Me një popullsi prej vetëm 3.9 milionë banorësh, Kroacia ka bërë një punë të shkëlqyer, duke arritur gjysmëfinalen e dytë radhazi të një Botërori. Në 2018-ën Zlatko Daliç dhe futbollistët e tij shokuan botën ndërsa mbërritën deri në finale në Rusi, duke eliminuar ekipe të mëdha si Anglia gjatë rrugës së tyre, por dështuar në fund përballë Francës.
Me një skuadër të plakur që përfshin edhe 37-vjeçarin Luka Modriç, Daliç ka rigalvanizuar trupat e tij ndërsa ata po përpiqen që të dërgojnë më në fund në shtëpi trofeun e kampiones së botës. Megjithatë përballë do të kenë një Argjentinë të uritur, e udhëhequr nga Lionel Mesi, i cili do ta ketë Botërorin e tij të fundit. Kampionët e Kupës së Amerikës iu afruan ngritjes së trofeut në finalen e 2014-ës, kur u gjunjëzuan nga goli i Mario Gëces në shtesë. Prej vitit 1986, Argjentina nuk e ka fituar Botërorit, që prej kohëve kur legjenda Diego Armando Maradona dominonte skenën botërore të futbollit.
Maradona dhe Mesi kanë shumë ngjashmëri, që nga stili i lojës deri te statusi. Por në Argjentinë thuhet se një gjë i diferencon të dy dhe ajo është paaftësia e këtij të fundit për të udhëhequr vendin drejt lavdisë. Ky pritet të jetë shansi i fundit i tij për të mundur Kroacinë në gjysmëfinale dhe që do ta çonte atë një hap më pranë trofeut më të rëndësishëm të karrierës. Por sigurisht që të lehtë nuk do ta ketë. Më poshtë janë tre zonat taktike ku gjysmëfinalja e sotme Argjentinë-Kroaci do të fitohet dhe humbet.
NDALJA E MESIT
Si mund ta bllokosh Mesin? Kjo është një pyetje që ka torturuar mendjet e qindra trajnerëve që kur argjentinasi i vogël debutoi për Barcelonën gati dy dekada më parë. Fatkeqësisht, nuk ka një përgjigje të drejtpërdrejtë, por as një plan apo manual për t’i hedhur një sy për ndihmë. Shumë kanë provuar ta ndalin dhe shumica kanë dështuar. Por deri në ditën që ai do të varë këpucët në gozhdë, kjo pyetje do të vazhdojë të jetojë. Kufizimi i efektit të Mesit në ndeshje do të jetë çelësi i vërtetë për Kroacinë që të arrijë një tjetër finale. Daliç u pyet në konferencën për shtyp për planet e tij për të ndalur 7 herë fituesin e “Topit të Artë” dhe kroati tha:
“Duhet të ruhemi kundër tij, por jo në stilin markim një kundra një, ashtu siç nuk e bëmë në takimin tonë të fundit. Ne e dimë sesa shumë ai vrapon, sesa i pëlqen që të luajë me topin në këmbë dhe çelësi për fazën tonë mbrojtëse do të jetë disiplina. Nëse përsëritim të njëjtën gjë si kundër Brazilit, që është t’i qëndrojmë pranë lojtarit, nuk kemi përse të kemi frikë”. Të markosh Mesin një kundra një është metoda e zakonshme që shumë kanë provuar ta bëjnë gjatë karrierës së tij të shkëlqyer. Por dinamika e lëvizjes së 35-vjeçarit është ende shumë e saktë edhe në fund të karrierës, sa markimi trup më trup duket i pakuptimtë, aq më tepër që në situatat një kundra një gjasat janë që Mesi ta fitojë duelin. Kundër Holandës në çerekfinale, Natan Ake dha një shembull për botën sesi vetëm lëvizja e shpatullave të Mesit mund t’i shkaktojë lojtarit markues rrëzimin.
ALTERNATIVAT PËR TA NDALUR?
E vetmja metodë tjetër që një ekip që mbrohet mund të përdorë për të penguar “Pleshtin” është duke luajtur në mënyrë zonale. Mënyra më e mirë për të përshkruar markimin zonal është të përdorësh analogjinë e Zhoze Murinjos për krijimin e “qelive të burgut” rreth sulmuesve, me muret e këtyre qelive që janë lojtarët mbrojtës. Në këtë mënyrë, Kroacia mund të ketë gjatë gjithë kohës shumë lojtarë përreth Mesit, duke i qëndruar në distancë të shkurtër yllit argjentinas. Nëse Mesi e merr topin brenda qelisë së tij, mbrojtësit kroatë të shumtë në numër mund ta bllokojnë dhe rifitojnë atë. Me shumë mundësim Daliç po i referohej këtij stili mbrojtjeje kur ai mohoi planin për një markim trup më trup në takimin e sotëm.
