Tre tituj në dy vite. Kampion i Amerikës, “Finalissima” e famshme me kampionët e Europës, Italinë, në “Wembley” verën e shkuar dhe tani edhe i botës, duke u përfshirë në të njëjtën listë lavdie bashkë me legjendat Menotin dhe Bilardon. E ringriti kombëtaren e Argjentinës nga hiri dhe e dërgoi në nivelin derisa ta shpallte kampione bote pas 36 vitesh.
Sa shumë kohë… Ndaj Francës sërish plani taktik ishte i saktë, pavarësisht se gjithçka u përmbys nga kampionët e botës në pjesën e dytë. Por Argjentina e Lionel Scalonit ka edhe karakter përveç të tjerash dhe e kërkoi deri në fund fitoren pau goditur psikologjikisht. Dhe për këtë nuk ka meritë vetëm Lionel Mesi në turneun e tij të fundit të një Kupe Bote, por një skuadër që ai e ka zgjedhur me shumë kujdes që nga emri i kapitenit frymëzues, deri te lojtari i 26-të dhe ata që nuk luajtën asnjë minutë në Katar.
Nga Martinez te Mesi Argjentina meriton një notë të vetme, 10 për Botërorin që bëri dhe për shpresën, të cilën i riktheu vendit që kujtimet e fundit të triumfit të një Botërori i kishte me Maradonën në 1986, “i njollosur” pak edhe nga ai gol me dorë që largoi Anglinë dhe flitet ende sot si “Dora e Zotit”.
EMILIANO MARTINEZ
Një portier për histori. Heroi i madh i Argjentinës. I mahnitshëm. Shpëtoi skuadrën në fund me atë pritje të paharrueshme për Muanin, ndërsa më pas u bë hero edhe te penalltitë. Një luftëtar që në një vit e gjysmë fitoi besimin e Argjentinës. Një garanci më shumë për Argjentinën ishte mbrojtësi i fundit i saj që priti gjithçka i doli përpara. Askush nuk do ta harrojë kurrë Emiliano Martinezin…
NAHUEL MOLINA
Finale e jashtëzakonshme. Ai ndërtoi një barrikadë përpara Mbapesë dhe e dërgoi të luante në qendër si numër 9. Luftë, sakrificë dhe angazhim i jashtëzakonshëm. Luajti me vetëvlerësimin që kërkojnë këto lloj ndeshjesh. Dhe kur e kishte topin në këmbë, e preku me maturi. Mbërriti në Katar për të luftuar për një vend në krah, por largohet nga Katari si kampion bote dhe titullar i padiskutueshëm në katërshen e prapavijës së Skalonit.
KRISTIAN ROMERO
Një ndeshje për manualet e futbollit. Kështu futesh në fushë, përballesh dhe e fiton një finale Botërori. Një manual mbrojtësi të madh. Markoi kë i doli përpara: Mbapenë, Zhirunë dhe Turamin. I fortë në lojën në ajër dhe tokë, me një autoritet të prerë, i vendosur dhe me guximin dhe shpirtin e paharrueshëm të një luftëtari. Argjentina ka një kolos në qendër të prapavijës dhe mbrojtësi i Totenhemit është vetëm 24 vjeç.
NIKOLAS OTAMENDI
Është Ruxheri i titullit të tretë të Argjentinës. Lider si gjithnjë dhe fitues i një mijë betejave si gjithmonë. I pakalueshëm dhe nuk u lëkund kurrë në ndeshjen më të rëndësishme të jetës, duke nxjerrë atë që duhet të nxirrte. Luajti një Botëror mbresëlënës. I takoi të shkaktonte atë penallti në fund kur rezultati ishte 2-1, por ai u ringrit në këmbë dhe nuk i la asnjë shenjë më pas. Në Botërorin e tij të tretë, më në fund u kurorëzua.
NICOLAS TAGLIAFICO
La fushën në momentin e fundit duke i lënë vendin Paulo Dibalës për të hyrë edhe emri i tij në histori me penalltinë që do të ekzekutonte. Dhe përsëri nuk dështoi. Ashtu siç bëri kundër Kroacisë, ishte i vendosur, me zemër dhe dha jetën. Ai hyri si me të shumtët, fillimisht kontrolloi Dembelenë, derisa u zëvendësua sulmuesi francez dhe më pas kishte detyrën të kontrollonte Muanin.
