Politologu Ilir Kalemaj duke komentuar konferencën për shtyp të Olta Xhaçkës, tha se ministrja nuk tha asgjë të re. Kalemaj vuri në dukje se Shqipëria duhet të kishte bërë më shumë në Këshillin e Sigurimit sa i takon lobingut për njohjen e Kosovës, si dhe të unifikonte shërbimet konsullore me Prishtinën. Një akt të paprecedentë e konsideroi politologu njoftimin e MEPJ për përfundimin e mandatit të ambasadores Kim, duke shtuar se shteti ynë ka ende në detyrë ambasadorë që kanë dalë në pension.
Në edicionin e lajmeve në MCN TV, duke komentuar shpjegimin e ministres lidhur me njoftimin e ministrisë së Jashtme për mbarimin e mbandatit të Yur Kim, Kalemaj tha se “s’mora vesh cili ishte justifikimi”. Sipas tij, fjalimi i Xhaçkës ishte një “sallatë ruse”.
“Ishte një konferencë për shtyp rutinë. Nuk tha ndonjë gjë të re, ceku arritjet proceduriale të Shqipërisë në kuadër të Këshillit të Sigurimit. Ka qenë një lajm jo fort i parëndësishëm që Shqipëria do të ishte anëtare si vend jo permanent i KS. Merita u takon disa qeverive dhe ministrave përkatës, përfshi ato të opozitës aktualisht. E dyta ka të bëjë më një rotacion, që u vjen radha të gjitha vendeve, në përfaqësohemi te rajoni i Europës Juglindore. Ishte një mundësi për të lënë një gjurmë. Ajo që rëndësi për opinionin publik dhe interesin kombëtar është çfarë ka bërë Shqipëri në lobingun për njohjen e Kosovës, për ndaljen e çnjohjeve nga Serbia, çfarë ka bërë pasivitetin e adresave në Preshevë. Shqipëria duhet të bënte më tepër për në pjesën lobuese. Shqipëria duhet të unifikonte shërbimet konsullore me Kosovën. Kur e bëjnë vendet nordike, apo republikat balltike dhe Hungaria, përse mos ta bëjë Shqipëria?!
Retorika thotë shumë për të mos thënë asgjë. Bëri një lloj mbrojtje që s’ishte mbrojtje për veprimin e paprecedentë që u bë për mbarimin e mandatit të znj.Kim. Unë s’mora vesh cili ishte justifikimi. Fjalimi i Xhaçkës ishte një sallatë ruse. Ishte një akt i paprecedentë. Nuk di të ketë ndonjë rast kërshërie të jashtëzakonshme kur mbaron mandati i znj. Kim dhe kur vjen ambasadori i ardhshëm. Zonja ministre duhet t’i jepte përgjigje medias për diplomatët shqiptarë që kanë 8-9 vjet në krye të detyrës, disa të dale në pension dhe nuk zëvendësohen, dhe ne japim llogari për Senatin Amerikan! Ne do të pranojmë cilindo ambasador që caktohet nga SHBA”, tha Kalemaj.
Kalemaj ngre pyetjen sa e përgatitur është Shqipëria, dhe sa i ka vendi ynë kapacitetet teknike për t’u mbrojtur në Hagë, sa i takon çështjes së detit. Lidhur me integrimin Kalemaj vuri në dukje se me rëndësi nuk është hapja e kapitujve, por përmbyllja e tyre.
“Sa më shtyhen ‘patatet e nxehta’, që kanë reperkusione elektorale aq më mire është. Rama i ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë në opozitë çështje si marrëveshja e detit. Kemi shkuar drejt marrëveshjes që Gjykata e Hagës të thotë fjalën e fundit. Ajo që kam frikë është sa të përgatitur jemi për të shkuar në Hagë, sa i kemi kapacitetet teknike, sa kemi hartografinë dhe ekspertët për t’u mbrojtur. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Shqipërisë, ishte të ngrinte një ekip teknik për të qenë të përgatitur, përndryshe vendimi i Hagës ndoshta ka qenë edhe më i trishtë se marrëveshja e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Shqipëria ka disa avantazhe që s’i ka aktualisht Maqedonia e Veriut, që duhet të bëjë ndryshime Kushtetuese që ka të bëjë me identitetin e minoritetit bullgar. Është dështim i klasës politike që s’i ka hapur negociatat më herët. Ne nuk kemi se çfarë negociojmë. Shqipëria pranon çdo gjë që BE i thotë. Aty ku ne çedojmë dhe është thembra e Akilit është korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar, që shkojnë drejt kapjes së shtetit. Fakti që Shqipëria është ende në zonën gri të Moneyval, e bën edhe më dramatike. Është e pamundur të themi objektivisht një date. Ajo që dimë është që çdo vend do vlerësohet sipas meritës, dhe sipas meritës jemi këtu ku jemi. Me rëndësi është përmbyllja e kapitujve, jo çelja e tyre”, tha Kalemaj.
Lidhur me 8 janarin, politologu thotë se sot situata nuk është si një vit më parë, por sërish s’jemi shumë rozë, pasi ka mosbesim mes palëve.