Qeveria dhe bizneset duket se po jetojnë në dy realitete të ndryshme. Bizneset po përballen me vështirësi të shumta, që po i çojnë ata shpesh në kufijtë e mbijetesës.
Kostoja e lëndëve të para është rritur për shkak të problemeve të shkaktuara në botë, fillimisht nga ndërprerja e zinxhirit të furnizimit nga COVID-19 dhe më pas nga sulmet e Rusisë mbi Ukrainën.
Energjia është 6-fishuar për bizneset e linjës 35 kv, që janë në treg të lirë dhe pothuajse u dyfishua për ata të linjës 6-20 kv (për momentin, çmimet janë të fiksuara, por nuk dihet sa do të zgjasë).
Fuqia blerëse ka rënë, për shkak të inflacionit, që është më i larti në 22 vjet dhe pritet të mbetet i tillë të paktën edhe vitin e ardhshëm. Gjetja e fuqisë punëtore është një mision pothuajse i pamundur, për shkak të emigracionit të lartë, duke i shtyrë bizneset të rrisin pagat, ndërkohë që produktiviteti po ulet nga shtrenjtimi i kostove.
Kostoja e parasë vetëm do të bëhet më e shtrenjtë, pasi të gjitha parashikimet e institucioneve pohojnë se inflacioni tashmë është një fenomen afatgjatë.
Në anën tjetër kemi qeverinë, që jo vetëm nuk rezulton se po e merr seriozisht situatën, por po u jep dhe goditjen e fundit bizneseve nëpërmjet paqartësive, pasigurive apo paqëndrueshmërive që po përçon në ambientin ekonomik.
Si gjithmonë, biznesi dhe sipërmarrja do të duhet të përballen, jo vetëm me ndikimet globale dhe vështirësitë e mjedisit ekonomik në tërësi, por dhe me nismat shtrënguese të Qeverisë, e cila zgjedh kohën më të pafavorshme për t’i zbatuar ato, e që kanë vetëm një rezultat të pritshëm: tkurrjen e konsumit, rritjen e varfërisë dhe përshpejtimin e një krize të mundshme.
Paketa e fundit fiskale është një tjetër dëshmi se si vetë qeveria po kthehet në një faktor që rrit rreziqet për bizneset. Në vend që të kthehej në një mjet, i cili do të stimulonte ekonominë dhe sipërmarrjet në këto kohë të vështira, ashtu siç ishte pritshmëria e bizneseve, paketa e vë theksin te shumëfishimi i gjobave, që në fakt vetëm sa dëshmon dështimin e saj në vite për të luftuar evazionin për shtigje, të cilat i ka hapur vetë.
Përse u bë një reformë e tërë për informatizimin e sistemit tatimor, nëpërmjet investimit gati 20 milionë euro në sistemin e ri të fiskalizimit, kur sërish po shkohet te gjoba, që dihet se është një mjet arbitrazhi në duart e administratës tatimore?
Pamundësia për të luftuar informalitetin e shtyu qeverinë të godasë direkt industrinë prodhuese të birrës, duke hequr diferencimin e akcizës, që në fakt ekziston në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe të unifikonte akcizën në një nivel më të lartë.
Fabrikat, që prej vitesh po hasen me konkurrencën nga importi, kanë deklaruar tashmë se janë në rrezik falimentimi dhe rrezikojnë të lënë pa punë mbi një mijë punonjës. E njëjta gjë po bëhet dhe për industrinë e pjeve alkoolike.
E njëjta gjë me industrinë e fasonit. Pasi hoqi TVSH-në e nënkontraktove pak vite më parë, paketa e re tenton sërish ta rizbatojë atë, duke rënë si një rrufe në qiell të hapur mbi bizneset, që u gjendën të pakonsultuara dhe të papërgatitura.
Sikur të mos mjaftonte fakti që sektori prodhues vendas ka nivelin më të ulët të konkurrueshmërisë në rajon, politikat fiskale, në emër të barazisë tatimore dhe heqjes së përjashtimeve, po i ulin gjithnjë e më shumë aftësitë konkurruese.
Do të ishim dakord që trajtimi të ishte i barabartë për të gjithë, megjithatë përvoja ka treguar se kjo nuk ndodh asnjëherë dhe gjithnjë ka grupe interesi, të cilat arrijnë të gjejnë rrugën për të përfituar favore të ndryshme. Pak, ose aspak, kemi parë nisma që të tentojnë të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë në tërësi, që do të ishte arma më e mirë për të luftuar krizën.
Komunikimi dhe arsyetimi nga qeveria është gjithnjë gjysmak. Nuk mungojnë asnjëherë idetë dhe nismat për paketat fiskale, të cilat peshojnë në kahun e rritjes së të ardhurave, përfshirë edhe faktin që pothuajse gjithmonë rrisin penalitetet e ngarkesën fiskale.
Por pothuaj kurrë nuk kemi komunikime transparente dhe me ndikim të dukshëm në përmirësimin dhe përgjegjshmërinë në kahun e shpenzimeve, edhe këto një element i rëndësishëm për rritjen ekonomike, kur përdoren me eficiencë.
Modeli i 30 viteve ka treguar se është keqpërdorimi i parave që zhbën çdo efekt pozitiv të politikave fiskale dhe nxit më tej evazionin. Rritja e gjobave pa zhbërë këtë model është tërësisht jo eficiente, përkundrazi do të rrisë edhe më tej kulturën e korrupsionit në vend.
Për momentin, vëmendja më e madhe e institucioneve është tek amnistia fiskale, pavarësisht kundërshtimeve të hapura, si nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu dhe nga Komisioni Europian, që kanë paralajmëruar se kjo nismë dëmton moralin tatimor, duket si kartë për evazorët dhe përbën rrezik për pastrimin e parave.
Nuk e dimë nëse qeveria e ka të qartë realitetin, por ajo po sillet sikur po jeton në botën e saj të çudirave, a thua se amnistia është shkopi magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet! Ndërkohë që nuk heq dorë nga gjobitja.