Nga Lutfi Dervishi
A po planifikoni pushime të paharruara? A doni të përjetoni emocione që nuk i përjetojnë as ata që vizitojnë hapësirën?
A jeni i/emërzitur nga turizmi i detit, malit? A ju ka ardhur në grykë turizmi arkeologjik, a ju rrënqeth turizmi dentar?
Është koha për të vizituar Shqipërinë! Vend i njohur botërisht për një turizëm unik- turizmin e skandaleve
Në Shqipëri mund të keni ardhur për plazhet e virgjëra, për malet madhështore, për qytetet historike si Gjirokastra, Berati, Kruja, Shkodra, pert ushqimin e shijshëm dhe mikpritjen proverbiale, por atraksionet e vërteta turistike ato që janë përvoja unike nuk janë as monumenti i Skënderbeut, as parku i Butrintit, as rrënojat antike greke e romake dhe as tava Elbasanit. Atrakstionet e vërteta turistike i keni parasysh, por nuk keni ditur t’i shijoni. Gjërat më të mëdha ne i fshehim në vendet më të dukshme.
Ejani dhe vizitoni Shqipërinë në çdo stinë të vitit, në çdo muaj të vitit, në çdo javë të muajit dhe në çdo ditë të javës. Është e sigurtë që do të përjetoni një përvojë unike, që nuk do ta përjetoni në asnjë cep të globit.
Imagjinoni pak veten duke ecur në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë dhe turi juaj të nisë me vizitën e një apartamenti modest, mu si ato mijëra aparatamente që janë ndërtuar pas viteve 90. Në dukje do t’iu duket një shtëpi mëse e rëndomtë, por me ndihmën e një ciceroni lokal ju mund të njiheni me historinë e kësaj vatre të thjeshtë dhe të vobektë, streha e një pastruese që ruante plot 500 mijë euro kesh dhe bizhuteri me vlerë të pallogaritshme. Ciceroni mund t’iu tregoj një histori sa mahnitëse dhe madhështore po aq edhe të vërtetë. Pasi të dëgjoni këtë histori për një vit nuk do t’iu shkojë mendja për të hapur NETFLIX-in. Ja ku i kursyet 144 euro! Shqiptarët e dijnë këtë histori edhe autoritetet e dijnë, edhe drejtësia e di, por ju do të mbeteni pa fjalë. Emocion i garantuar.
Po në kryeqytet do të njiheni me disa kulla. Kullat mund t’iu jenë mërzitur se helbete mund të keni parë rrokaqiejt e Dubait, Tokios, apo Nju Jorkut, por me ndihmën e një udhërrëfyesi lokal ju do të dëgjoni një histori të padëgjuar në shekullin e 21, në asnjë prej 212 vendeve dhe territoreve të planetit. Mbi kullat në Tiranë janë ndërtuar pallate pa leje. Ju do të jeni kurioz dhe do të pyesni se kush ka dhënë dorëheqje, kush ështe hetuar dhe kush është denuar? Asnjë! Ndryshe e gjithë gjëja nuk do te ishte më skandal! Për të mos ju prishur elementin surprizë ejani dhe bëhuni dëshmitar i ngjarjeve historike. Jetoni ngarjet e pamendueshme dhe përjetoni emocione të papërshkrueshme. Pasi të mësoni rreth këtij skandali për gjashtë muaj ju nuk do të kërkoni më në google për skandale. Madje do të ndërprisni edhe abonimin e internetit. Ja ku i kursuet 180 euro. Pra u bënë 324 euro kursim.
Në Tiranë mund të ndaloni te godina e AKSH-it. Është godina ku janë kopjet e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, të bizneseve shqiptare dhe të huaja, dhe të institucioneve të Shqipërisë. Ju do të pyesini pse kopjet? Përgjigja është se origjianalet i kanë hakerat iranianë, por historia që do të mësoni është mbresëlënëse. Vetëm ju lutem mos pyesni guidën kush ka dhënë dorëheqje për këtë skandal? Ka rrezik që njeriu që ju shoqëron të qeshë aq shumë sa mund t’i bjerë të fikët, ose ju gabimisht mund të mendoni se shoqëruesi befas është çmendur. Ju lutem mos e bëni këtë pyetje. Kur të mësoni se çfarë kanë marrë iranianët ju nuk do të lexoni më libra fantastiko -shkencor. Kur shoqëruesi t’iu thotë se zyrtarët më të lartë të Shqipërisë kanë thënë: “ata kanë marrë çfarë kanë dashur, por nuk ja kanë arritur qëllimit”, ju duhet ta besoni se ky deklarim është i vërtetë.
Pas kesaj historie ju për 10 vite nuk do t’iu shkojë ndërmend të vizitoni rrokaqiej! Ja ku i kursyet 800 euro! Shifra e kursimit arriti 1124 euro!
Mos humbisni rastin të vizitoni godinën e Ministrisë së Brendshme. Një zyrtar i institucionit, për një pagesë modeste, mund t’iu flasë për operacionin “BBK- big brother krimi”, ju do të mësoni se kamerat me rezolucion 4K të vendosura në qendër të qyteteve kanë vëzhguar qytetarët dhe policinë. Për çështje etike ju lutem mos pyesni: a ka dhënë njeri dorëheqjen apo a ka patur hetim për këtë çështje? Kur të njiheni në detaje me këtë me këtë histori mund të keni nevojë të vizitoni psikiatrin tuaj. Ju lutemi bëjeni këtë sepse është e sigurtë se pasi t’iu dëgjojë, gjëja e parë që do të bëj psikiatri është: prerja e një bilete për të vizituar vendin e shqipeve. Ju me këtë histori shkoni vetëm njëherë në vit te psikiatri dhe jo 12 siç keni bërë deri më sot. Ja ku i kursyet 3300 euro! Pra 4424 euro kursim!