RODRIGO DE PAUL
Kampion i madh, komandanti i kësaj çmendurie. Ai që infektoi me shpirtin, zemrën dhe jetën e tij. Ai përfundoi duke pasur një Kupë Bote mbresëlënëse. Ishte një për të gjithë dhe të gjithë për një gjithmonë. Dyshimet e debutimit u zhdukën dhe ishte përgjithmonë një lider i padiskutueshëm në rolin e tij. Kundër Francës, ai ishte një luftëtar, i vetëdijshëm për gjithçka dhe për të gjithë. Madje ai pati edhe dy raste për gol.
LAUTARO MARTINEZ
Hyri me gritën e zakonshme në fushë dhe pati tri raste të pastra për të dënuar kampionët në largim të botës. Historia ka treguar se ai ka kontribuar gjithnjë kur ka hyrë nga stoli, por ky nuk ishte Botërori i tij. Shpërdoroi shumë dhe humbi edhe vendin e titullarit. Por edhe sulmuesi i Interit e la shenjën e tij. Ajo penallti e fundit ndaj Holandës nuk ishte gjë e pakët.
GERMAN PEZZELLA
Hyri në fushë në katër minutat e mbetura të kohës shtesë duke forcuar mbrojtjen pas zëvendësimit me Mek Alister. Qendërmbrojtësi i Real Betisit në Spanjë e bëri diçka të tillë dhe hyri edhe ai në histori si një lojtar që luajti në finalen e Kupës së Botës në Katar. Dhe ato pak minuta do të mbesin përjetësisht në kujtesën e tij. Ishte edhe ai në fushë në titullin e tretë kampion të Argjentinës.
PAULO DYBALA
U aktivizua në tre minutat e fundit dhe tregoi cilësinë e tij. E ekzekutoi me gjakftohtësi dhe me guxim penalltinë e tij duke ndihmuar Argjentinën të ishte e pagabueshme. Do të kishte dashur të vinte në rrethana të tjera, por ai dëmtim përpara Botërorit e pengoi shumë që të mos ishte një protagonist. Gjithsesi, po ta pyesni nëse fundi do të ishte ky, do të kishte firmosur menjëherë.
PAPU GOMEZ
Ai vjen nga Avejaneda, kryeqyteti argjentinas i sportit dhe pasioni nuk ka sesi t’i mungojë sa herë zbret në fushë. Nuk ishte protagonist në ndeshjen më të rëndësishme të Argjentinës, finalen, por edhe Papu Gomez dha kontributin e tij në këtë turne. Personaliteti i shkëlqyer që tregoi nuk është rastësi. Profesorë ka pasur Burruçagën, Tokalin, Pekermanin dhe Salorion mes të tjerëve.
ANGEL CORREA
Një tjetër engjëll i kësaj Argjentine. Temperament, vokacion dhe dëshirë për të luajtur gjatë gjithë kohës dhe kudo. Cilësi vendimtari për të qenë një futbollist i zoti dhe talenti i tij e shpërbleu në fund edhe me titullin e kampionit të botës. Sa shumë talent ka Skaloni dhe ka luksin për të lënë jashtë shumë lojtarë që në një kombëtare tjetër mund të kishin qenë titullarë.
EXEQUIEL PALACIOS
Historia e tij nisi në 5 tetor 1998, në Famaija, Tukuman, edhe pse më pas ai u zhvendos në Buenos Aires. Protagonisti në fjalë është Ezekel Alehandro Palasios, mesfushori i kombëtares argjentinase, i cili pavarësisht se nuk është ndër protagonistët e vijës së parë të skuadrës së Skalonit, e shënoi emrin e tij me germa të arta në titullin e tretë kampion bote të Argjentinës.
LIONEL MESSI
Kapiteni i Argjentinës, frymëzimi dhe arma më vdekjeprurëse, Messi ka qenë jashtëzakonisht efektiv gjatë gjithë turneut. 7 gola të shënuar, 2 prej të cilëve në finale duke qenë arsyeja kryesore e suksesit të vendit të tij.
Alexis MacAllister
Messi nuk mund ta bëjë i vetëm dhe Alexis MacAllister ka qenë një nga lojtarët që ka bërë një hap të madh në këtë turne.
