito, Rexhepi dyshohet se përdori një telefon celular të koduar për të bashkërenduar një ‘federatë transnacionale të krimit’ të trafikantëve shqiptarë të drogës të njohur si “Kompania Bello”.
Rexhepi besohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një njeriu të pafajshëm pasi një bandë rivale shqiptare e drogës dyshohet se vodhi kokainën me vlerë miliona paund, të cilën ai e kishte kontrabanduar në Portsmouth në një anije kontejnerësh plot me banane.
I vetmi ‘krim’ i viktimës (ai u rrëmbye dhe u vra në Shqipëri) ishte se ai ishte vëllai i dikujt që supozohej se kishte vjedhur kontejnerin me kokainë të Dritan Rexhepit, teksa kishte për detyrë ta nxirrte nga porti me kamion.
Tani, megjithatë, organizatori kriminal është zhdukur nga radarët në Ekuador. Mund të zbuloj gjithashtu se Rexhepi ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me një grua ekuadoriane me të cilën ka pasur një djalë, duke e lejuar atë të aplikojë për shtetësinë ekuadoriane. “Nëse ka sukses, do të thotë se ai nuk mund të ekstradohet në Evropë”, më tha një shef policie.
Në Shqipëri ai është dënuar me 25 vite burg në mungesë për dy vrasje (përfshirë atë të një polici) dhe dyshohet për vrasje të tjera. Ai është gjithashtu në kërkim në Itali dhe Belgjikë dhe ka shumë identitete.
Lëvizjet e tij janë me interes të madh për Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), versioni britanik i FBI-së. NCA, e cila ka agjentë në Ekuador që monitorojnë kërcënimin e “narkosave shqiptarë”, di shumë për Rexhepin. Ai u shfaq në listën e kriminelëve të huaj më të kërkuar të Scotland Yard dhjetë vjet më parë, kur mendohej se fshihej në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka lidhje të forta me Londrën, Bedfordshire dhe Northamptonshire.
Sipas Europol-it, ajo që e dallonte sindikatën e Rexhepit nga të tjerët ishte mënyra në të cilën ajo kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit – nga marrja e kokainës për eksport, tek shpërndarja me shumicë dhe deri te shitja në rrugët e qyteteve si Brighton, siç e kemi zbuluar në pjesën e parë të këtij hetimi për llogari të Mail.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit ekuadorianë, të cilët ndajnë informacione me NCA, pranojnë se nuk janë të sigurt për vendndodhjen aktuale të “Mbretit” shqiptar të kokainës. Zyrtarisht, ai supozohet të firmosë pas lirimit dy herë në muaj si kusht i lirisë së tij, por burime të shumta thonë se dyshojnë se dikush tjetër po e bën atë në emër të tij.
Sipas shefit të antinarkotikëve, gjeneral Pablo Ramirez, hetimet janë duke u zhvilluar për partneren e Rexhepit, i cili ka qenë duke bërë udhëtime në kryeqytetin kolumbian, Bogota.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim se ai mund të kryejë ose të kthehet në aktivitete të paligjshme nëpërmjet partneres së tij”, më tha gjenerali Ramirez.
E sigurt është se askush që e ka monitoruar karrierën e Dritan Rexhepit në mafian shqiptare nuk mendon seriozisht se ai po ecën në rrugë të drejtë dhe lëvizja e tij si Ronnie Biggs për të shmangur ekstradimin duke bërë një fëmijë me një grua vendase tregon më tej dinakërinë e tij.
Fakti që ai së shpejti mund të jetë i paprekshëm ka implikime të rëndësishme për betejën e NCA-së kundër kërcënimit në rritje të grupeve shqiptare të krimit të organizuar (OCG) në Britani.
Burime të larta britanike të zbatimit të ligjit besojnë se kontrabandistët e njerëzve që sjellin emigrantë shqiptarë përtej Kanalit Anglez po punojnë me bandat bashkatdhetare të drogës për t’u siguruar atyre “ushtarë këmbësorë” për të furnizuar me kokainë rrugët e Londrës dhe çdo qyteti tjetër në Britani.
Verën e kaluar, Mail raportoi se si kartelet shqiptare të krimit po dërgojnë ‘lëkura të pastra’ – individë pa precedentë kriminalë në Mbretërinë e Bashkuar për t’u bashkuar me bandat e organizuara. Kjo do të thotë që kontrollet mbi emigrantët e mbërritur nga Kanali Anglez nuk po realizohen si duhet.
Ekuadori është një vend ku jeta është e lirë – dhe askund më shumë se Guayaquil. Shkalla e rritjes midis bandave të drogës për një kontratë për të vrarë një gjyqtar thuhet të ketë shkuar në vetëm 5,000 dollarë dhe anëtarët e gjyqësorit marrin në mënyrë rutinore buqeta funerali në shtëpi.
