Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi këtë të Mërkurë se landfilli i mbetjeve në Sharrë është një kthyer në minierë floriri për kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Në një deklaratë nga selia blu, Berisha solli në vëmendje denoncimin me video një ditë më parë të PL-së, që tregoi se në landfillin e Sharrës bëhet vetëm groposje e mbetjeve dhe jo diferencim siç ka pretenduar publikisht kryeministri Edi Rama.
Për Sali Berishën, Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve.
“Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë, dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetëra herë dy vitet e fundit, se Edi Rama është kreu i organizatës kriminale dhe se në rastin konkret, fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Dje u faktua se Edi Rama, për sipërmarrjen e tij, me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim. Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve”, tha Berisha.
Ai solli në vëmendje se si Rama firmosi bonusin për kompaninë përfituese.
“Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi, vetëm se ajo është sipërmarrja e tij. Vetëm e vetëm se ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafien e tyre. Ai firmosi vetëm pasi autoriteti kombëtar i prokurimeve, i dërgoi shkresën sipas të cilës kjo praktikë është antiligjore. Edi Rama, siç e dini ju, ka firmosur për t’i dhënë bonus, kompanisë së tij, 8 përqind, në një kohë kur kjo kompani nuk ekzistonte në asnjë regjistër, në asnjë dokument të këtij shteti dhe ai kishte në zyrë shkresën e firmosur nga ministrja Ermonela Felaj, ku njoftohej se kompania për të cilën kërkohej mendimi që të merrte bonusin 8 përqind, nuk ekziston. Kjo nuk e pengoi Edi Ramën, se ai kishte ndërmend ta krijonte kompaninë. E vërteta është se kompania u krijua tetë muaj më vonë”, shtoi Berisha.
Më tej, u ndal të tarifa që paguhet sipas kontratës koncesionare për landifillin e Sharrës.
“Kompania e Ramës dhe Veliajt ka një kontratë për fushën e Sharrës. Aty thuhet se për çdo ton plehrash të depozituar në fushën e Sharrës, bashkitë do paguajnë 11 euro nëse ato nuk digjen dhe do paguajnë 29 euro në rast se ato digjen. Prej gjashtë vitesh në fushën e Sharrës nuk është djegur asnjë kg pleh, bashkitë e Tiranës, qytetarët e Tiranës, paguajnë për çdo ton, jo 11, por 29 euro. Çka do të thotë se 16 apo 17 euro, përfundojnë në kontot bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ja se si Sharra është minierë floriri e Ramës dhe Erion Veliajt. Hetimi, investigimi i publikuar dje, faktonte në mënyrën më të pakundërshtueshme se plehrat, mbetjet jo vetëm nuk seleksionoheshin sipas natyrës së tyre, por groposen si 20 vite më parë, pa asnjë veçim, pa asnjë seleksionim, pa asnjë djegie. Rama dhe Veliaj kanë vjedhur 54 milionë euro. Pra, të gjitha plehrat që qytetarët i veçojnë në kosha, bashkohen dhe groposen si 20 vite më parë. Ky është një mashtrim, një vjedhje e paimagjinueshme”, deklaroi.
Pakënaqësi shprehu ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke thënë se SKAP-i i partisë është mbuluar nga plehrat e qeverisë.
“SKAP-i i partisë është mbuluar nga plehrat e qeverisë, nga djegësat e qeverisë. Faktet e paraqitura dje, provonin katërcipërisht se Edi Rama ka mashtruar në çdo fjalë. E vërteta është se çdo i ashtuquajtur OPGJ, apo BKH, apo SKAP-ist, mjafton të merrte një automjet dhe të shkonte në Sharrë të konstatonte se si Edi Rama dhe Erion Veliaj presin çdo ditë para dhe euro për kontot e tyre. Se si vjedhin ditën dhe natën. Se si qytetarët paguajnë për ta, jo 11 euro siç thotë kontrata, por me taksat e tyre paguajnë 29 euro, siç don Edi Rama dhe Erion Veliaj për kontot e tyre”.
Një apel e bëri dhe për qytetarët.
“Ky është një krim i shëmtuar, një vjedhje monstruoze. Kjo kërkon një përgjigje dhe këtë përgjigje mund ta japin vetëm qytetarët, kur SKAP-i është kthyer në SKAP vetëm kundër opozitës. Qytetarë dhe qytetare, shpresa e vetme jeni ju, është zëri juaj, është revolucioni juaj. Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe ka hapur dyert për vjedhjen tuaj ditën e natën. Ju bëj thirrje të ngrihemi kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje, që mbulohet nga ajo drejtësi, e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhje e krim të qeverisë shqiptare. Unë kam besim të madh se ftesës së opozitës, qytetarët do i përgjigjen me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria na fton t’i dalim zot”, u shpreh.