Mesfushori ka impresionuar në Premier League për Brighton dhe solli formën e tij në Katar, duke funksionuar si një mbështetje e vështirë për Messin, Alvarez dhe Co në sulm.
Enzo Fernandez
Një zbulim i vërtetë i Kupës së Botës, Enzo Fernandez i ka treguar botës se është i destinuar për majën. 21-vjeçari tani po ndiqet nga Liverpool dhe është e qartë për të kuptuar pse.
Fernandez kishte bërë vetëm pesë paraqitje për kombëtaren e tij para Kupës së Botës, por doli nga stoli në dy ndeshjet e para. Ai shënoi një gol të mrekullueshëm kundër Meksikës, i ndihmuar nga Messi, që e bindi Scalonin në vazhdimësinë e Botërorit, ku dhe fitoi eedhe çmimin si lojtari më i mirë i ri i turneut.
SKUADRA E ARGJENTINËS NË “KATAR 2022”
Position | No. | Player | Club | Age | Caps | Minutes at WC | Goals at WC | Assists at WC |
---|---|---|---|---|---|---|---|---|
GK | 1 | Franco Armani | River Plate (ARG) | 36 | 18 | 0 | 0 | 0 |
GK | 23 | Emiliano Martinez | Aston Villa (ENG) | 30 | 25 | 570 | 0 | 0 |
GK | 12 | Geronimo Rulli | Villarreal (ESP) | 30 | 4 | 0 | 0 | 0 |
DEF | 2 | Juan Foyth | Villarreal (ESP) | 24 | 17 | 4 | 0 | 0 |
DEF | 25 | Lisandro Martinez | Man United (ENG) | 24 | 15 | 301 | 0 | 0 |
DEF | 26 | Nahuel Molina | Atletico Madrid (ESP) | 24 | 26 | 478 | 1 | 1 |
DEF | 4 | Gonzalo Montiel | Sevilla (ESP) | 25 | 21 | 88 | 0 | 0 |
DEF | 19 | Nicolas Otamendi | Benfica (POR) | 34 | 99 | 570 | 0 | 1 |
DEF | 6 | German Pezzella | Real Betis (ESP) | 31 | 34 | 53 | 0 | 0 |
DEF | 13 | Cristian Romero | Tottenham (ENG) | 24 | 18 | 428 | 0 | 0 |
DEF | 3 | Nicolas Tagliafico | Lyon (FRA) | 30 | 47 | 252 | 0 | 0 |
MID | 8 | Marcos Acuna | Sevilla (ESP) | 30 | 48 | 318 | 0 | 1 |
MID | 7 | Rodrigo De Paul | Atletico Madrid (ESP) | 28 | 50 | 500 | 0 | 0 |
MID | 24 | Enzo Fernandez | Benfica (POR) | 21 | 9 | 443 | 1 | 1 |
MID | 17 | Alejandro ‘Papu’ Gomez | Sevilla (ESP) | 34 | 17 | 109 | 0 | 0 |
MID | 20 | Alexis Mac Allister | Brighton (ENG) | 23 | 13 | 439 | 1 | 0 |
MID | 14 | Exequiel Palacios | Bayer Leverkusen (GER) | 24 | 23 | 47 | 0 | 0 |
MID | 5 | Leandro Paredes | Juventus (ITA) | 28 | 50 | 206 | 0 | 1 |
MID | 18 | Guido Rodriguez | Real Betis (ESP) | 28 | 27 | 57 | 0 | 0 |
FWD | 9 | Julian Alvarez | Man City (ENG) | 22 | 18 | 364 | 4 | 0 |
FWD | 16 | Thiago Almada | Atlanta United (USA) | 21 | 2 | 6 | 0 | 0 |
FWD | 11 | Angel Di Maria | Juventus (ITA) | 34 | 128 | 226 | 1 | 1 |
FWD | 21 | Paulo Dybala | AS Roma (ITA) | 28 | 35 | 16 | 0 | 0 |
FWD | 15 | Angel Correa | Atletico Madrid | 27 | 23 | 4 | 0 | 0 |
FWD | 22 | Lautaro Martinez | Inter Milan (ITA) | 25 | 45 | 221 | 0 | 0 |
FWD | 10 | Lionel Messi | PSG (FRA) | 35 | 690 | 7 | 3 |