Afro një muaj më parë, Ministria e Arsimit ka hartuar rregulloren e re të Maturës Shtetërore, të publikuar tashmë në faqen zyrtare.
Pas shumë vitesh ku ndryshoheshin vetëm datat, me reformën e ndërmarrë së fundmi janë implementuar disa risi sa i takon të drejtave të Maturantëve, mjediseve ku zhvillohen provimet e deri te korrigjimi apo vlerësimi i tezave.
Nga ky vit, përpos të drejtës për të marrë një kopje të tezës së provimit prej të cilit janë ndarë të pakënaqur, maturantëve iu rikthehet një e drejtë e mohuar në një dekadë e gjysmë maturë shtetërore. Vetë ministrja ka pranuar se ndonëse testi kalon në dy duar korrigjuesish, gabimet janë njerëzore dhe maturantët nuk duhet të privohen më nga kjo e drejtë. Kësisoj, pika ku nuk kërkohet rivlerësim teze është zëvendësuar me të kundërtën. Maturantët mund të kundërshtojnë rezultatin që një ditë pasi janë njohur me të. “Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit, një ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve.
Maturanti/kandidati pasi është pajisur me fotokopjen e testit ka të drejtë ta paraqesë kërkesën për rivlerësim testi në KSHMSH e shkollës ku është regjistruar si maturant, më datë 3 korrik. Fotokopjet e testeve të paraqitura në KSHMSH shqyrtohen nga dy mësues lëndor të përcaktuar nga KSHMSH (nëse një shkollë nuk ka dy mësues të lëndës, shqyrtimi do të bëhet vetëm nga një mësues i lëndës)”, citohet në rregulloren e Maturës Shtetërore për vitin 2023.
Sipas këtij dokumenti, mësuesit e caktuar posaçërisht për këtë punë, do të bëjnë filtrin e parë të ankesës, pasi të kenë shqyrtuar tezën vetëm për pyetjet e ankimuara dhe të vendosin nëse testet duhet t’i kalojnë për rivlerësim Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Procedura e rivlerësimit është e njëjtë me atë të vlerësimin e testit, por në fund nuk përjashtohet mundësia që rezultati të jetë i njëjtë pas rivlerësimit. procedura ka edhe afate. Nga aplikimi deri tek përgjigja nuk duhet të kalojnë më shumë se katër ditë. “Rezultatet përfundimtare të provimeve të maturës pas procesit të rivlerësimit shpallen jo më vonë se data 7 korrik”, përcaktohet në rregullore.
Në rregullore është hequr pika ku maturanti mund të denoncojë direkt tek administruesi gjëra që vëren se nuk shkojnë gjatë procesit të testimit, si kopje apo zhurmë. “Kur maturanti/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë administratorin dhe përfaqësuesin e MASR”, artikulohej në rregulloren e vjetër. Një pikë e tillë nuk është më. Maturantët që kapen me celular automatikisht përjashtohen dhe mund të rijapin testin vetëm në sesionin e radhës, në vjeshtë.
Ndërkohë, ata që ia dalin të mbarojnë tezën përpara dy orëve e gjysmë, nuk mund të dalin nga ambientet e provimit. Por as të qëndrojnë aty pasi kanë përfunduar e dorëzuar fletën. “Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë”, thuhet në dokument. Por, kjo nuk do të thotë se ata mund të rrinë në të njëjtin mjedis ku zhvilluan testin, pasi mund të prishin procesin për të tjerët. rregullorja përcakton se ata mund të grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë.
Kjo presupozon që krahas gjetjes së sallave të mëdha për testim, administruesit duhet të mendojnë edhe për një ambient për maturantët që ia dalin të mbyllin tezën përpara kohës së caktuar. Ndryshe nga vitet e kaluara, testimet këtë vit janë planifikuar të zhvillohen në salla të mëdha, si korridore apo pallatet e sportit. Gjithashtu, fletë-përgjigja që duhej plotësuar në fund të testit nuk do të jetë më. Përveçse hante shumë kohë, në jo pak raste, nga presioni i kohës apo emocionet, maturantët ngatërroheshin duke shkruar përgjigjen e saktë në testim dhe qarkuar të pasaktën në fletë përgjigjen finale, e cila korrigjohej elektronikisht./Panorama