Deputeti demokrat Edmond Spaho thotë se qëndrimi i opozitës brenda dhe jashtë parlamentit është rrjedhojë e një shkaku shumë të madh, përpos keqqeverisjes, korrupsionit të madh, emigrimit të qytetarëve shqiptarë, skandaleve që ndodhin brenda vendit.
Ai shprehet sese para një muaji shpërtheu “skandali McGonigal” të cilin e quajti të përmasave ndërkombëtare dhe me efekte mjaft të rënda edhe për Shqipërinë dhe për SHBA.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se Kryeministri ynë është në faqet e para të gazetave më të rëndësishme të botës, për faktin se ka blerë drejtuesin e kundërzbulimit të FBI për të shkatërruar opozitën në Shqipëri.
Ndërkohë, shtoi se opozita po interesohet për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë, e cila është vendosur në pozicion shumë të vështirë me veprimin e Kryeministrit.
Spaho deklaroi se kanë kërkuar interpelancë dhe mocion me debat pa kufizim në kohë për çështjen “McGonigal”.
“Si për njërën dhe për tjetrën, Kryeministri nuk pranon të përgjigjet. Duhet të përgjigjet jo më vonë se tre javë. Por nuk guxon që të vijë në Parlament, nuk jep shpjegime dhe nja dy dalje në media i ka bërë gjoja për të dhënë shpjegime, por nuk i ka dhënë. Duke thënë se kështu është narrativa se pse i përmendet emri 14 herë. E di se po të shprehet më shumë mund ti përdoren në dy gjyqet që janë hapur në Amerikë ndaj “McGonigal”.
Pa seancën e pyetjeve, mocionin me debat dhe ngritjen e komisionit hetimor, nuk ka për të pasur qetësi në parlament. Do i përshkallëzojmë mjetet e kundërshtisë dhe rezistencës sa të mos zhvillohet asnjë seancë.
“Se ky parlament nuk është normal. Ne në shtypin ndërkombëtar cilësohemi si narkoshtet për shkak të Kryeministrit Edi Rama, i cili konsolidon pushtetin e tij duke blerë zyrtarë të huaj dhe duke sulmuar opozitën. Ndaj kemi nisur protesta jashtë parlamentit por edhe rezistencë brenda parlamentit. Si mund të rrish 6 orë duke i rënë bilbilit… mua nuk më duket qesharake se luftoj për ruajtjen e demokracisë dhe pluralizmit dhe sa kohë që jam në politikë do luftojë për ruajtjen e demokracisë. Rezistencën do e bëjmë të gjithë ne kolegët. Sa do të vazhdojnë me përjashtime nuk do arrijnë dot që ta përjashtojnë të gjithë grupin parlamentar. Ne kërkojmë që Kryeministri të vijë dhe të japë llogari. Nëse do vazhdojnë si dje që mblodhën Byronë dhe pa kuorum përjashtuan 4 deputetë të PD, sigurisht që dhe ne do shohim format e reagimit, se dy duar për një kokë janë. Kushdo mund të kuptojë këtu se Berisha është shpallur non grata për arsye politike dhe për ti dhënë mbështetje Edi Ramës”.
I pyetur nëse do vijojnë të protestojnë para parlamentit, tashmë që Kryeministri do të jetë më 2 mars në një mocion me debat, Spaho shtoi se do vazhdojnë të protestojmë deri sa të përmbushen të gjitha kushtet dhe se vetëm njëri kusht është krijimi i komisionit hetimor për çështjen “McGonigal”.
“Refuzon me pretekste qesharake se do rishohim ligjin për komisionin hetimor. Mund të debatohet rreth objektit të punës së komisionit, por krijimi i tij është i detyrueshëm. Protestat do të jenë të kombinuara. 3 marsi do të jetë protestë kombëtare, do jenë protesta para parlamentit por edhe ne si deputet zhvillojmë në parlament, që Rama e ka kthyer në farsë. Nuk është normale për median që ta ftojë Kryeministrin dhe t’i japë një dorë në përpjekjen që bën për tu fshehur në aferë. Tolerohet në pyetje nuk i kërkohet llogari, lejohet Kryeministri të kalojë në sulme ndaj opozitës, në vend që të japë shpjegime për çfarë akuzohet. Nuk ka dhënë asnjë shpjegim të nevojshëm sa herë ka dalë në media”.
Për datën 3 mars, kur do të mbahet gjyqi në Apel për Partinë Demokratike dhe çfarë ndodh nëse nuk merret konfirmimi i vulës, Spaho sqaroi se protesta e asaj dite nuk ka lidhje me gjykimin.
“Nuk ka mundësi, s’ka gjyqtar me një fije moral, dhe minimumin e profesionalizmit që të heqë vulën nga PD dhe Sali Berisha. Alibeaj nuk është palë nuk ka të drejtë të ankimohet, është bërë me ndërhyrje politike edhe nga ndërkombëtarët dhe nga Edi Rama dhe ne betejën e kemi me Edi Ramën”.
Ndërsa për koalicionin që kanë zyrtarizuar ditën e sotme Dashamir Shehi dhe Astrit Patozi, Spaho shtoi se janë ftuar të gjitha partitë të krijojmë një koalicion të përbashkët në mënyrë që vota të mos shpërndahet mes kandidatëve dhe se vetëm duke qenë të bashkuar mund të rrëzojnë Edi Ramën dhe të fitojnë më shumë bashki se e majta.
“Nuk e kanë mbyllur derën e bashkëpunimit, duke kushtëzuar gjetjen e një zgjidhje mes dy grupeve të PD. 2-3 individë kanë të tjera plane dhe vazhdojnë të mbajnë të ngrirë grupin e PD, se në bazë situata është shumë më e qetë dhe influenca e tyre është shumë më e reduktuar”.