Në valën e re të kalimit të “La Manshit” me gomone, me fluksin më të madh të emigrantëve të paligjshëm që janë shqiptarë, Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel, ka hasur në kundërshtinë e parë për planin e saj të zhvendosjes së azilkërkuesve në Ruanda.
Sipas mediave britanike, plani për të “goditur” shpresat e azilkërkuesve që në nisje të udhëtimit, kundërshtohet nga nënpunësit civilë, për shkak se shkel ligjet e skllavërisë.
Sekretarja e Brendshme ka hartuar propozime për t’i dhënë fund keqpërdorimit të ligjeve moderne të skllavërisë nga emigrantët ekonomikë që pretendojnë se janë trafikuar jashtë vendit.
Plani i saj synon të mbyllë një boshllëk në ligj që është shfrytëzuar nga qindra emigrantë nga Shqipëria këtë vit, me më shumë se 6000 prej tyre, që besohet të kenë kaluar Kanalin për në Britani nga fillimi i 2022.
Plani duhej të prezantohej si një ndryshim në projektligjin e ri të skllavërisë moderne këtë muaj, por aleatë të Patel i thanë DailyMail se planet refuzohen nga zyrtarë të lartë të Home Office.
Një burim pretendoi se propozimet ishin bllokuar personalisht nga sekretari i përhershëm i Zyrës së Brendshme, Matthew Rycroft.
I gjithë debati publik mbi mënyrën sesi do të ndalohet fluksi i azilkërkuesve, vjen në një kohë që shifrat rritën çdo ditë, me 960 emigrantë që mbërritën në Britani të shtunën, një nga kalimet ditore më të mëdha të realizuara ndonjëherë.