Nga Rowan Scarborough, WASHINGTON TIMES
Rusi Oleg Deripaska mendonte aq shumë për rëndësinë strategjike të Amerikës për Vladimir Putin sa që shpenzoi qindra mijëra dollarë që e dashura ta lindte fëmijën e tij në Shtetet e Bashkuara, për të marrë menjëherë nënshtetësinë amerikane.
Një person i pasuruar me shpejtësi, manjati 55-vjeçar i aluminit u përpoq të shfrytëzonte marrjen e shtetësisë përmes të drejtës së lindjes edhe dy vjet më pas. Ai nisi nënën e fëmijës, Ekaterina Voronina, 33 vjeç, për në Los Angeles, ku e priste një shtëpi moderne në Beverly Hills dhe kujdes paralindjeje i dorës së parë. Por deri atëherë, më 2022, loja ishte zbuluar. FBI e kishte gjurmuar Deripaskën në një numër aferash të dyshimta. Departamenti i Sigurisë së Brendshme e ktheu mbrapsht Voroninën sapo zbriti. Investimi 400 mijë dollarë për një fëmijë të dytë amerikan shkoi dëm.
Marrja fund si emisar i fshehtë i Putinit në Amerikë nisi më n 2018, kur administrata Trump i bllokoi biznesin me Amerikën, duke e përfshirë në sanksione ekonomike.
Demokratët përsërisin shpesh se Trump ishte i butë me Putinin, kur e kundërta është e vërtetë. Është presidenti Biden ai që u gjunjëzua para tiranit rus dhe Putin e pa këtë si dobësi, duke sulmuar Ukrainën ashtu siç pushtoi Krimenë gjatë epokës së Obamës.
Trump po dëbonte dhe sanksiononte rusët, po u jepte fund traktateve me Putinin mashtrues dhe po armatoste Ukrainën.
Në prill 2018, administrata Trump caktoi 17 zyrtarë të lartë rusë dhe shtatë oligarkë rusë për izolim ekonomik, përfshirë Deripaskën. Ai e përshkruante atë si dora globale kriminale e Putinit.
“Deripaska është hetuar për pastrim parash dhe është akuzuar për kërcënimin e jetës së rivalëve në biznes, përgjimin e paligjshëm të një zyrtari qeveritar dhe pjesëmarrje në zhvatje dhe shantazh”, bëri të ditur Departamenti i Thesarit.
Deripaska ishte i lidhur me lojtarë të rëndësishëm në sagën Trump-Rusi. Një amerikan kyç i punësuar për një kohë të gjatë ishte Paul Manafort, i cili jepte këshilla politike ndërsa oligarku përpiqej të ndikonte në zgjedhjet në Ukrainë dhe në vende të tjera. Manafort ishte menaxher i fushatës së Trumpit më 2016. Ishte një zgjedhje e dobët, duke pasur parasysh hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe tarifat miliona dollarë të Manafort për këshillimin e interesave politike ruse në Ukrainë.
Partneri politik i Manafortit në Ukrainë për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtori i Deripaskës, Konstantin Kilimnik, të cilët Demokratët e paraqisnin si oficer të inteligjencës ruse ndërsa FBI gjykoi se kishte lidhje me spiunët e Kremlinit.
Tentakulat e Deripaskës mbërritën edhe te krijuesi i dosjes Trump, Christopher Steele, një grumbullues informacionesh i paguar nga Partia Demokratike që shkroi gjëra të këqija për Trumpin, të cilat rezultuan të pavërteta.
Steele punonte për Deripaskën përmes avokatit të oligarkut në Londër për të hetuar ish-partnerin në biznes Manafort gjatë procesit civil për investimet e humbura ruse. Një raport i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë thoshte se Steele punoi në prapaskenë për heqjen e sanksioneve mbi një kompani të Deripaskës. Inspektori i Përgjithshëm thoshte se FBI nuk dinte asgjë nga këto pasi ajo Steele për informacion në kohën para dosjes e më pas pranoi dhe e njohu si të vërtetë dosjen e tij anti-Trump.
Një raport i mëvonshëm i Komitetit të Inteligjencës në Senatin amerikan në gusht 2020 thoshte se
Deripaska punonte me inteligjencën e Kremlinit dhe këshilltarë të tillë si Manafort. Miliarderi mbështetej në investimet në biznes në përpjekjet për të kthyer udhëheqjen e Amerikës drejt axhendës pro-Putin.
“Komiteti zbuloi se, të paktën në kohën që pajtoi Paul Manafort më 2004, Oleg Deripaska ka vepruar si ndërmjetës për shtetin rus dhe shërbimet inteligjente ruse”, thoshte raporti në Senat.
