Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë.
Në një intervistë për gazetën gjermane ‘Die Welt’, Kurti ka thënë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kurti.
Ai ka treguar se si Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje e po ashtu edhe numrin e ushtarëve rezervistë.
“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqëruajtëse të NATO-s, KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona në aspektin e mbrojtjes”, tha Kurti.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 3800 ushtarë të KFOR-it, rreth 70 gjermanë. Sipas një vendimi të Bundestagut gjerman, deri në 400 ushtarë shtesë mund të dërgohen me urgjencë në Kosovë.
“Ushtarët gjermanë sigurisht janë të mirëpritur në Kosovë”, ësht ë shprehur ai.
Situata në Kosovë ishte tensionuar në javët e fundit, ku serbët në veri vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Po ashtu u sulmuan zyrtarët policorë, gazetarët, madje edhe patrullat e EULEX-it dhe KFOR-it, me shok-bomba e po ashtu me armë. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri gjatë situatës që mbizotëroi për 20 ditë.
“16 barrikada në katër komunitete veriore, dhe burra me maska e shenja të forcave mercenare ‘Wagner’ dhe ‘Ujqërit e natës’ në uniformat e tyre të zeza, e me flamuj duke thirrur ‘Lutu Zotit dhe mbaju fort pas Rusisë’, e bëjnë të qartë nevojën për trupa shtesë të NATO-s, siç e bën edhe grumbullimi i trupave dhe artilerive serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe deklaratat e vazhdueshme nga shtetet serbe dhe ruse”, ka thënë Kurti.














