Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zhvillon seancat dëgjimore me kandidatët për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Në mbledhje janë 10 nga 11 anëtarë të KLP-së. Anëtarja Esmeralda Keshi mungon në këtë mbledhje.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mundësoi mediave dhe publikut që të ndiqnin drejtëpërdrejtë seancën dëgjimore, nëpërmjet platformës “Zoom”.
Gjatë prezantimit të kandidatit Altin Dumani, u identifikuan disa probleme teknike, të cilat pamundësuan përkohësisht ndjekjen e platformës së tij.
Ndërkohë që, gjatë kohës që kandidati i tretë në radhë, Edvin Kondili, po u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të KLP-së, në seancë mbërriti ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim.
Prezantimi i Adnan Xholit
Prokurori Adnan Xholi ishte kandidati i parë që paraqiti platformën e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Ai prezantoi fillimisht përvojën e tij mbi 20-vjeçare në institucionin e prokurorisë, duke theksuar se ka kaluar të gjithë nivelet, duke nisur nga oficer i Policisë Gjyqësore, e më tej prokuror, drejtues në disa prokurorie, deri në pozicionin e Drejtorit në disa drejtori të Prokurorisë së Përgjithshme, para se të emërohej në SPAK, në verën e vitit 2021.
Xholi vuri theksin tek nevoja që ka institucioni për të forcuar besimin e publikut tek institucionet e reja të drejtësisë dhe sidomos tek Prokuroria e Posaçme.
Kandidati deklaroi se, nëse siguronte votat për drejtues, do të angazhohej maksimalisht për hartimin e akteve të nevojshme për nxitjen dhe shpejtësinë e hetimeve, sidomos për ato me impakt të rëndësishëm në jetën publike.
Gjithashtu, ai u shpreh se, si drejtues, do të përfshihej edhe vetë në hetime, si edhe do të suportonte çdo prokuror për veprime proceduriale për çështje të rëndësishme.
Xholi përmendi hetimet që lidhen me ngjarjet në Lazarat, gjatë kohës që ka qenë drejtues në Prokurorinë e Gjirokastër.
Ai deklaroi se, si prokuror tek ish-Krimet e Rënda, ka hetuar grupe të rrezikshme kriminale, si dhe ka zhvilluar hetime pasurore.
Kandidati Xholi u shpreh se ka një eksperiencë të rëndësishme në drejtimin dhe organizimin e strukturave të prokurorisë.
Ai përmendi pozicionet të ndryshme drejtuese, duke vënë theksin sidomos tek angazhimi në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka autorësinë e akteve të shumta nënligjore, në kontrollin e hetimeve për prokurorët e niveleve më të ulta.
Ai përmendi si një element në favor të tij faktin që ka ndjekur dhe përfaqësuar prokurorinë në seancat në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, nga të cilat deklaroi se ka përfituar përvojën e nevojshme për të trajtuar çështjet nën frymën e vendimeve të gjykatave më të larta, aq më tepër që ligji parashikon se prokurorët e posaçëm i ndjekin çështjet e tyre deri në shkallët më të larta të sistemit të drejtësisë.
Kandidati Xholi nuk u ndal shumë në çështjet që po heton në SPAK, pasi, siç deklaroi ai, janë nën hetim dhe nuk mund të jepen detaje konkrete.
Megjithatë, ai deklaroi se, duke respektuar pavarësinë e prokurorëve, do të angazhohet për nxjerrjen e udhëzimeve të natyrës së përgjithshme, me qëllim nxitjen e mëtejshme të hetimeve.
Gjithashtu, Xholi deklaroi se do të ndërtonte një raport shumë të ngushtë me median dhe opinionin publik.
Disa prej anëtarëve të KLP-së, e pyetën kandidatin Adnan Xholi se cilat janë pikat e dobëta të SPAK-ut, si edhe lidhur me angazhimin e tij të mundshëm në forcimin e mëtejshëm të aktivitetit të SPAK-ut.
Xholi vlerësoi kolegët e tij në Prokurorinë e Posaçme, duke përmendur se janë vendosur para drejtësisë zyrtarë të nivelit të lartë, si edhe janë konfiskuar miliona euro pasuri të grupeve kriminale.
Ai u shpreh se ka si objektiv vendosjen në efiçensë të plotë të Policisë Gjyqësore, e cila duhet të jetë 24 orë në 24 në shërbim të hetimeve të prokurorëve të posaçëm.
