Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti gjatë shoqërimit nga policia në Komisariatin Nr.3 pas një ndjekje në zonën e “Don Boskos” është e shoqëruar me hije të forta misteri.
Janë pikërisht deklaratat e Uniformave Blu, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe zërat nga Spitali i Traumës që japin versione të ndryshme mbi ngjarjen dhe mënyrën sesi i riu ndërroi jetë, që ngjasojnë me historinë kontradiktore të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor 2020 në kryeqytet.
Fillimisht ishte policia që njoftoi mediat duke thënë se gjatë patrullimit në zonën e “Don Boskos” rreth orës 23:07 i kanë bërë thirrje për të ndaluar Laer Kurti, por ai ka ikur me vrap.
Policia e ka ndjekur më pas duke e ndaluar dhe e ka shoqëruar në ambientet e komisariatit, ku sipas tyre 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ndërkohë AMP, që drejtohet nga Ardi Veliu deklaroi më pas se Kurti ishte dërguar në spital pas shqetësimeve në gjendjen shëndetësore dhe ka humbur jetën në ambientet e Traumës.
“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Por kjo deklaratë duket e dyshimtë, pasi burime për mediat nga Spitali i Traumës kanë sqaruar se i riu ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre dhe për këtë arsye trupi nuk është ekzaminuar, por është dërguar menjëherë për në morgun e QSUT-së.
Në bazë të procedurave në raste të tilla, kur një person mbërrin pa shenja jete dhe konstatohet që ka humbur jetën, mjekët e kanë të ndaluar ta prekin apo të bëjnë ndërhyrje në trupin e tij, ndaj te Spitali i Traumës mohojnë të kenë kryer ndërhyrje te 32-vjeçari.
Ndërkohë, sipas Top Channel që i referohet burimeve nga policia, Laer Kurti pas prangosjes ka qëndruar në një stol pa shfaqur probleme derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi.
Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit.
Sakaq, gjatë rrugës për në komisariat ai ka shfaqur probleme shëndetësore si dridhje trupi dhe nxjerrje sekrecionesh.
Për të përforcuar edhe më tepër dyshimet lidhur me vdekjen e të riut, shërben edhe deklarata e babait të tij, i cili ka mohuar që 32-vjeçari të ketë pasur probleme shëndetësore si epilepsia, siç edhe është përfolur në media.
“Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan”, ka thënë Artur Kurti, i cili akuzon policinë se “e ka mbytur” djalin e tij.