TA BËSH SHËMTUAR
Argjentina po fitonte e qetë çerekfinalen me Holandën, duke kryesuar 2-0 me gati 20 minuta deri në fund të ndeshjes. Përpara se Mesi të dyfishonte rezultatin me penallti, Holanda ishte ende duke u përpjekur që të ndërtonte një mënyrë për të kaluar 1/3-at finale të fushës përmes stilit të zotërimit të topit tipik të Van Galit. Kështu “Tulipanët” nuk po shkonin askund. Argjentina u vendos më thellë në fushë dhe ishte e kënaqur t’ua dorëzonte topin holandezëve në 1 apo 2/3-at e fushës. Diçka duhej ndryshuar ose Holanda do të kthehej në shtëpi duke rënkuar. Van Gal bëri diçka jo aq jokarakteristike. Trajneri legjendar ka gjithnjë një as nën mëngë, një Plan B, në rast se gjithçka tjetër dështon. Te Mançester Junajtid, Maruan Felaini, e bëri shumë mirë këtë rol për Van Galin. Të premten Plani B ishte Veghorst dhe ndoshta edhe Luk de Jong gjithashtu. Veghorst shënoi dy herë, duke i dhënë një shpresë Holandës dhe e dërguar ndeshjen te penalltitë. Argjentina nuk kishte një përgjigje për këtë ndryshim taktik të Van Galit. Si Veghorst ashtu edhe De Jong dominuan dyluftimet në ajër ndërsa Holanda përdori topat e gjatë për dyshen e sulmit.
Lisandro Martinez, Nikolas Otamendi dhe Kristian Romero janë një treshe mbrojtjeje shumë shtatshkurtër dhe nuk po fitonte asnjë duel me dy pykat e europianëve. Kjo është diçka që Kroacia mund ta shfrytëzojë gjatë gjysmëfinales së sotme. Argjentina kërkon të jetë komode kur mbron. Lionel Skaloni është më shumë sesa i kënaqur kur kundërshtari e bën pasimin e fundit përpara linjës së mbrojtjes së tij, ashtu siç bëri Holanda. Por ai do ketë probleme kur t’i sulmohet direkt linja e mbrojtjes. Pavarësisht se një gjë e tillë nuk do të ishte e bukur për t’u parë, duke i sulmuar direkt katërshen e mbrojtjes Argjentinës, mund të ishte me të vërtetë efektive për skuadrën e Daliçit. Me lojtarë si Marko Livaja, Ivan Perisiç, Bruno Petkoviç dhe Ante Budimir, të gjithë të gjatë në sulm, Daliç mund të kërkojë një skuadër më direkte kundër Argjentinës sesa e kemi parë Kroacinë deri tani në këtë Botëror.
BLLOKU KROAT
Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, Kroacia ka rekordin më të mirë në mbrojtje pas Marokut, që në mënyrë të pabesueshme ka pësuar vetëm një gol. Kroatët kanë pësuar tre gola, por vetëm dy gola kanë pësuar gjatë kohës së rregullt. Si mbrojtja ashtu edhe mesfusha punojnë në mënyrë të palodhur dhe në unison kur humbasin topin dhe kjo është arsyeja përse ata janë shumë të vështirë për t’u thyer. Duke parë se Daliç ka përdorur skemën 4-3-3 gjatë turneut deri tani, Kroacia kthehet në një 4-5-1 kur mbron thellë në bllok, me sulmuesit e krahut që qëndrojnë më poshtë bashkë me treshen e mesfushës. Tre lojtarët në qendër janë vendimtarë për të aplikuar presingun te rivalët e tyre, duke dalë vazhdimisht përpara në përpjekje për t’i ushtruar presion lojtarit me top. Për të qenë kaq agresivë sa mesfusha e Kroacisë të duhet të komunikosh shumë me linjën e mbrojtjes. Nëse një mesfushor kapet jashtë pozicioni, një nga qendërmbrojtësit duhet të avancojë përpara gjithashtu.
Janë pikërisht këto hapësirat në fushë që Mesit i pëlqen të shkelë, por edhe të tjerë si Aleksis Mek Allister, Rodrigo de Pol, madje edhe Angel Di Maria, veprojnë gjithashtu në të njëjtat zona. Kroacia duhet të sigurojë që të mbyllë të gjitha hapësirat në mes të fushës dhe qëndrojë kompakte për t’i mohuar Argjentinës mundësinë për të gjetur lojtarët e saj të rrezikshëm mes linjave. Nëse Mesi me shokë arrijnë të marrin pasime mes mesfushës kroate dhe linjës së mbrojtjes dhe shohin portën, ata do t’i dërrmojnë kundërshtarët. Por, nëse europianët mund të bllokojnë zonat qendrore, do t’i detyronin kampionët e Amerikës që të spostoheshin më në krahë. Kur ndodh kjo situatë, Argjentina shkërmoqet dhe skuadra humbet formën e saj, ndërsa të gjithë i drejtohen krahëve gjë që e bën më të lehtë për rivalët duke qenë se nuk është askush për të marrë topin në qendër.
KONKLUZIONI
E çfarë do të thotë e gjitha kjo? Argjentina është favorite për të fituar sot, kryesisht për shkak të faktorit “Mesi”. Ndërsa Modriç është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe padyshim një prej mesfushorëve më të mirë të brezit të tij, Mesi vjen nga një tjetër planet. Përveç kësaj, duke lënë jashtë sulmuesin e PSG-së, Kroacia dhe Argjentina janë gati të barabarta në letër. Rezultati do të vendoset nëse nënkampionët e botës do të arrijnë të ndalin kapitenin e Argjentinës ose jo. Nëse do ia dalin, tifozëve do t’u jepet shansi për të riparë finalen e 4 viteve më parë, sigurisht nëse Maroku nuk do të kursejë nesër as kokën e Francës.