Mbledhja e Kryesisë ku Edi Rama dha direktivat për përzgjedhjen e kandidatëve dhe njoftoi përzgjedhjen e ekipit që do të hidhet në fushë për zgjedhjet e 14 majit më 25 mars, duket se ka çelur edhe pse jo zyrtarisht fushatën për Partinë Socialiste.
Edhe pse deputetët e selisë rozë janë prej kohësh në terren, tashmë Rama ka nxjerrë në takime me bazën edhe drejtuesit e qarqeve, që në shumicën e rasteve mbajnë poste ministrore, duke kërkuar votën e shqiptarëve edhe pse në daljet në media mohon ta ndiejë rivalitetin nga opozita e Sali Berishës.
Kryeministri duket se misionin e të vetëve për të maksimizuar votat nuk do që të ndalet në asnjë çast, madje duke marrë parasysh pezullimin e punimeve të Parlamentit për këtë motiv.
Dhe kush më mirë se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i vjen në ndihmë për të vënë në zbatim planet e tij. Këtë herë kryeparlamentarja i ka dhënë “një dorë” shefit të qeverisë, duke pezulluar seancën plenare që ishte parashikuar të zhvillohej këtë të hënë në Kuvend.
Me anë të një shkrese, Nikolla ka njoftuar deputetët e opozitës për anulimin e seancës, duke e mbrojtur vendimin me argumentin se disa deputetë pretendojnë që janë të angazhuar në fushatë me zgjedhësit.
Padyshim që shumica prej tyre janë socialist, të cilët i binden verbërisht kryetarit të tyre, duke “djegur” kështu një seancë në Kuvend, aq shumë të vlefshme për të diskutuar mbi problemet e qytetarëve shqiptarë.
Këtë e vërteton më së miri edhe profili në rrjetin social Facebook i disa nga emrave më me peshë në PS, si Elisa Spiropali, Damian Gjiknuri, Belinda Balluku, Taulant Balla e Niko Peleshi, të cilët në fundjavë kanë zbarkuar në zonat e tyre elektorale ose aty ku Rama i ka emëruar drejtues qraqesh.
Ndërkohë në letrën e Nikollës thuhet se për shkak të kërkesës së disa deputetëve të cilët janë të angazhuar në fushatë me zgjedhësit, seanca e sotme do të shtyhet.
“Nisur nga kërkesa e disa deputetëve se për shkak të angazimeve të tyre në veprimtari me zgjedhësit e kishin të pamundur pjesëmarrjen në seancën e ditës së hënë, kam ngarkuar shërbimin e seancës të njoftojë deputetët për moszhvillimin e seancës”, thuhet në njoftimin e Kryeparlamentares.
Më tej ajo shton se Kuvendi ka pasur edhe raste të tjera kur kryetari i Kuvendit ka vendosur të mos zhvillohet seanca plenare në datën e planifikuar për shkak të kërkesave të ardhura nga deputetët.