Pas dëshmisë së një gruaje e cila tha se e kishte parë në Suedi shqiptaren Artemis Vasili e cila është zhdukur pas dy vitesh, babai i kësaj të fundit ka bërë një thirrje që vajza e tyre t’i kontaktojë nëse është gjallë dhe nëse e ka të mundur një gjë të tillë.
Mediat greke shkruajnë gjithashtu se babai i 22 vjeçares të zhdukur, beson se dikush në zonën e tyre ku jetonin në Koropi të Greqisë, ka dijeni për rastin dhe akuzoi autoritetet se po zvarrisin hetimet.
“Dikush e di për vajzën time në Koropi dhe po e fsheh Dua të bëj një thirrje për vajzën time. Nëse na dëgjon, nëse lejohet. Të na thërrasë dhe të na tregojë se se është gjallë, nëse lejohet ”, tha babai i saj me lot në sy.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, një shqiptare telefonoi për emisionin grek ‘Star’ dhe deklaroi se e kishte partë Artemisën së bashku me disa persona të tjerë në Suedi me të cilët fliste shqip dhe anglisht. Ajo zbuloi se në momentin që e thirri në emër, personat që ishin me të e morën të renë dhe u larguan.
Sipas dëshmitares, Artemis po mbahej kundër dëshirës së saj nga një grup personash në Suedi. Ajo shtoi se me të ishte një djalë dhe një vajzë që i flisnin në shqip dhe greqisht dhe sapo kishte tentuar t’i bënte një foto, e kishin hipur në makinë dhe ishin larguar.
“E pashë Artemisin në një qendër tregtare në Goteborg, jam i sigurt se ishte ajo. E pashë shumë afër, dy hapa më tutje, dëgjova greqisht. Me të ishte një vajzë tjetër dhe një djalë. I tha “hajde Emi…” Unë kthej kokën dhe i them “je greke?”, se u gëzova kur dëgjova greqisht. Ajo ishte e dobësuar, e veshur me një shall leshi me një kapak sipër. Vajza tjetër i foli në shqip. Di shqip edhe greqisht dhe e kuptova. Unë isha pranë Artemisës dhe nuk më përgjigjen fare, vetëm djali i thoshte diçka. Kur e pyeta nëse ishte Artemis, vajza tjetër që ishte me të e tërhoqi dhe i tha në shqip të largohej. Unë shkova në makinë për të marrë celularin për t’i bërë një foto menjëherë, por edhe ata hipën në makinën e tyre dhe u larguan. Kam arritur të ruaj vetëm tre shifrat e fundit të numrit suedez”, tha dëshmitarja.
Më 19 tetor 2020, Artemis Vasili u largua nga shtëpia për një intervistë pune, por gjurmët e saj janë zhdukur që prej asaj kohe. Pavarësisht deklaratave të mëhershme për të, duket se këtë herë, angazhimi për dëshminë e dhënë është shumë serioz pasi janë njoftuar shërbimet konsullore dhe ato të Interpolit.