Gjykata e Apelit të Tiranës ka shtyrë seancën për ekstradimin e “kinezit të kumarit”, Liangbin Chen, i akuzuar nga autoritetet e Pekinit se ka ndërtuar një skemë mashtrimi me bastet on-line, me anën e të cilës ka zhvatur 140 milionë euro.
Gjykata njoftoi paraditen e së Mërkurës se “seanca gjyqësore nuk u zhvillua, për shkak të mosparaqitjes së përfaqësuesve ligjorë të personit të dyshuar”.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet javën e ardhshme, në datën 23 nëntor, në orën 9.45.
Procesi gjyqësor në Apel po drejtohet nga gjyqtari Genti Shala, i cili ka shqyrtuar më herët edhe seancën për masën e sigurimit ndaj tij.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët mbi dyshimet e forta për presion politik, por edhe korruptiv, mbi këtë proces gjyqësor.
Përpjekje për mos-ekstradim
Liangbin Chen u arrestua në 20 Korrik të vitit 2022, pasi kërkohej për ekstradim në Kinë. Çështja shkoi para gjyqtarit të Tiranës, Albert Meçe, i cili fillimisht vendosi masën e sigurisë “arrest me burg 40 ditë”, siç parashikon ligji.
Në fund të Gushtit, i arrestuari bën kërkesë për zbutjen e masës së sigurisë, nën argumentin se vuan nga një sëmundje, që i rrezikon jetën në kushtet e qelisë.
Procedura parashikon se kjo kërkesë duhej të shqyrtohej nga i njëjti gjyqtar që kishte dhënë masën paraprake. Por, gjyqtari Meçe ishte në periudhë pushimesh dhe shorti caktoi kolegun e tij, Kujtim Vranici, i njohur për lidhjet e forta me patriotin e tij dibran, Ulsi Manja.
Albert Meçe rikthehet nga pushimet, para se Vranici të shqyrtonte kërkesën Chen për zbutje mase. Në rastet normale, Vranici duhet të dorëzonte dosjen tek gjyqtari përgjegjës.
Por, siç konstatohet nga vendimi gjyqësor, Kujtim Vranici nuk hoqi dorë. Ky qëndrim nxiti prokurorinë e Tiranës që të kërkonte largimin e tij nga shqyrtimi i rastit.
Vranici vijoi shqyrtimin gjyqësor dhe zbuti masën e sigurisë për Chen, duke caktuara “arrest në shtëpi”.
Sjellja jo-proceduriale e gjyqtarit Vranici nxiti Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që të nisë verifikimet mbi shkeljet e mundshme ligjore. “Boldnews.al” mëson se ILD është ende në fazën e shqyrtimit të rastit dhe pritet së shpejti që të dalë në konkluzione.
Me vendimin e Vranicit në dorë, Liangbin Chen “vetë-arrestohet” në një vilë, në një prej komplekseve më luksozë të Tiranës, pranë qendrës tregtare “TEG”.
Prokuroria e kryeqytetit ankimoi vendimin e gjyqtarit Vranici në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku kërkonte rikthimin në burg të kinezit të akuzuar për mashtrim masiv.
Në seancën e parë gjyqësore në Apel, prokurorja Arta Marku, sërish një person i lidhur ngushtë me Ulsi Manjën, vendos të mos përkrahë ankimin e kolegëve të saj të shkallës së parë.
Në këto kushte, trupa gjykuese e Apelit, nën drejtimin e relatorit Genti Shala, detyrohet të lërë në fuqi “arrestin në shtëpi” për Liangbin Chen.
Dyshimet mbi Gjykatën e Apelit
Në vijim, autoritetet kineze i dërguan drejtësisë shqiptare dosjen kundër Chen dhe gjyqtari i Tiranës, Albert Meçe, i cili rimori sërish çështjen, vendosi lejimin e ekstradimit të tij, me një vendim të datës 14 Tetor 2022.
Mbrojtja e të akuzuarit ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit.
Procedura ligjore parashikon që çështja duhet të shqyrtohet nga i njëjti gjyqtar që ka shqyrtuar më herët edhe masën e sigurimit.
Çështja masës së sigurisë së Liangbin Chen në Gjykatën e Apelit u shqyrtua nga gjyqtari relator Genti Shala.
Pra, sipas procedurës, ai duhet të shqyrtonte edhe themelin e kësaj çështje-kërkesën për lejim ekstradimi.
Por, Gjykata e Apelit zhvillon short për zgjedhjen e gjyqtarit dhe rasti i caktohet një prej gjyqtareve të atij institucioni.
“Boldnews.al” mësoi pranë Gjykatës së Apelit që gjyqtarja e shortuar hoqi dorë nga procesi, me argumentin se rasti i Liangbin Chen duhet të gjykohet nga i njëjti që ka shqyrtuar edhe masën e sigurimit.
Përfundimisht, vendimi mbi kërkesën për ekstradimin e Liangbin Chen u rikthye tek gjyqtari relator, Genti Shala, i cili pritet të hapë procesin gjyqësor paraditen e kësaj të mërkure.
Për situatën e shortit, Gjykata e Apelit dha një sqarim zyrtar paraditen e së Mërkurës.
“Në datën 04.11.2022 është regjistruar në Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm dhe po atë ditë cështja i është nënshtruar shortit elektronik, nga i cili është caktuar si gjyqtare relatore Znj. Marsela Dervishi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më tej, gjykata sqaron se: “Në datë 09.11.2022, gjyqtare Marsela Dervishi deklaroi moskompetencën funksionale, duke i dërguar aktet tek gjyqtari Genti Shala, i cili më herët shqyrtoi cështjen që lidhej me masën e sigurimit personal. Në lidhje me përbërjen e trupit gjykues që shqyrton cështjen e ekstradimit, u referua në vendimin nr. 369, datë 15.06.2021 të Gjykatës së Lartë, në të cilin interpretohet neni 493/6 i Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Lartë vlerëson se gjykata që shqyrton kërkesën për ekstradim ka të njëjtën përbërje, si ajo që shqyrton kërkesën për masë shtrënguese”.