Ndërsa lidhur me “pikat e dobëta” të SPAK-ut, kandidati Xholi përmendi faktin se trupa e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të duhet të rrisin më tej aftësitë e tyre profesionale.
Platforma e Altin Dumanit
Pas kandidatit Adnan Xholi, radhën për të prezantuar platformën për drejtues të SPAK-ut, e kishte prokurori Altin Dumani.
Ai përmendi që në fillim se suksesi i Prokurorisë së Posaçme mbështetet në bashkëpunimin ndër-institucional dhe në integritetin personal e profesional të çdo prokurori.
Dumani deklaroi se ka ushtruar funksionet prej 23 vitesh në prokurori, duke filluar prej vitit 1999 si oficer i Policisë Gjyqësore. Më pas ka punuar si drejtues i Prokurorisë së Tropojës, “në një periudhë të vështirë”, siç deklaroi ai.
Më tej, Dumani deklaroi se ka ushtruar funksionet në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe më tej në Prokurorinë e Tiranës, ku ka qenë drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore.
Pas disa vitesh në atë detyrë, Dumani transferohet fillimisht në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe më tej në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, para se të ishte pjesë e grupit të parë të prokurorëve që u emëruan në SPAK, në nëntor të vitit 2019.
Dumani u shpreh se, si pjesë e SPAK-ut, prokurorët kanë punuar përtej normales, për shkak të ngarkesës dhe pritshmërisë së opinionit mbi rezultatet e saj.
Kandidati mbështet kandidimin e tij, krahas përvojës shumë-vjeçare, edhe në bilancin e tre viteve si pjesë e Prokurorisë së Posaçme.
Ai përmendi faktin që, në karrierën e tij, është përballur me eksponentë të rëndësishëm të krimit të organizuar.
Dumani, i cili aktualisht është zv.drejtues i SPAK-ut, deklaroi se ka organizuar dhe koordinuar punën e prokurorëve të linjës, ku, siç u shpreh, ka dhënë edhe kontributin e tij personal në çështje të caktuara.
Kandidati u shpreh se, falë aktivitetit të deritanishëm, SPAK-u ka krijuar besimin e agjencive të ndryshme të zbatimit të ligjit të vendeve të ndryshme, për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar.
Ai deklaroi se, nëse i jepet mundësia të drejtojë SPAK-un, ka si pikësynim të parë hartimin e një rregulloreje për mënyrën e funksionit të institucionit, të cilin e konsideroi si “akt jetik” për mbarëvajtjen e punës, udhëzim për standardizimin formale të akteve të komunikimit me institucionet e tjera, standardizimin e renditjes së akteve të fashikujve penalë.
Dumani përmendi faktin që SPAK-u ka nevojë për të forcuar më tej bashkëpunimin me Byronë Kombëtare të Hetimit.
Po ashtu, ai vlerësoi shumë të nevojshme bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, sidomos sa i përket hetimit proaktiv dhe zbatimit të metodave të posaçme të hetimit.
Sa i përket raportit me median, kandidati Dumani deklaroi se do të forcojnë bashkëpunimin dhe do të mirëpresë çdo kritikë, të cilat do t’i shërbejnë përmirësimit të vazhdueshëm të punës.
Pas prezantimit të platformës, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i drejtuan pyetje kandidatit Altin Dumani.
Ai deklaroi se, edhe nëse do të zgjidhet drejtues, nuk do të heqë dorë nga hetimet, sidomos të atyre çështjeve me impakt publik, të cilat i ka nën hetim si prokuror i SPAK-ut.
Dumani u shpreh se, edhe pse mund të jetë drejtues, ai sërish mbetet prokuror dhe do të jetë mbështetës për secilin prej prokurorëve.
Sipas tij, suksesi në punë vjen si rrjedhojë e punës në grup.
I pyetur për punën e deritanishme të SPAK-ut, Dumani deklaroi se ka vlerësim maksimal për prokurorët, si edhe tashmë trupa e hetuesve ka në dispozicion mjetet e nevojshme për kryerjen e hetimeve të specializuara.
Kandidati Altin Dumani deklaroi se gjatë 3 viteve të funksionimit, SPAK-u ka arritur të krijojë një terren shumë të mirë për të vijuar me hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai deklaroi se SPAK-u “ka kryer hetime, të cilat as nuk ishin menduar të zhvilloheshin para krijimit të saj”.
