Loredana dhe futbollisti Edon Zhegrova mund të jenë çifti më i ri i “showbizz”-it.
Ditëlindja e 27-të e reperes, ngre akoma dhe më shumë dyshime se këto “thashetheme” janë të vërteta.
Edon Zhegrova, me të cilin u përfol për një lidhje pak muaj më parë, ka publikuar në “Instagram” disa foto të papublikuara të tyre. Krah fotove ai shkruan: “Gëzuar ditëlindjen gruaja më Gangsta që njoh”.
Në një nga fotot e publikuara, ata shihen bashkë në makinë. Në një tjetër shihen duke ecur të përqafuar me çanta në duar dhe në një foto tjetër shihet Loredana me bluzën e Edonit dhe dy duar rreth belit të saj, por nuk dihet se kë po përqafon ajo.
Postimi i yllit të Kombëtares Kosovare të Futbollit vjen pasi u raportua se ai është në një lidhje me reperen. Këtë herë polemikat nuk u krijuan nga mediat shqiptare, por ato zvicerane.
Ishte një nga mediumet më të mëdha në Zvicër “Blick”, që publikoi një artikull dedikuar dy yjeve ku shkruante se ata kanë nisur një romancë. Shkak u bë një foto e përbashkët e tyre.
Ndonëse nuk është një provë e mjaftueshme, sepse ata nuk janë parë më herët bashkë, kjo nuk i ndaloi zërat edhe pse mund të kemi të bëjmë thjesht me një miqësi. Futbollisti 23-vjeçar jeton në Francë pasi vitin e kaluar u bë pjesë e Lille.