Treshja gjykuese e Apelit e kryesuar nga gjyqtarja Elona Mihali ka vendosur ndërprerjen për 20 minuta të seancës për vulën e Partisë Demokratike.
Më herët gjatë ditës, në seancë, palët parashtruan argumentet e tyre.
Partia Demokratike përfaqësohej nga Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia. Kaso kërkoi që gjykata të pushojë gjykimin, duke argumentuar se pala tjetër s’ka legjitimitet në kërkesën e saj.
“Në kundërshtim me ligjin, Enkeleid Alibeaj ka bërë ankim gjykatën dhe po në shkelje të ligjit, gjyqtarja Blerina Muça e ka pranuar këtë ankim. Deputeti Enkeleid Alibeaj nuk legjitimohet si ankimues dhe ne kërkojmë që kjo të jetë gjeja e parë që të merret në shqyrtim nga Gjykata e Apelit. Ankimi duhet të mos ishte pranuar sepse nuk përmbush shkaqet. Personi nuk ishte palë në proces. Ligji parashikon qartë se çfarë është ankimi dhe gjithashtu parashikon edhe kriteret minimale që duhet të plotësohen. Ankimi është akti në të cilën palët ose palët e tjera në proces ankimojnë një vendim. Pra që të ankimosh një vendim, duhet të jesh palë ose pjesëmarrës në proces. Në vendimin objekt ankimi duket qartë që palë në këtë proces ishte vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, palë që pasi është njohur me arsyetimin e vendimit, nëpërmjet përfaqësuesit, Ivi Kasos, përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit, i ka komunikuar Shkallës së Parë që ka hequr dorë nga ankimi. Pra pala në proces ka hequr dorë nga kjo e drejt pasi kërkesa ishte pranuar e plotë dhe nuk kishte asnjë arsye për ankim”, tha Kaso mes të tjerash.
Grupi Alibeaj përfaqësohej ligjërisht në seancë me avokatët Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa. Ky i fundit tha se kërkesa për regjistrimin e Kuvendit të 11 Dhjetorit 2021, i zhvilluar në “Air Albania”, nuk duhej pranuar nga gjykata e Tiranës.
“Ne mendojmë që në momentin e parë që pala kërkuese për regjistrimin e ndryshimeve të kuvendit të rithemelimit në 11 dhjetor nuk duhej pranuar si kërkues, pasi Komisioni i Rithemelimit nuk është autoritet juridik dhe nuk mund të jap autorizim apo bëj kërkesa në Gjykatë”, tha Sefa.
Ai kërkoi prishjen e vendimit të datës 25 mars dhe pushimin ose rikthimin për gjykim të çështjes, duke theksuar se Gjykata e Tiranës ka gabuar.
Me rifillimin e seancës, pritet që palët të vijojnë me argumentat.
Përfaqësues të ambasadës amerikane janë prezentë në gjykatë.
Seanca gjyqësore ka nisur rreth orës 11:00.
Vendimet e shkallës së parë
Çështja shkoi në Apel pasi gjyqtarja e Tiranës Blerina Muça, në 22 Prill 2022, pranoi ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj lidhur me çështjen e njohjes së Kuvendit të PD-së zhvilluar më 11 Dhjetor dhe vendimet e marra aty.
Më 25 mars të vitit të kaluar, gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri njohu Kuvendin e zhvilluar në “Air Albania” që vendosi shkarkimin e Bashës si kryetar i PD dhe marrjen e drejtimit të partisë nga “Komisioni i Rithemelimit”. Vendimi u ankimua nga Alibeaj, i cili e konsideroi të jashtëligjshëm vendimin e gjyqtarit Zhukri.
Pala tjetër ndërkohë, ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e gjyqtares Blerina Muça. Kryetari i PD-së Sali Berisha është shprehur në mënyrë të përsëritur gjatë deklaratave publike se ankimi nuk duhet të pranohej, pasi pala që e ka bërë, nuk ka qenë palë në proces. Ai po ashtu ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim, për ndërhyrje në këtë proces në dëm të Partisë Demokratike.














