Ministrja e Jashtme bëri me dije këtë të Premte se “pas komunikimit me autoritetet greke, në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato”.
Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke, thuhet më tej në njoftim. Ai është Denis Ruçi, 22 vjeç.
Më herët gjatë ditës, Komuniteti Shqiptar në Greqi konfrimoi vdekjen e studentes shqiptare Klaudia Lata në aksidentin e trenave në Larisa. Përmes një njoftimi në FB, Komuniteti Shqiptar ka bërë dhe një rrezyme të jetës së 21-vjeçares e cila ishte një studente e shkëlqyer në Degën e Mjekësisë Ushtarake.
Lata raportohet po kthehej në Selanik me tren për të vijuar studimet, pas një qëndrimi 3 ditor në Patra, ku festoi karanavalet.
“Larisa vajton për Klaudian 21-vjeçare. Klaudia Lata është ndër viktimat e tragjedisë në Tempi. Një vajzë e re, vetëm 21 vjeçe, me gjithë jetën përpara, Klaudia Lata është ndër viktimat e aksidentit hekurudhor të së martës mbrëma në Tempi. Klaudia ka lindur në Larisa dhe ka marrë nënshtetësinë greke, ndërsa prindërit e saj janë pronarë të një dyqani mishi në qytet. Nxënëse e shkëlqyer në shkollë, hyri në Degën e Mjekësisë të Shkollës Ushtarake të Trupave të Oficerëve. Studentja e re po kthehej në Selanik pas një qëndrimi treditor në Patra ku kishte shkuar për të festuar karnavalet dhe mezi priste të kthehej në shkollë”, shkruan Komuniteti shqiptr në Greqi përmes një postimi në FB.
“Prindërit i kërkuan që të ndalonte në Larisa që t’i takonte por ajo refuzoi pasi donte të lexonte. ‘Bë një ndalesë që të mund të të shohim’, i thanë prindërit por ajo nuk pranoi me qëllim që të shkonte më shpejt në Selanik dhe të fitonte disa orë pushim për të rifilluar leximin për shkollën e saj. Megjithatë, fati kishte rezervuar gjërat më të pakëndshme për të dhe dhjetëra të tjerë, kryesisht të rinj. Klaudia kishte dy vëllezër e motra, motrën e saj Xheni dhe vëllain Elvis”, thuhet më tej në postim.
Më herët, mediat greke raportuan se 23-vjeçarja me origjinë shqiptare Ifigjenia Micka e cila u konfirmua nga autoritetet se kishte vdekur pas përplasjes së trenave përmes analizës së ADN-së, sot u përcoll në banesën e fundit.
Duke folur për SKAI-n, avokati i familjes Stelios Sourlas tha se sot është një moment shumë i vështirë për familjen e 23-vjeçares, është varrimi i saj në Giannica.
“Kemi besim te drejtësia greke, jemi të sigurt që përgjegjësitë do të ndahen aty ku i takojnë. Familjet e viktimave presin një falje të sinqertë të cilën nuk e kanë dëgjuar”, shtoi ai.
Stelios Sourlas ka postuar në rrjetet sociale një foto të realizuar nga brenda vagonit të trenit Intercity 62, ku ajo ishte ulur në vagonin B3, sedilja 67.
23-vjeçarja Ifigenia ishte me të fejuarin e saj në tren. Sipas avokatit të familjes Mitska, i fejuari i Ifigjenisë fillimisht e ndihmoi atë duke e zhvendosur në një pjesë tjetër të vagonit së bashku me një fëmijë tjetër. Ajo që kujton edhe i fejuari i 23-vjeçares është se kur e kanë marrë shpëtimtarët ka arritur t’u thotë “merrni edhe të dashurën time”, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë.
Pavlin Bozo, 60-vjeçari me origjinë nga Lushnja është viktima tjetër. Ai punonte në barin e një prej vagonave në trenin e pasagjerëve që u përfshi në aksident. Edhe natën që ndodhi ngjarja e rëndë, ai raportohet se ka qenë në krye të detyrës duke iu shërbyer pasagjerëve.
Denis Ruçi, 22 vjeç, po ashtu dyshohet se ka humbur jetën, ndërsa pritet përgjigjja e testit të ADN për të konfirmuar zyrtarisht lajmin e hidhur.
E ëma e tij Mirela Ruçi, tha për mediat greke se i biri kishte rezervuar një biletë në vagonin e 5-të, në ulësen 22.
Ajo rrëfeu se për herë të fundit kishte folur me të në orën 22:50, përmes telefonit, natën e aksidentit. Me një zë që i dridhej, ajo tregoi: “Më tha mami, jam ulur. Do të vonohemi. Nuk më tha se ku është ulur dhe nëse ka shkuar në mensë. Më pas ai ka folur me një shoqe në messenger në orën 23:08″.
Disa shqiptarë të tjerë janë plagosur në këtë ngjarje, një prej të cilëve, sipas raportimeve të fundit mediatike, ndodhet në gjendje të rëndë.
Greqia drejt përfundimit të operacioneve të shpëtimit
Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar operacionet pas aksidentit më të rëndë me trena në Greqi, por operacionet e shpëtimit pritet të përmbyllen më vonë gjatë 4 marsit.
Të paktën 57 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave të martën. Në njërin prej trenave ishin mbi 350 pasagjerë.
Kjo fatkeqësi në Greqi ka nxitur zemërim dhe protesta në mbarë vendin, por po ashtu ka nxitur debatin lidhur me standardet e sigurisë në transportin hekurudhor.
Drejtori i stacionit të trenave në qytetin Larisa është arrestuar lidhur me këtë aksident. Për përplasjen e trenave, Qeveria ia ka lënë fajit gabimit njerëzor, që sipas punëtorëve të hekurudhave ishte i pashmangshëm për shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë dhe numrit të vogël të punëtorëve.
Treni i pasagjerëve që u përplas me një tren tjetër, po udhëtonte nga Athnia për në Selanik dhe në bordin e tij kishte studentë që po ktheheshin në shtëpi.
Familjarët e viktimave janë zotuar se do të kërkojnë drejtësi.