Hetimi ynë përfshiu një takim dramatik me një prokuror shteti, i cili i ka mbijetuar pesë komploteve nga mafiozët e ndryshëm të drogës për ta vrarë. Ai pranoi të më fliste për narkosët shqiptarë, duke kërkuar falje për mënyrën e mbledhjes sonë me mantel në parkingun e makinave në një vend gjoja të sigurt.
Ai tha se kishte punuar në disa raste që përfshinin shqiptarë dhe një herë ishte sulmuar nga gangsterët pasi kishte kapur tre tonë drogë. Në fund të një takimi 90-minutësh, ai më tregoi një fotografi të një vrime plumbi në xhamin e tij të përparmë nga një atentat.
Një nga kolegët e tij të vjetër, Edgar Escobar, u qëllua për vdekje jashtë zyrës së prokurorit të shtetit vitin e kaluar.
“Në vitin 2014, më shumë se 20 shqiptarë u burgosën për krim të organizuar”, tha prokurori. “Nga ai rast, rrënjët e tyre në Guayaquil u copëtuan. Por ata ende vijnë në mënyrë klandestine dhe paraqiten si tregtarë të korporatave”.
“Në çështjet e njohura në Prokurori, shumica e shqiptarëve janë të lidhur. Ata janë familjar. Kunetërit, dhëndurët, vjehërrit, kushërinjtë…Shqiptarët zakonisht nuk vrasin, punësojnë kriminelë – vrasës serialë – për ta bërë këtë. Ata janë autorët e krimeve”, zbulon prokurori ekuadorian.
Disa javë më parë, kishte pamflete anonime nga bandat lokale (të ngjitura në rrugë dhe në muret e Prokurorisë) në të cilat ata pretendonin se 5,000 dollarë ishin paguar për një prokuror ose gjyqtar të vdekur, 4,000 dollarë për një oficer policie dhe 2,000 dollarë për një ushtar.
“Shqiptarët kanë një luftë të vazhdueshme në Ekuador për shitjen e drogës me kartelet meksikane”, shtoi ai.
“Nëse një shqiptar guxon të dërgojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është territor meksikan, ata shfaqen menjëherë të vdekur. E njëjta gjë ndodh nëse një meksikan përpiqet të dërgojë drogë në Evropë. Ata kanë rregulla, nuk mund të pushtohen. Mund të ketë dy arsye pse vritet një shqiptar: ose bie ngarkesa e dërguar, sepse e kap policia, ose pushton territor”.
“Vrasësit që tërheqin këmbëzën janë zakonisht midis moshës 16 dhe 25 vjeç”, shtoi më tej prokurori.
Në janar 2022, mafiozi shqiptar Ergys Dashi u vra në një restorant nga një burrë që mbante një buqetë me trëndafila. Një video që tregonte atë duke u rrëzuar në një pellg gjaku, i rrethuar nga darkues të tmerruar, u bë virale në vendlindjen e tij. Një bashkatdhetar, Adriatik Tresa, u ekzekutua para syve të kunatës së tij pasi shtatë burra të veshur si oficerë policie mbërritën në shtëpinë e tij jashtë Guayaquil.
I tillë është sfondi i mbushur me gjak në punën e Santiago Niego, nënsekretar për luftën kundër krimit në Ministrinë e Brendshme të Ekuadorit. Ai lidhet ngushtë me homologët e tij evropianë dhe në Mbretërinë e Bashkuar në përpjekje për të frenuar rrjedhën e drogës nga vendi i tij.
Ai nuk u befasua kur mësoi nga unë se “Mbretërit Latin” po punojnë me shqiptarët për trafikimin e kokainës.
“Linjat e trafikut nga Ekuadori në botë mund të jenë të shumta”, më tha ai. “Mbretërit Latinë mund të ofrojnë logjistikë për disa bashkëdrejtues në të njëjtën kohë, jo vetëm për shqiptarët. Për shembull, ata mund të kishin njerëz në port, mund të kishin rekrutuar në autoritetet e policisë, ose të kishin dikë që transporton ose ruan drogën, ose dikush që u jep atyre informacione për kompanitë e transportit”.
Junior, gangsteri që takuam në restorantin turistik, është një Mbret i tillë Latin që ofron mbështetje logjistike për shqiptarët. Ai tha se paguhej midis 100 dhe 500 dollarë për kilogram.
“Në dërgesën e parë më paguan 100 dollarë për kilogram. Kam bërë 4000 dollarë. Ekipi i kontrabandës përbëhej nga 20 ose 25 persona. Ata e ndanë fitimin mes nesh të gjithëve”, tregon ai.
Me të ardhurat mesatare vjetore në Ekuador vetëm 5,000 dollarë, këto janë para të mëdha. Dhe nëse Junior dështon në një mision droge për narkotikët shqiptarë dhe paguan çmimin përfundimtar, do të ketë plot gangsterë të tjerë gati për të mbushur vendin e tij dhe për të vazhduar të ushqejnë nga larg epideminë e drogës në Britani.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Boldnews.al