Emri i saj doli në skenë në fillimin e vitit që lamë pas. Në fakt, ishte folur edhe në vitin 2020.
Ishte koha kur Partia Demokratike bënte denoncime nëpër rrjete sociale, por pa shkuar në dyert e Prokurorisë së re që u shpik dhe themelua për të hetuar konkretisht korrupsionin e madh në vend. Alda Klosi u konsiderua si “Stela Gugallja” tjetër e aferave të mëdha korruptive që fshiheshin pas impianteve të përpunimit dhe djegieve të mbetjeve në vend, por ajo nuk u përfshi në listën e SPAK-ut për t’u verifikuar. Madje, nuk kishte as akuzë ndaj saj edhe pse ajo ishte numri dy i Ministrisë së Ekonomisë në kohën kur atë e drejtonte Arben Ahmetaj.
Ky i fundit, la postin e ministrit për t’u bërë zëvendëskryeministër, ndërkohë që Alda Klosi u spostua në pozicionin e këshilltares pranë Kryeministrit, ndërkohë që rezultonte në shtëpi me qira. Emri i saj ridoli në skenë ditën e djeshme, ndërkohë që Policia bëri me dije se kishte zbardhur vjedhjen e një banese dhe kishte sjellë në pranga nënë e bir, të cilët kishin mundur të përvetësonin shumën prej 120 mijë eurosh, një sasi lekësh dhe dollarësh dhe një valixhe me bizhuteri, shumica prej tyre flori. Mirëpo, ndërsa Policia trumbetonte me të madhe idenë e zbulimit të asaj ngjarjeje, emri i “viktimës” mbahej fort për shkak se sipas Policisë, “viktima” kishte kërkuar që emri i saj të mos bëhej publik.
Kërkesa e saj ishte kthyer në ligj nga Policia e Shtetit, e cila kyçi gojën për të identifikuar personin nga ku ishin vjedhur shifrat marramendëse të parave. Por, ndërsa Policia mbante fort të izoluar emrin e saj, fqinjët e “viktimës” nisen të flasin nëpër kafenetë e lagjes, pasi gruaja-pastruese, e cila ishte e paregjistruar njihej nga të gjithë si personi që hynte e dilte në shtëpinë e këshilltares së Kryeministrit, të ish-zyrtares së lartë të ministrisë, të një prej personave më të njohur në lagje për shkak të pozicionit të saj në qeverisjen e vendit.
Të dhënat e policisë
Policia e Tiranës ka bërë me dije se shuma në cash bashkë me bizhuteritë e grabitura në banesën e ishbashkëpunëtores së ngushtë të Arben Ahmetajt, arrin shumën e 120.000 eurove. Në asnjë rresht të njoftimit nuk thuhej se kujt i përkiste banesa e grabitur, duke fshehur kështu identitetin e të grabiturës, ish-shefes së koncesioneve kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Ekonomisë. Do të jenë hetimet e mëtejshme, të cilat do të zbulojnë arsyen se përse Alda Klosi, një punonjëse me rrogë shteti, kishte në shtëpi para cash të pa depozituara në bankë. Për momentin, mbetet e paqartë nëse kjo shumë e konsiderueshme monetare vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit ishte e deklaruar apo jo siç e kërkon ligji për nëpunësit civil.
Grupi hetimor që po merret me hetimin e ngjarjes ka nisur verifikimet ndaj Alda Klosit për të dhënë sqarime se kush ishte burimi shumës cash të grabitur në shtëpinë e saj. Policia e Tiranës ditën e arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese në banesën e Alda Klosit dhe të djalit bashkëpunëtor në vjedhje, tha se u sekuestroi mbi 8 milionë lekë, të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi. Sakaq, Policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta dhe Havier Dobi janë të përfshirë në të paktën 4 grabitje të tjera. Nga rikontrolli i banesës të Rozeta dhe Havier Dobit paraditen e të dielës, Policia thotë se në tubin e aspirarorit gjeti të fshehur 404.800 euro dhe 8.500 dollarë. Të dhënat e deritanishme nga hetimi sugjerojnë se Rozeta Dobi krahas shtëpisë të Alda Klosit kujdesej edhe për shtëpitë e disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Financave.
Përtej informacioneve policore
Edhe përgjatë ditës së djeshme, Policia vijoi të tregonte të dhëna që kishin pak lidhje me atë që vërtet kishte ndodhur mes zyrtares së lartë dhe pastrueses së punësuar prej saj. Policia dje bëri me dije se në banesën e nënë e bir janë gjetur edhe një sasi tjetër e madhe parash, por Policia la të kuptohej se ajo shumë mund të jetë vjedhur në banesa të tjera ku gruaja ishte e punësuar njësoj si në banesën e zonjës Klosi. Sipas të dhënave, Rozeta Dobi është e punësuar edhe në të tjerë zyrtarë të lartë të së njëjtës ministri, por Policia dhe Prokuroria që po merren me hetimin nuk kanë treguar se nga ku janë marrë këto para, por ka thënë që i ka sekuestruar në banesën e nënë e bir.
