Dyert e SPAK-ut u hapën sot për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, i cili prej 2019 është deputet i Partisë Socialiste.
Kollcaku hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pak pas orës 11:00 të paradites dhe po merret në pyetje lidhur me çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë, pasi ai është kallëzuar nga ish-gjenerali Artur Meçollari në vitin 2021 për “shpërdorim detyre”.
Meçollari, i cili gjithashtu hyri më herët në ambientet e SPAK gjatë kësaj të enjte, akuzon Kollçakun për tjetërsimin e pronave ushtarake dhe shkelje të rënda në kohën kur ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Kallëzimi në fjalë ka të bëjë me dhënien me qira të bazës detare të Limionit në Sarandë, ku përveç Kollcakut, ish-komandanti i Forcës Detare akuzon edhe ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Kollçaku po merret në pyetje dhe po jep sqarime lidhur me këtë kallëzim, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, ndërsa Meçollari pretendon se pronat e bazave ushtarake në Shëngjin dhe Sarandë janë dhënë me qira te biznesmenë, me qëllim përfitimi.
Ndërkohë, sipas MCN ishte njoftuar me një fletë-thirrje për t’u paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Organi i akuzës ka mbledhur të gjitha provat shkresore për këto prona dhe tashmë pritet dëshmia e personave përgjegjës që kanë firmosur për to, ku përfshihet edhe Xhaçka.
Por, deputetja socialiste që mban aktualisht postin e Ministres së Jashtme nuk është paraqitur në SPAK, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë. Mësohet se Xhaçka por merr pjesë në Forumin e Ballkanit, që zhvillohet në Budapest.
Sakaq sa i përket kallëzimit mbi bazën detare të ushtrisë në gjirin e Limonit, kjo pronë është tashmë në duart e biznesmenëve Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku.
Dy biznesmenët në fjalë, të rreshtuar në krah të kryeministrit Rama pritet të investojnë në këtë bazë për projektin “Marina Town Saranda”, që është një kompleks hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të shtrihen përgjatë bregut të Jonit.
Sakaq, ish zv/komandanti i bazës detare Artur Meçollari, akuzon ish-ministren Xhaçka dhe ish-shefin e Shtabit Bardhyl Kollçaku se nuk kanë marrë miratimin e Forcës Detare për dhënien me qira të kësaj baze detare te “investitorët strategjikë” të qeverisë Rama.
Sipas akuzave të Mecollarit: “Në datën 1 korrik 2020, me propozim te Ministrit të Mbrojtjes Znj. Olta Xhaçka në kundërshtim me proçedurat e parashikuara në ligj dhe propozimin e Forcës Detare, Këshilli i Ministrave miratoi VKM nr. 514. Kjo VKM i jepte me qera kompanisë Marina Bay Saranda rreth 265.000 m², një euro për 20 vjet, duke përfshirë edhe rreth 40.000 m² të Bazës Detare të Sarandës.
Në datën 15 korrrik 2020 Ministria e Financës dhe Ekonomisë lidhi kontratën me kompaninë Marina Bay Saranda, kontrat e cila parashikonte dorëzimin e truallit nga Forca Detare, duke përfshirë edhe sipërfaqen e Bazës Detare, deri më 16 gusht 2020“.
LEXO EDHE: