Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi këtë Hënë se Enver Sheshi u vra nga mafia e djegësve pasi vendosi të fliste lidhur me aferën.
Deklarata e kryeopozitarit nga selia blu këtë të Hënë vjen pas një njoftimi të Komitetit të Helsinkit lidhur me çështjen, që raportoi se një sërë institucionesh si policia, prokuroria dhe “burgu 313” në Tiranë, refuzuan dhënien e informacioneve. “…Rezulton se vëzhguesve të KShH nuk iu mundësua informacioni nga organet përkatëse, gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes. Ky qëndrim është i papajtueshëm me transparencën që shkon për krah me parimin e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore”, thuhet në reagimin nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Berisha: Një vrasje shtetërore
Ditën e sotme, Berisha tha se zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë përfundimisht se ky është shteti i mafies dhe se qeveria është mafia e shtetit.
“Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve. Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave. Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste. Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm”, tha Berisha nga selia blu.
Sipas tij, afera e djegësve është afera më flagrante, e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij, funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale.
“Kreu i organizatës firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me vendimin e Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë, nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve e bëri dy herë me radhë, por Edi Rama, duke e patur ndërmarrje të vetën, pavarësisht këtij vendimi, firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe klanit të aferës së djegësve”, deklaroi.
“Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur gjer në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë. Prej 6 vitesh, Veliaj vjedh qytetarët e Tiranës me një tarifë prej 28 eurosh për ton/mbetje, ndërkohë që vetë kontrata përcakton se kjo tarifë do merret vetëm për djegien, ndërkohë që ajo e kompostimit dhe depozitimit do jetë 11 euro”, shtoi ai.
Berisha: OKB, KiE dhe Amnesty International të hetojnë vdekjen e Sheshit
Berisha i bëri apel organizatave ndërkombëtare të hetojnë vdekjen e Sheshit.
“Këto qëndrime, të cilat zëvendësojnë transparencën e domosdoshme në këto rrethana të vdekjes së një njeriu në duart e shtetit, me bllokimin e kësaj transparence, flasin në favor të tezës, të atij mendimi, se kemi të bëjmë me një akt të mafies. Në vdekjen e Enver Sheshit ka gisht mafia qeveritare e djegësave. Sot u bëj thirrje Komitetit Antitorture të Këshillit të Europës, Komisionit të Drejtave të Njeriut të OKB, por edhe Amnesty International, të bëjnë gjithçka për të zbardhur vdekjen e këtij qytetari, e cila është vdekja e radhës në vdekjet e shumta në institucionet e vuajtjes së dënimit, ku aplikohen torturat dhe kanë humbur jetën shumë e shumë të burgosur dhe të paraburgosur në duart e këtij shteti mafioz”, tha ai.
Pas hekurave për incenratorët
Sipas raportimeve mediatike, Sheshi, i cili ndodhej si i paraburgosur në “IEVP 313”, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, më datë 08.01.2023 u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT), ku dhe ndërroi jetë.
Ai u arrestua lidhur me dosjen për inceneratorin e Fierit dhe më pas u la nën masën e “arrestit me burg” nga gjykata.
Në një njoftim të SPAK lidhur me arrestimet, shpjegohet se “Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani, kanë organizuar dhe vënë në funksionim skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit të tatimit mbi vlerën e shtuar”.
“Rezulton se gjatë periudhës 01.03.2017-01.05.2017, shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka realizuar blerje fiktive nga shoqëritë “Best Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Froggy”sh.p.k, me administrator Regan Merdani, “Frogy 03” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Itneg”sh.p.k, me administrator Gentian Zifla; “Leli-17”sh.p.k, me administrator Enver Sheshi; “Pupa Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani; “R.B-General Servis” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani dhe “R.S.I&T Group” sh.p.k, me administrator Robert Shabani, në vlerën totale 359,490,120 (treqind e pesëdhjetë e nëntë milion e katërqind e nëntëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë”, njoftoi SPAK në muajin Nëntor.