Numri i vdekjeve në Turqi është rritur në 18,342, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në 21,719, një numër që pritet të rritet.
Sipas përditësimeve më të fundit nga Siria, 3,377 kanë vdekur atje, duke e çuar totalin në 21,719.
Përpjekjet vazhdojnë për të pestën ditë në kushte moti te ftohte për të shpëtuar ata që janë ende të bllokuar nën rrënoja.
Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar në temperaturat e ulëta, po zbehen.
Por kur duket se nuk ka më shpresa, herë pas here raportohet për lajme të mira dhe për të mbijetuar. Një vajzë 10 vjeçare është shpëtuar nga rrënojat pas 90 orësh duke kthyer besimin se mrekullitë ekzistojnë. Vogëlushja u gjet nën rrënojat e pallatit 7 katësh në Hatay. Sipas mediave turke, ekipet e shpëtimit kanë gërmuar një galeri për ta shpëtuar. Ajo ishte e bllokuar dhe me aprovimin e të afërmve u vendos që t’i pritej krahu. Ajo është e vetmja e mbijetuar pasi prindërit dhe 3 vëllezërit u gjetën të pajetë nën rrënoja.
Ndërsa ekuipazhet e emergjencës dhe të afërmit me panik gërmuan nëpër rrënoja – dhe herë pas here gjenin njerëz të gjallë – fokusi filloi të zhvendosej në prishjen e strukturave të rrezikshme të paqëndrueshme.
Presidenti i Turqisë Recep Tayyp Erdogan e quajti tërmetin “fatkeqësia e shekullit”.
Një përpjekje e madhe ndërkombëtare ndihmash po rritet. Të enjten, Banka Botërore premtoi 1.78 miliardë dollarë ndihmë për Turqinë, duke përfshirë financimin e menjëhershëm për rindërtimin e infrastrukturës bazë dhe mbështetjen e të prekurve nga tërmetet.
Shefi i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se shtrirja e plotë e katastrofës ishte ende “duke u shpalosur para syve tanë”, veçanërisht në Siri, ku një luftë civile e gjatë ka shkatërruar vendin.
Ndërkohë, fatmirësisht ndihma për të mbijetuarit në Siri merr një formë më të strukturuar. Gati 30,000 njerëz janë evakuuar drejt objekteve akomoduese.
Të enjten, ndihma e parë humanitare e OKB-së kaloi kufirin në Sirinë veri-perëndimore përmes vendkalimit Bab al-Hawa të Idlib. Kalimi është e vetmja mënyrë që ndihma e OKB-së mund të arrijë në rajon pa udhëtuar nëpër zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare siriane.