Nga Ilir Kalemaj
Erërat e ndryshimit politik po fryjnë në vendet e Bashkimit Evropian. Pas përformancës së fortë elektorale të Marinë Lë Pen-it në Francë ku arriti rezultatin më të mirë deri më sot, deri në 41 përqind në raundin e dytë të presidencialeve, Makron i cili së fundmi i ka ndryshuar emrin partisë në “Rilindje”, ka përpara sfida jo të lehta për Francën por dhe ambicien e tij për të udhëhequr Evropën. Ndërkohë në zgjedhjet e 11 shtatorit në Suedi, koalicioni i krahut të djathtë i kryesuar nga të moderuarit e qendrës së djathtë siguroi 175 vende në parlamentin prej 349 vendesh. Ndërkohë, blloku i qendrës së majtë, i udhëhequr nga socialdemokratët, kishte 174. Aleanca drejtohet nga kryeministria Andersson. Të Moderuarit do të jenë decizivë në formimin e qeverisë së re dhe me shumë mundësi marrin dhe postin e lakmuar të kryeministrit por nuk është për t’u anashkaluar agjenda politike e dominuar nga të djathtët, çka përbën risi për një vend nordik si Suedia.
Nga ana tjetër në zgjedhjet e djeshme në Itali nuk pati supriza. Pra ndodhi saktësisht ajo që sondazhet dhe matjet e opinionit publik kishin kohë që parashikonin. Aleanca e krahut të djathtë e kryesuar nga Meloni- e cila përfshin gjithashtu Ligën e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit dhe qendrën e djathtë të ish kryeministrit Silvio Berlusconi, Forza Italia – do të marrë kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve, me rreth 44% të votave. Forca që ajo drejton, ‘Vëllezërit e Italisë’ pati një rritje dramatike nga rreth 4 përqind e votave katër vjet më parë në plot 26 përqind, pra e gjashtëfishuan rezultatin elektoral, të ndihmuar dhe nga fakti që nuk u bënë pjesë e qeverisë së unitetit kombëtar të drejtuar nga Draghi.
Duke marrë parasysh rezultatin e dobët të Ligës së Salvinit por edhe të Forza Italias së Berluskonit që doli siç pritej në sondazhe, të dyja nën 9 përqind respektivisht, por edhe ndryshimet kushtetuese për reduktimin e numrit të deputetëve dhe senatorëve, Meloni do të ketë një mandat të fortë politik, ndonëse aspak të lehtë. Kjo dhe për faktin që rënia me 3 përqind e pritshme e ekonomisë së Italisë është më e larta në Eurozonë dhe kriza ka filluar të ndjehet megjithë paketën ndihmëse që Italia përfiton nga BE-ja dhe që ishte negociuar më parë nga qeveria Draghi. Suksesi dramatik i partisë së saj në votim maskoi faktin se aleatët e saj performuan dobët, me partinë e Salvinit që ra nën 9%, dhe Forza Italia edhe më poshtë. Katër vjet më parë, ‘Vëllezërit e Italisë’ fituan pak më shumë se 4% të votave, por këtë herë përfituan nga qëndrimi jashtë qeverisë së unitetit kombëtar që u shemb në korrik.
Në përgjithësi, pritet një dimër i ashpër dhe vençarisht sfidues për shumicën e kontinentit, të ballafaquar njëherazi me krizën energjetike si pasojë e shantazhit rus, kërcënimin bërthamor që shoqëron si hije sagën e pushtimit rus në Ukrainë, bllokimet e transportit që kanë rritur ndjeshëm kostot e ushqimit që prek sidomos shtresat e varfra në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo shoqërohet shpesh me mungesë vizioni, mungesë së diversifikimit ekonomik dhe politikave mediokre mbështetëse si rasti i Shqipërisë që shoqërohen me zhurrmë propagandistike që gjithsesi nuk zbut plagët sociale.
Përjashtimet në një Evropë të goditur nga kriza janë të vogla por gjithsesi në disa vende do të ndjehen më pak. Franca është më e mbrojtur nga kriza energjitike dhe më pak e varura nga eksportet ruse të naftës dhe gazit nga pjesa e Evropës Perëndimore. Hungaria ka arritur të ketë një diversifikim të mirë të ekonomisë së saj, të krijojë një bum të prodhimit të makinave elektrike, investimeve të hujaa në prodhimin e baterive, vijimin e tërheqjes së investimeve ruse dhe kineze përpos atyre perëndimore dhe politikave të forta sociale, pavarësisht problemeve politike me Brukselin që qeveria e Orbanit është duke përjetuar dhe mund të çojnë në kufizimin e rreth dy të tretave të fondeve të BE-së për Hungarinë.
Është ende herët për të dhënë një prognozë të saktë dhe nga ata vëzhgues të hollë të çështjeve ekonomike dhe gjeopolitike që janë gjithsesi skeptikë ose pesimistë në lidhje me të ardhmen e afërt. Që pritet të ketë erëra të forta kjo nuk diskutohet, madje dhe ndonjë ciklon dhe nuk përjashtohet ndonjë tornado, por a do të kemi ndonjë tsunam kjo vështirë të thuhet me saktësi. E rëndësishme është që vendi ynë për aq sa rrezikohet nga disa nga këto fenomene globale dhe kohëra të turbullta politike, aq edhe është deri diku i imunizuar prej tyre, duke filluar me efekteve e krizës energjetike, normalizimit të çmimit të naftës në tregjet globale apo tregjeve alternative për drithërat. Ndërkohë që mazhoranca ka luksin të ketë përballë një opozitë të fragmentarizuar, një shtresë në zgjerim të pakënaqurish që alternativë të vetme shohin largimin me biletë një-drejtimëshe nga vendi dhe shoqëri civile të përgjumur. Gjasat janë të vogla që të kemi ndonjë tërmet politik të brendshëm megjithë tramundanën ekonomike që po afron.