Sindikata e pedagogëve ka reaguar kundër një vendimi të Qeverisë e cila ka vendosur të ndryshojë pozicionin juridik të universiteteve publike.
Kreu i sindikatës, Aleksandër Kovaçi, theksoi se universitetet publike nuk kanë nevojë të ndryshojnë pozicionin e tyre juridik, sepse ata aktualisht nuk janë shpk, organizata fitimprurëse siç janë privatët.
Kovaçi shprehet se ky vendim dëmton rrënjësisht institucionet e arsimit të lartë publik.
“Në vend të tyre kërkohet që nëpërmjet vlerësimit financiar të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të universiteteve të themelojë fondacion sipas kuadrit ligjor në fuqi për organizatat jofitimprurëse dhe njëherësh të emërtohen si institucione të arsimit të lartë publik të pavarura. Ndërkohë, sipas nenit pesë të kësaj VKM-je, të gjithë pedagogët do të detyrohen të kalojnë në fazë të një kontratë njëvjeçare dhe fati i tyre mbetet në duart e pronarëve apo të drejtuesve të ardhshëm. Gjithashtu, nuk mbetet gjë tjetër pas kësaj skeme që mund të zbatohet, vetëm shitja apo dhënia si PPP e institucioneve të arsimit të lartë publik, që mund të ishte një hap shumë i shpejtë në të ardhmen. Në këtë situatë mendojmë që me këtë qëndrim qeveria shqiptare del kundër universiteteve publike me vendimin që merr për privatizimin të mirës publike, e cila vjen nga universitetet publike në këtë rast. Ftojmë botën universitare, studentë, stafin që të reagojnë me forcën e më të madhe kundër këtij vendimi fatal për arsimin e lartë publik shqiptar,” përfundon deklarata e tij.
I pyetur nga mediat se si do të vazhdohet më pas, Kovaçi tha: “Ne theksojmë që universitetet publike nuk kanë nevojë të ndryshojnë pozicionin e tyre juridik, sepse ata aktualisht nuk janë shpk, organizata fitimprurëse siç janë privatët. Ky lloj VKM-je do të ishte i denjë për privatët dhe do të ishte logjike.”