Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, ka shpallur ditën e sotme vendimin për pranimin e kërkesës së prokurorit të Tiranës Besnik Cengu, që ndërprerja e vetingut të deklarohej pa një vendim përfundimtar, duke mos i caktuar kështu ndalimin për rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin.
Gjatë seancës dagjimore më 2 mars, Cengu kundërshtoi konkluzionet paraprake për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj tij dhe vendosjen e sanksionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë, për shkak se kërkesa e tij për pension të parakohshëm u konsiderua si dorëheqje nga detyra dhe statusi i magjistratit.
Besnik Cengu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Ai punoi prej vitit 2005 si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.














