Prokurori turke ka kërkuar gjatë seancës së tretë, që themeluesi i Thodex, Faruk Fatih Ozer të dënohet me 40 vite burg për 3 krime të ndryshme. Ozer u arrestua pak ditë më parë në Shqipëri për mashtrim.
Më 2017 Faruk Ozer krijoi bursën Thodex ku tregtoheshin kriptomonedha. Në thodex u krijuan llogari të tyre rreth 400 mijë qytetarë kryesisht turkë, të cilët kishin investuar rreth 2.7 miliardë dollarë.
Prej prillit të vitit të kaluar Turqia kërkoi me insistim nga autoritet shqiptare arrestimin e 28-vjeçarit, i cili në vendin e tij kishte ngritur një skemë mashtrimi, që kapte vlerën rreth 2.7 miliardë dollarë.
Faruk Fatih Ozër ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti turk. Ai akuzohet se u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, ndërsa ai ishte parë të qarkullonte edhe më parë vendin tonë, pas shpalljes në kërkim. Ozër mendohet se mashtroi rreth 400 mijë njerëz dhe u zhduk me 108 milion dollarë.
Kompania përmes të cilës vepronte Ozër shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Si i akuzuar se ndihmoi turkun në kërkim u arrestua nga policia shqiptare Edevaldo Haxhiu, i cili u lirua nga gjykata më pas. Haxhiu pretendoi se nuk e dinte që Ozër ishte në kërkim.
Më 22 prill të këtij viti, Turqia filloi zyrtarisht hetimet pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua me dokumente dhe regjistrime se pronari i kompanisë i dyshuari Faruk Fatih Özer ishte larguar jashtë vendit më 20 prill, kanë raportuar mediat turke.
Më pas, u lëshua një urdhër-ndalimi për 82 persona të dyshuar përfshirë edhe Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër-arresti.
Özer u filmua nga kamerat e sigurisë teksa hynte në një hotel në Tiranë, pas largimit nga Turqia.