Diana Kolaveri do të ketë mundësinë të përkujdeset sërish për foshnjën e saj të porsalindur.
Këtë të Premte, Gjykata e Apelit vendosi këtë të Premte lirimin e saj nga qelia, duke pezulluar dënimin me burg, vendosur më herët ndaj saj nga shkalla e parë.
Arrestimi për një gjobë
Kolaveri u arrestua më 7 Mars, ndërsa rastin e bëri publik i shoqi i saj, i cili përmes një deklarate për media kërkoi lirimin e bashkëshortes lehonë.
Diana Kolaveri Hoshi është dënuar për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por bashkëshorti i saj, Naim Bahçja, pretendon se është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën. Qëndrim që ai e përsëriti edhe ndaj një deklarate për media pas vendimit të sotëm të Apelit.
Diana Kolaveri Hoshi, me origjinë nga Mati, është dënuar me burg nga Gjykata e Tiranës në mungesë në qershor të vitit 2022, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Policia më 7 mars të këtij viti. E reja u dënua fillimisht me 250 mijë gjobë, por në kushtet kur zyra e përmbarimit nuk arriti të ekzekutojë vendimin, ai u konvertua në burgim me rreth dy muaj.
Në procesverbalin e oficerit gjyqësor që e ka firmosur dhe e dënuara thuhet se “gjyqtarja Ardiana Bera, me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, ka vendosur zëvendësimin e dënimit nga gjobë 250 mijë lekë në 1 muaj e 20 ditë burgim për akuzën ‘Braktisja e fëmijës’”, parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal.
Seanca
Pas apelit publik të të shoqit për lirimin e 27-vjeçares lehonë, pati reagime të shumta si nga shoqëria civile, ekspertë ligjore si dhe politika. Të gjithë u bashkuan njëzëri në kërkesën për lirimin e nënës lehonë, e arrestuar 8 ditë pas lindjes së djalit.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës përgatit një ankim në Apel, që u shqyrtua këtë të Premte.
Gjatë seancës së sotme, avokati kërkoi pezullimin e vendimit me burg duke u zotuar për pagesën e gjobës. Prokurori Endrit Bimi ra dakord me kërkesën.
Në këto kushte, gjykata vendosi lirimin e Dianës nga qelia.
Gjatë seancës, e reja foli dhe për momentet e arrestimi.
“U thashë policëve që kam foshnjën me gji. Nuk e kam takuar fëmijën e parë prej 5 vitesh”, u shpesh.
Ndërkohë, prokurori deklaroi se s’ka pasur dijeni se 27-vjeçarja ishte lehonë.
“Ka vendim dënimi me gjobë që nuk është ekzekutuar nga përmbarimi dhe ata kanë njoftuar prokurorinë. Nuk kemi qenë në dijeni që zonja ka qenë me fëmijë, sepse vendimi është dhënë në qershor 2022 dhe zonja ka qenë në mungesë”, tha ai.
Avokati: Qytetarët zemërgjerë, kërkojnë të paguajnë gjobën
Pas vendimit të Apelit, në një prononcim për mediat, avokati tha se drejtësia u vu në vend.
Ai falenderoi media që pasqyroi ngjarjes, ndërsa tha se shumë qytetarë janë ofruar për pagesën e gjobës ndaj nënës lehonë.
“Ne kemi marrë shumë telefonata nga njerëz të ndryshëm që janë vetëofruar për të paguar gjobën dhe do të kontaktojnë me bashkëshortin. Duhet të jetë rreth 200 mijë lekë shifra që do të shlyejë. Ky është vendim që vërteton se dashuria e nënës është gjëja më e rëndësishme në këtë tokë dhe ka ndikuar në këtë vendim”, tha avokati.