Informacionet jo policore tregojnë se shuma e parave është vjedhur së bashku me kasafortën e lëvizshme që zyrtarja e Ministrisë Alda Klosi mbante në shtëpinë e saj që ndodhet në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë. Klosi nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në një udhëtim jashtë shtetit. Ndërsa një kopje të çelësit të shtëpisë ia kishte besuar pastrueses së saj personale, Rozeta Dobi. Rozeta ka pranuar të tregojë se vjedhjen e banesës së Alda Klosit, e ka kryer së bashku me djalin e saj, Havier Dobin, i cili e ka ndihmuar për të lëvizur kasafortën që Klosi mbante në shtëpi. Dobi ka pasur dijeni se brenda në kasafortë kishte një shumë të madhe eurosh, pasi sipas saj, e kishte parë disa herë pronaren e shtëpisë të hapte kasafortën në prezencë të saj.
Verifikimi, nënë e bir u përgjuan
Në momentin që Klosi e ka njoftuar se do largohej nga banesa për disa ditë dhe i ka lënë një kopje të çelësit të shtëpisë, Rozeta Dobi së bashku me djalin e saj Havier Dobi kanë vënë në zbatim planin për të bërë vjedhjen e kasafortës. Pastruesja ka hapur derën me çelës dhe së bashku me të birin kanë nxjerr kasafortën. Për ta bërë të besueshme, vjedhjen ata kanë bërë rrëmujë shtëpinë, duke u larguar më pas. Kasafortën e kanë hapur në shtëpinë e tyre, duke nxjerr dhe shumën financiare dhe fshehur në ambientet e shtëpisë.
Por pas hetimeve të kryera, oficerët e Komisariatit nr.2 në Tiranë, zbuluan se autorë të dyshuar të vjedhjes së mbi gjysmë milion eurove, janë Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi. Policia ushtroi një kontroll në shtëpinë e tyre, ku ditën e parë gjeti shumën prej 120 mijë euro. Kjo shumë financiare është pranuar nga pastruesja se ishte vjedhur në banesën e zyrtares së Ministrisë, Alda Klosi. Mësohet se Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi është përgjuar brenda në dhomat e shoqërimit të Komisariatit, ku nënë e bir, flisnin së bashku se Policia kishte gjetur vetëm 120 mijë euro, por jo shumën tjetër të fshehur prej tyre në tubin e aspiratorit. Kjo bisedë ka shërbyer si indice e fortë për Policinë, se brenda në banesë kishte dhe para të tjera të fshehura. Mesditën e sotme, Policia shkoi dhe kontrolloi sërish shtëpinë e pastrueses, duke gjetur shumën prej 404.000 mijë eurosh dhe vlerave të tjera monetare.
Ish-zyrtarja e kryeministrisë do të hetohet për pasurinë
41-vjeçarja, Alda Klosi, nënë e një vajze, bëhet me dije se do të vihet në hetim pasuror për të mësuar se ku janë marrë paratë që janë gjendur në shtëpinë e pastrueses së saj dhe që ajo i ka deklaruar të vjedhura. Bëhet me dije se 49-vjeçarja Rozeta Dobi punonte prej shumë vitesh në atë shtëpi dhe kishte fituar besimin e plotë të Klosit, e cila më pas, sipas deklarimit të saj për humbjen e shumës së madhe të parave, i ka inskenuar grabitjen.
Mirëpo zyrtarja e lartë ende nuk është hetuar plotësisht se nga ku i ka përvetësuar paratë dhe bizhuteritë që u gjenden në shtëpinë e nënë e bir. Klosi ka thënë se ka qenë ajo vetë që ka bërë denoncimin për Policinë dhe se të gjithë shumën e kishte të deklaruar. Madje, ajo tregon se shumën e kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait të saj, i cili sipas saj është në gjendje të rëndë në spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë. E kisha punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër në hapjen e derës. Ka inskenuar një skemë llahtari. Ka inskenuar vjedhjen. Banesa është hapur me çelës. Por, ajo e inskenoi. Kishte inskenuar sikur ishte grabitje. Hedhur rrobat, shqyer dollapi”. Policia arrestoi Rozeta dhe Havier Dobin, ndërsa brenda banesës së tyre sot u zbuluan edhe 404,800 euro, 8500 dollarë dhe shuma ne lekë./Panorama/