Platforma e Edvin Kondilit
Prokurori Edvin Kondili ishte kandidati i tretë që prezantoi platformën e tij për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kandidati Kondili deklaroi që në fillim të seancës se ka aftësitë profesionale dhe potencialin personal për të marrë postin e drejtuesit.
Ai deklaroi se do të ketë angazhim maksimal, nëse KLP do t’i jepte mbështetjen për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Kondili ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe ka filluar punë në ish Prokurorinë për Krimet e Rënda, që në krijimin e saj, në po atë vit.
Aktiviteti i tij profesional 18-vjeçar lidhet me ish-Krimet e Rënda dhe Prokurorisë së Posaçme, ku mban edhe detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit.
Kandidati Kondili paraqiti para anëtarëve të KLP-së se ka ndjekur çështje të krimit të organizuar në prokurorinë e ish-Krimeve të Rënda dhe korrupsionit tek SPAK-u.
Kondili deklaroi se ka ndjekur çështje për vrasje të punonjësve të policisë, vepra në kuadër të grupeve dhe organizatave kriminale të përfshira në trafik narkotikësh.
Prokurori u shpreh se ka ndjekur hetimet komplekse dhe me shumë të pandehur, të cilat kanë përfunduar me vendime dënimi.
Ai përmendi, ndër të tjera, hetimet për dy raste të ndjekura prej tij, të cilat kanë konkluduar me bllokimin e sasive më të mëdha të kokainës të kapura në Shqipëri.
Gjithashtu, Kondili u shpreh se ka ndjekur një hetim masiv, për rreth 35 persona të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Kanadasë.
Gjatë kohës që është pjesë e strukturës SPAK, Kondili deklaroi se ka ndjekur hetime për sekuestrime dhe konfiskime pasurish, sidomos në zbatim të aktit normative “Forca e Ligjit”.
Kandidati Kondili e konsideroi faktin që nuk ka qenë asnjëherë drejtues, si një element pozitiv, duke mbajtur në konsideratë, sipas vlerësimit të tij, se drejtuesit më herët, në përgjithësi, emëroheshin sipas vullnetit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Prokurori deklaroi se, në cilësinë e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit pranë SPAK, ai dhe kolegët e tij janë angazhuar për të kryer hetime të nivelit të lartë, si edhe për të dhënë kontribut në përmbushjen e rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave.
Kandidati u deklaroi anëtarëve të KLP-së se është hartuesi i Marrëveshjes ndërmjet SPAK dhe Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, lidhur me pasuritë e zyrtarëve të lartë.
Kondili u shpreh gjithashtu se është drejtues i Komisionit për Verifikimin për kandidaturat për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Si drejtues i seksionit anti-korrupsion, kandidati Kondili është përgjegjës për raportimin e institucionit pranë strukturave të Bashkimit Europian, në kuadër të proceseve integruese të vendit.
Kandidati Kondili theksoi se një pjesë e konsiderueshme e çështjeve të ndjekura prej tij kanë pasur interes të lartë publik.
Në këtë drejtim, ai veçoi tre raste, që lidheshin me trafikun e narkotikëve dhe korrupsionit pasiv brenda radhëve të sistemit të drejtësisë.
Edvin Kondili deklaroi se, në rast se merrte votat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të vendoste objektiva thelbësore që lidhen me ndjekjen penale.
Këto objektiva konkretë, sipas tij, janë: ngritja e plotë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, rekrutimi i stafit që do të kryejë veprime konkrete në terren; rritja e pavarësisë dhe e përgjegjshmërisë së prokurorëve.
Kondili deklaroi se do të forcojë më tej bashkëpunimin e stafit dhe të klimës së unitetit me njëri-tjetrin. Në vlerësimin e tij, drejtuesi është “një prej tyre” dhe “nuk ka asnjë të preferuar mes prokurorëve”.
Një ndër objektivat kryesorë të Kondilit, nëse do të merrte votat e KLP-së, do të ishte rritja e hetimeve pro aktive dhe përdorimi i mëtejshëm i metodave speciale të hetimit, shtimi i rasteve të “bashkëpunëtorëve të drejtësisë”.
Po ashtu, një prej prioriteteve të kandidatit është rritja e hetimeve kryesisht, me iniciativë të prokurorisë dhe të hetimeve pasurore, të shoqëruara me sekuestro dhe konfiskime.