Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në pragun e një tragjedie, është ajo që ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në fshatin Karkavec të Prrenjasit.
Tre nga katër anëtarët e familjes Bishtogu, të cilët ishin duke punuar me bel tokën shumë pranë shtëpisë, kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate të vjetër.
Personat që mbetën të plagosur janë Olsi Elezi (45 vjeç), Yllka Bishtogu (61 vjeçe) dhe Viturie Bishtogu (58 vjeçe).
Të tre këta shtetas kanë qenë duke punuar tokën me bel, teksa aksidentalisht ka shpërthyer granata që i ka dëmtuar rëndë në gjymtyrët e poshtme.
Për mediat lidhur me ngjarjen ka folur Kasëm Bishtogu (i zoti i shtëpisë) i cili gjithashtu ka marrë dëmtime të lehta në këmbë.
“U plagos Vita, vëllai, kunata dhe dhëndri. Edhe unë pak në këmbë diçka të vogël”, rrëfeu ai.
Sakaq, 45-vjeçari Olsi Elezi ka folur gjithashtu për mediat nga ambientet e spitalit të Elbasanit, ku ai ndodhet i shtruar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Dhëndri i familjes Bishtogu rrëfeu se ka marrë plagë në të dyja këmbët dhe se nuk e mbante mend nëse kishte punuar atë pjesë të tokës më parë.
“Duke punuar plasi, nuk e mora vesh si plasi. Ishim 4 veta duke punuar me bel. Ishte toka e shtëpisë. Nuk e mbaj mend nëse kemi punuar më parë aty”, deklaroi ai ende në gjendje shoku nga shpërthimi që i shkaktoi dëme në të dyja këmbët.
Ndërkohë, mësohet se dy kunatat nga fshati Karkavec që mbetën të plagosura nga shpërthimi janë dërguar nē Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar për shkak të plagëve më të rënda që kanë marrë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në fshatin Kakavec, bashkia Prrenjas, rreth orës 12:00, shtetasi O. E. dhe shtetaset Y. B. dhe D. B., duke punuar tokën me bel, aksidentalisht ka shpërthyer dyshohet një granatë e vjetër dhe për pasojë, këta shtetas janë plagosur në gjymtyrët e poshtme, janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e shpërthimit të granatës, kanë qenë duke punuar edhe 2 vëllezërit, bashkëshortët e shtetaseve të mësipërme, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.
Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
LEXO EDHE:
Prrenjas/ Shpërthimi i granatës plagosi 3 persona, kryefamiljari rrëfen si ndodhi ngjarja
Shpërthimi i granatës, 45-vjeçari flet nga spitali: Nuk e mora vesh si plasi