Në fund, Manafort u dënua për evazion taksash dhe pastrim parash pas hetimit mbi Rusinë nga Robert Mueller, i cili zbuloi se ai nuk kishte ndihmuar hakimin nga Kremlini të kompjuterit të zgjedhjeve apo operacionet në median sociale.
Plani i Deripaskës për të krijuar fëmijët e tij amerikanë (kush e di sa) e çoi në një padi penale në shtator, së bashku me të dashurën dhe dy nga personat që e ndihmuan. Të gjitha paratë që shpenzoi për udhëtime dhe akomodime ishin sanksione të paligjshme. Aktakuza përmendi edhe marrëveshjet e biznesit të jashtëligjshëm.
Por shfaqja e Deripaskës u bë edhe më e egër. Në janar, Departamenti i Drejtësisë paditi një ish-agjent të FBI-së, i cili mbante postin më të lartë të kundërzbulimit në zyrën kryesore të FBI-së në Manhattan.
Ndërsa ishte ende agjent në detyrë, Charles McGonigal në vitin 2018 kontaktoi me agjentë të Deripaskës, përfshirë një ish-diplomat rus të paidentifikuar, të lidhur me inteligjencën e Kremlinit, thuhet në aktakuzë. McGonigal pranoi të përdorte ndikimin e tij për t’i siguruar vajzës së punonjësit të Deripaskës një stazh në kundërzbulim në Departamentin e Policisë së New Yorkut. Vajza tha se McGonigal i kishte dhënë akses në dosjet konfidenciale të FBI-së.
Pas daljes në pension, McGonigal e ngriti stekën, thuhet në aktakuzë. Ai u bë përfaqësues i Deripaskës, i paguar për të hetuar një oligark rival dhe për të ndihmuar në nxjerrjen nga sanksionet.
Operacioni i Deripaskës në SHBA sot është shembur. Ai nuk mund të bëjë më biznes dhe është përmendur në dy aktakuza të famshme federale, në njërën si i pandehur, në tjetrën si pagues i dikujt që di shumë sekrete. Në vitin 2021, FBI bastisi dy shtëpi të lidhura me të në Washington dhe New York.
Deripaska kishte një listë pagesash mbresëlënëse: operativë të ndryshëm të inteligjencës ruse, Manafort; Steele; Charles McGonigal dhe Kilimnik, për të cilin FBI publikoi një urdhër arresti.
Raporti i inteligjencës së Senatit të gushtit 2020, Vëllimi 5 në seri, shkon përtej zgjedhjeve të 2016 për të folur për ndërhyrjen ruse në vende të tjera. Ai titullohet “Kërcënimet dhe dobësitë e kundërzbulimit”.
Aty nuk flitet për Hunter Biden. Ai zuri një vend fitimprurës në bord në maj 2014 në Burisma Holdings, një konglomerat i naftës dhe gazit në Ukrainë, ashtu si i ati Joe Biden, në atë kohë zëvendëspresident, që u bë pika e kontaktit në Shtëpinë e Bardhë për Kievin.
Burisma është në pronësi të Mykola Zlochevsky, një anëtar oligark i Partisë së Rajoneve, në raporte miqësore me Kremlinin, e njëjta parti që punësoi Manafortin, të cilin raporti i Senatit e përmend shpesh.
Raporti nuk përmend as transferimin e 3.5 milionë dollarëve nga një oligarke ruse e favorizuar nga Putini, Elena Baturina, në firma e investimeve e Hunter Bidenit, më 14 shkurt 2014. Baturina, me rezidencë në Londër, miliarderja e vetme femër në Rusi, është e angazhuar në bizneset e plastikës dhe ndërtimit.
Kur Baturina dërgoi paratë, Putin i kishte bërë me kohë planet për të aneksuar Krimenë, gjë që ndodhi një javë më vonë, më 20 shkurt 2014.
Republikanët e Senatit e kishin këtë informacion dhe e publikuan atë në një raport të shtatorit 2020. Stafi i Komitetit të Inteligjencës së Senatit mund të kishte marrë për Vëllimin 5 të njëjtat Raporte për Veprimtari të Dyshimta nga Departamenti i Thesarit (SARS) nëse do të dëshironte.
Për Hunter Biden ka më shumë raporte konfidenciale SAR, të cilat janë flamujt e kuq që bankat plotësojnë kur mendojnë se dikush po pastron pará. Departamenti i Thesarit i Presidentit Biden ka refuzuar t’ua dorëzojë ato Republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve.