Banka Botërore ka vlerësuar se puna për monitorimin e kontratave koncesionare ndikuar nga projekti i financuar prej saj për qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe financimin e politikave të zhvillimit të rritjes ka qenë pozitive por ka ende për të përmirësuar.
Në raportin final të vlerësimit të projektit të mbyllur në 31 dhjetor 2021 banka ndalet jo pak tek PPP-të duke nënvizuar se cilat janë hendeqet që kanë nevojë për plotësim.
Kështu së pari BB pranon se treguesi i rezultateve ishte domethënës, por mund të ishte plotësuar me tregues shtesë për të matur progresin drejt objektivave të projektit.
“Treguesit e rezultateve ishin të matshëm dhe të lidhur drejtpërdrejt me veprimin e mëparshëm. Ishte një tregues që formon bazë për forcimin e përzgjedhjes së PPP-ve dhe zbutjen e rreziqeve fiskale të lidhura me PPP-të. Mund të ishte plotësuar me tregues alternativë të rezultateve, të tilla si përqindja e PPP-ve të pakërkuara të nënshkruara që nga ndryshimi i ligjit për PPP-të, pasi PPP-të e pakërkuara u identifikuan si burimi kryesor i rrezikut fiskal”, thuhet në raport.
Një tjetër element ku ndalet banka është fakti që transparenca është rritur nga publikimet periodike por ende mbeten jashtë moniotorimit shumë prej kontratave PPP ku pjesa më e madhe janë të lidhura me energjinë.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi një raport paraprak monitorimi për PPP në dhjetor 2019 që përfshinte 9 kontrata. Një raport i dytë i monitorimit të PPP, duke përditësuar raportin paraprak për vitin 2019, është publikuar në maj 2020, si pjesë e raportit të ekzekutimit të buxhetit 2019.
Një raport i tretë i monitorimit të PPP u publikua në qershor 2021, si pjesë e raportit të ekzekutimit të buxhetit 2020, duke mbuluar 52 kontrata. Një raport i katërt, që mbulon vitin 2021, u publikua në nëntor 2022, duke përfshirë 65 PPP kontrata nga 228 gjithsej.
Pjesa më e madhe (186) e kontratave PPP janë në sektorin e energjisë, që përfaqëson 76.6 për qind të shumës së mbetur. Duke pasur parasysh rritjen e konsiderueshme të mbulimit, të vitit 2020 dhe 2021, krahasuar me raportin e vitit 2019, kuadri i monitorimit ka kontribuar në përmirësimin e ndjeshëm të transparencës së portofolit të PPP.
Megjithatë, një numër i madh i kontratave energjetike ende nuk janë llogaritur në kuadrin monitorues. Puna analitike që po bëhet nga një njësi relativisht e vogël monitorimi PPP-je që është e vendosur pranë Ministrisë së Financave ka një staf me 4 persona. Raporti i monitorimit përfshin katër anekse me informacion mbi: profilin e kontraktorit dhe vlerën e investimit, treguesit vjetorë të performancës, performancën në bazë tremujore dhe monitorimin e 12 kategorive të riskut”, thuhet në dokument.
Banka nënvizon se monitorimi i rreziqeve të lidhura me PPP-të është përmirësuar, por mund të forcohet më tej.
“Rreziqet fiskale që lidhen me kontratat e pakërkuara PPP janë të pranishme, pasi shumica dërrmuese e kontratave në fuqi (83 përqind) janë propozime të pakërkuara ndërkohë që vetëm 17 për qind e kontratave të miratuara janë propozime të kërkuara nga autoritetet kontraktore.
Megjithatë, ligji ka hequr propozimet e pakërkuara për rrugët, duke kufizuar përdorimin e tyre vetëm në porte, aeroporte, energji elektrike ngrohje dhe shpërndarje e gazit natyror.
Llogaridhënia për rreziqet është forcuar nëpërmjet analizës sistematike në aneksin e rrezikut të raportit të monitorimit të PPP.
Për më tepër, tendencat e fundit sugjerojnë ulje të konsiderueshme të numrit të PPP-ve të reja (Figura 2), ndërsa shuma e investimeve të mbetura të PPP-ve arriti në 31.5 përqind të PBB-së në 2021, nga 34.4 përqind e PBB-së në 2020 (Figura 3).
Rreziqet fiskale që lidhen me kontratat PPP zbuten disi nga kërkesa (sipas ligjit të ndryshuar 9936/2008) që shuma totale e pagesave vjetore neto, të kryera nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që rrjedhin nga kontratat koncesionare ose PPP-të, nuk duhet të kalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore të buxhetit të një viti më parë.
Sipas MFE-së, pagesat aktuale në 2020-2022 lëviznin midis 2.3 dhe 2.9 përqind të të ardhurave tatimore, shumë nën kufirin e vendosur nga rregulli fiskal. Monitorimi i rreziqeve fiskale mund të forcohet nëpërmjet vlerësimit dhe publikimit të rregullt të detyrimeve kontingjente dhe detyrimet e mundshme të qeverisë nga PPP-të. Kuadri metodologjik i ndjekur nga Eurostat për vendet anëtare të BE-së mund të shërbejë si bazë për vlerësimin e detyrimeve të lidhura me PPP-të”, thuhet në raportin e BB.
Në fund dokumenti nënvizon se kuadri i monitorimit të PPP-ve ka potencialin për të forcuar procesin e përzgjedhjes së PPP-ve.
“Kuadri monitorues vendosi detyrimin e ministrive të linjës dhe bashkive që menaxhojnë kontratat PPP për të raportuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në baza tremujore mbi ecurinë e portofolit të tyre. Rekomandimet dërgohen nga MFE tek ministritë e linjës dhe bashkitë në rast të mospërputhjeve në performancë ose identifikimit të rreziqeve specifike. Ndërveprimi ndërmjet MFE-së dhe subjekteve përgjegjëse për kontratat PPP ka potencialin për të forcuar përzgjedhjen e PPP-ve, me kusht që mbulimi i raportit të monitorimit të zgjerohet për të përfshirë kontratat ende të munguara”, sqaron raporti.
/Monitor.al/