6 shqiptarë kanë vdekur tragjikisht në Greqi pasi një tren mallrash u përplas “kokë më kokë” me trenin e linjës Athinë-Selanik, me të cilën thuhet se udhëtonin 350 pasagjerë. Tragjedia ndodhi në Tempe, në afërsi të Larisës, ku pas përplasjes së dy trenave humbën jetën gjithësej 57 persona, kryesisht të rinj.
Ministrja Olta Xhaçka ka konfirmuar se në tragjedinë e Greqisë, kanë humbur jetën 3 vajza dhe 3 djem shqiptarë
Në një reagim në Facebook, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar emrat e viktimave, ndërsa shpreh ngushëllimet familjarëve të tyre.
Bëhet fjalë për Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi, Pavlin Bozo.
Me vendim qeverie flamuri shqiptar është ulur sot në gjysmë shtizë pasi 5 marsi është shpallur ditë “zie kombëtare” në nderim të viktimave që humbën jetën në përplasjen e trenave në Greqi.
Postimi i Xhaçkës:
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi.
Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e vecantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident:
Klaudia Lato,
Ifigjenia Micka,
Erieta Molko,
Ioanis Xhiollas,
Denis Ruçi,
Pavlin Bozo.
- Gjendet “kutia e zezë”, pritet të zbardhet e vërteta e tragjedisë
Hetimet e autoriteteve greke për shkaqet e aksidentit fatal në Tempi, janë në progres të plotë dhe mbrëmjen e djeshme një element i ri ka dalë në dritë dhe pritet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në zbulimin e shkaqeve të vërteta të tragjedisë.
Sipas ANT1 në vendngjarje është gjetur regjistruesi në vagonin e pare (në motorin e trenit) e ashtëquajtura “kutia e zezë”, e njërit prej dy trenave që u përplasën.
Regjistruesi i “Intercity 62” po analizohet nga ekspertë të posaçëm duke u përpjekur të shtonin pjesë thelbësore në enigmën e tragjedisë. Ajo që ata kanë në duar do të tregojë kur shoferët u përpoqën të ngadalësonin shpejtësinë dhe kur ndryshuan kurs, por nuk ka asnjë regjistrim të bisedave siç ndodh në “kutitë e zeza” të avionëve.
Por kjo ka pak rëndësi, pasi dokumentet audio janë gjetur nga zyra e stacionit të Larisës dhe tashmë po kalohen në “skaner” nga hetuesit e ngjarjes më të rëndë në sistemin hekurudhor grek.
- Zemërim dhe protesta në Greqi
Kjo fatkeqësi në Greqi ka nxitur zemërim dhe protesta në mbarë vendin, por po ashtu ka nxitur debatin lidhur me standardet e sigurisë në transportin hekurudhor.
Drejtori i stacionit të trenave në qytetin Larisa është arrestuar lidhur me këtë aksident. Për përplasjen e trenave, Qeveria ia ka lënë fajit gabimit njerëzor, që sipas punëtorëve të hekurudhave ishte i pashmangshëm për shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë dhe numrit të vogël të punëtorëve.