Gazeta britanike “Times” ka dhënë sot alarmin se Vladimir Putin është i gatshëm të përdorë në kushtet aktuale armët bërthamore në kufi me Ukrainën për të çuar përpara aksionin e tij ushtarak për pushtimin e vendit.
Me Rusinë që vazhdon të humbasë territore në Ukrainë, Kremlini ka treguar gatishmërinë e tij për të përshkallëzuar tensionet edhe me përdorimin e armëve bërthamore.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po shikon me shqetësim të dukshëm përshkallëzimin e retorikës nga Kremlini dhe kërcënimet e ditëve të fundit. Në këtë kontekst të monitorimit nga afër të lëvizjeve të Moskës, NATO po paralajmëron anëtarët e saj se presidenti rus është i gatshëm të përdorë armë të shkatërrimit në masë duke e nisur me një provë bërthamore në kufirin e Ukrainës.
Frika për taktikat e ardhshme të Vladimir Putinit u shtua dje, pasi një raport i gazetës britanike “Telegraph” publikoi një video të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqej një autokolonë ruse që transportonte pajisje në kufirin me Ukrainën, të përdorura në armë bërthamore. Automjetet ushtarake ishin në majë të vagonave të hapura të trenit në një zonë në Rusinë qendrore.
“Këto janë në të vërtetë pajisje që i përkasin Drejtorisë së 12-të të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse”, shpjegoi analisti ushtarak Konrad Muzika. ” Kjo drejtori është përgjegjëse për municionet bërthamore, ruajtjen, mirëmbajtjen, transportimin dhe asgjësimin e tyre në njësitë vendore”, shtoi ai.
Një burim i lartë i mbrojtjes , megjithatë, sipas British Times vuri në dukje se Putini ka të ngjarë të demonstrojë gatishmëri duke përdorur armë bërthamore në Detin e Zi. Por një veprim i tillë do të përmbyste tabunë e kahershme për zhvillimin e armëve bërthamore dhe do ta vinte botën në rrezik vdekjeprurës.
Madje besohet se streha në të cilën Putin do të fshihet në një rast të tillë së bashku me familjen e tij, këshilltarët dhe zyrtarët e lartë është bërë gati. Sipas kanalit General SVR, është një strehë e sigurt nga sulmet perëndimore.
Putini besohet të ketë disa bunkerë në Siberi, me një të lidhur me terminalin e ri masiv të gazit të lëngshëm natyror në Sabeta në gadishullin Yamal dhe një tjetër në malet Altai.
3 skenarët për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia
Skenari 1: Goditja me shembull
Skenari i parë që analistët kanë zhvilluar për përdorimin e armëve bërthamore taktike është ta bëjnë këtë në një kuptim demonstrimi pa viktima. Mund të jetë, shkruan Financial Times në analizën e tyre, një shpërthim nëntokësor ose në Detin e Zi në një lartësi të madhe mbi Ukrainë ose ndonjë zonë të pabanuar si Fidonisi.
Pulsi elektromagnetik i një goditje e tillë do të “digjte” të gjitha pajisjet elektrike të pambrojtura, ndërsa radioaktivitetim edhe pse fillimisht i lartë, më pas do të zvogëlohej në 1% brenda 48 orëve të para. Megjithatë, pluhuri radioaktiv që do të lëshohet në 24 orët e para përbën një rrezik ekstrem biologjik, ndërsa erërat mund të bartin grimca radioaktive në shumë pjesë të botës.
Sipas analistëve, edhe një goditje e tillë mund të shkaktojë një përshkallëzim dhe të rrisë rreziqet e një sulmi rus në një qytet të madh.
Skenari i dytë: Goditja e një objektivi ushtarak
Skenari i dytë përfshin një goditje ndaj një objektivi ushtarak ukrainas ose infrastrukturës kryesore – p.sh. një sulm me raketa në centralin bërthamor të Zaporizhia. Çështja nëse dhe në çfarë mase kjo do të ishte e dobishme për Putin mbetet e hapur. Forcat ukrainase, sipas FT, janë të shpërndara gjerësisht dhe studimet amerikane kanë treguar se një kokë e një rakete bërthamore prej një kilotonësh do të duhej të shpërthehej brenda 90 metrave nga një automjet i blinduar për të shkaktuar dëme serioze.
Disa analistë argumentojnë se nuk do të kishte kuptim për Rusinë për të goditur objektivat ushtarake të vendosura në zona që Moska i konsideron të sajat, sepse ushtria ruse, morali i së cilës është tashmë i ulët, do të ekspozohej gjithashtu ndaj mbetjeve radioaktive.
Skenari i tretë: Sulmi ndaj një shteti anëtar të NATO-s
Skenari i tretë, i cili është edhe më ekstremi dhe ai me pasojat më të mëdha, do të ishte një goditje me armë bërthamore ndaj një shteti anëtar të NATO-s, përfshirë SHBA-të. Ky është sugjerim i formuluar nga grupet e ekspertëve rusë, të cilët argumentojnë se Rusia duhet të tregojë se është serioze kur kërcënon me një sulm bërthamor.
Reagimi i botës perëndimore në rastin e një sulmi ndaj një shteti anëtar të NATO-s, është i vështirë të parashikohet. Neni 5 i kartës së NATO-s i cili parashikon një përgjigje kolektive nga shtetet e tjera anëtare do të vihej në veprim dhe Rusia do të rrezikonte një përgjigje gjithëpërfshirëse bërthamore nga SHBA.
Muajin e kaluar, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se çdo sulm bërthamor rus do të kishte “pasoja katastrofike” pa elaboruar, duke shtuar se Uashingtoni e kishte informuar Moskën në diskutime private për reagimin e Perëndimit.
Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi për “pasoja të rënda” për Rusinë, të cilat, sipas ish-drejtorit të CIA-s, David Petraeus, mund të përfshijnë një sulm ushtarak konvencional që do të shkatërronte Flotën e Zezë.