Mos e lini pa vizituar godinën e gjykatës dhe prokurorisë. Aty punonjësi për marrëdhëniet me shtypin mund t’iu bëj një përshkrim të dosjeve komplekse me të cilat merret drejtësia. Aty mund të shihni kopje të emaileve ku ministrit i paguhen pushimet në hotele modeste prej 5 yjesh. Mund të shihni denoncime për djegësa që nuk djegin. Por mos pyesni pse nuk djegin djegësat sepse do të merrni të njëjtën përgjigje që mori Napoleoni për pyetjen: Pse nuk bien këmbanat? Ka shumë arsye madhëri – i thanë dhe njëra prej tyre është se nuk ka këmbanë!
Pas kësaj vizite ju do të kujdeseni që sa të jeni gjallë të mos keni punë me drejtësinë. Kursimi këtu është i pa llogaritshëm.
Gjatë pushimeve tuaj mos harroni të vizitoni edhe disa call-center. Aty do të kuptoni se si dhe ku kanë avulluar miliona euro të qytetarëve të BE-së dhe se si të kujdeseni që të mos avullojnë paratë tuaja!
Nëse vini këtë pranverë ju mund të jeni me shumë fat se janë zgjedhjet. Në vendet tuaja zgjedhjet janë të mërzitshme se aty bëhet fjalë për një treg të ideve, projekteve dhe platformave të ndryshme. Këtu keni mundësinë të jeni dëshmitarë i një tregu tjetër, ai i shit-blerjes së votës. Mund të shihni se si në llogaritë personale të qytetarëve kalojnë miliona lekë si kompensim për tërmetin që ka rënë para 4 viteve, mund të shihni luhatjet e çmimit të votës në zonat rurale, në zonat e forta të rivalëve politikë dhe sigurisht mund të merrni kopje të cd-ve me përgjimet e ministrave, kryetarëve të bashkive dhe zyrtarëve të policisë që kujdesen që zgjedhjet të jenë sa më të lira dhe padyshim sa më të ndershme. Nga kjo përvojë unike ju për 20 vitet e ardhshme do të kujdeseni që të shkoni rregullisht në votime!
Dhe kur të vini në Shqipëri mos mendoni se keni të bëni me një vend sido kudo, një vend ku do të gjeni zyrtarë të korruptuar, një vend ku nuk mbaron punë pa paguar bakshish, apo një vend ku pastrohen paratë dhe votat blihen e shiten si në tregun e gjësë së gjallë. Jo zonja dhe zotërinj. Nuk është Shqipëria e viteve 90, por është Shqipëria e shekullit 21, ku po qe për korrupsion dhe afera merremi me nivele shumë të larta
Në restorantet e Tiranës nuk do të gjeni vetëm ushqim të shijshëm, mikpritje legjendare dhe çmime të favorshme, por aty mund të njiheni edhe me personazhe që kanë korruptuar deri edhe shefin e kundërzbulimit të FBI. Në mungesë të tyre, sigurisht do të mësoni për vendet ku janë ulur, pijet që kanë konsumuar, fotot që kanë bërë dhe faturën që kanë paguar…të tjerët.
Një këshillë mos pyesni se çfarë po bën drejtësia për këtë rast. Jo për gjë, por duhet të respektoni rregullat dhe zakonet e drejtësisë vendore. Kujtoni pak shprehjen. “Kur je në Romë, bëj siç bëjnë romakët”.
Nga kjo vizitë ju fitoni mësimin e madh; kur merresh me korrupsion duhet të synosh majat!
Për një pagesë fare modeste në qendër të qyteteve mund të takoni dhe të pini një kafe me njerëz që janë në kërkim. Investimi do t’iu kthehet sepse është e sigurtë se këta persona nuk do të pranojnë që ju të fusni dorën në xhep për të paguar kafetë ose drekën apo darken. Nëse tentoni të bëni një gjë të tillë është e sigurtë se mund të përfundoni në një konflikt fizik. Ju kurseni shpenzimet ditore, paratë e xhepit 50 euro! 4474 euro të kursyera!
Shqipëria ndryshe nga vendet tuaj është një vend ku skandalet kanë datë skadence. Siç e thotë proverbi i lashtë: çudia më e madhe zgjat tri ditë. Por mos u dekurajoni kurdo që të vini skandali është i siguruar. Madje skandali i radhës është më spektakolar se parardhësi.
Ju lutem kur të largoheni nga vendi blini disa suvenir për të ndihmuar ekonominë lokale. Ju sugjerojmë të blini bluza me foto të kullave të ndërtuara pa leje, kapele me slloganin: SKA NDAL apo foto të institucioneve të përmendura më lart. Blini sepse nga vizita ju keni kursyer të paktën 4474 euro!
Mos harroni vetëm në Shqipëri skandali dhe aventura janë në harmoni perfekte. Dhe një paralajmërim. Turizmi i skandaleve është me të drejtë autori. Turizmi skandaleve është e ardhmja dhe pasuri e Shqipërisë, një pasuri që po rrezikohet nga mafia kolumbiane, mafia ruse, mafia japoneze Yakuza, por e kanë kot. Ne kemi bërë me kohë aplikimet në UNESKO që Shqipëria si vend i skandaleve të shpallet pasuri botërore!