Gjergj Meta
I dashur Dom Gjergj, më sh kruaje para disa kohësh një letër. Edhe pse nuk ma përmendje emrin, e dija që e kishe për mua. E lexova në burg në fakt, në gazetë. Ia kishe qëlluar me fjalët e tua dhe nuk e fsheh që më preke, por edhe më revoltove paksa. Po t’i them arsyet pse. Më preke, sepse më kujtove fëmijërinë. Ah sa do të kisha dashur të më rikthehej edhe një herë ajo pafajësi e fëmijërisë. Atëherë kur ndihesha i sigurt në duart e prindërve të mi, kur luaja në oborrin e Kishës, sikurse thua ti. Madje edhe kur na bërtisje se ne nuk rrinim urtë në Kishë. E mban mend njëherë që ti po predikoje dhe ne thyem shishen e verës duke bërë një zhurmë të madhe e ia mbathëm duke bërtitur? U zemërove dhe na bërtite atëherë, por përsëri na pranove të dielën tjetër me buzëqeshje. Më vjen të qesh kur i kujtoj ato “bëma”.
Ishte koha e pafajësisë. Më preke ama edhe sepse më kujtove nënën që nuk i mbijetoi tumorit dhe që nuk patëm mundësi ta kuronim ashtu si duhet e të kujdeseshim për të, pasi ishim të vegjël e shumë të varfër. Kujtova sytë e nënës sime, të përlotur që po ikte dhe po na linte të vegjël (unë isha më i madhi 14 vjeç) e të varfër. Por tani fillon edhe revolta ime. Revoltën e parë e kam me Zotin.
A nuk ishim të gjithë fëmijë njësoj në atë oborr të Kishës që luanim? A nuk ishin edhe të gjitha nënat tona njësoj? E pse unë me motrat e mia mbetëm jetimë, e pse nëna jonë vdiq vetëm 32 vjeçe?
Ku ishte Zoti kur unë mbeta jetim dhe kur nëna ime klithte nga dhimbjet e sëmundjes? Ti erdhe në funeral dom Gjergj, kishe ardhur edhe ndonjëherë tjetër kur nëna ishte e sëmurë, por sapo mbaroi funerali ti ike, të gjithë ikën e ne mbetëm vetëm me një baba të pamundur për të na shërbyer, sepse ishim të varfër, shumë të varfër dhe ai ishte i vetëm. E pres një përgjigje nga ty dom? Ose nga vetë Zoti… Revoltën tjetër e kam me shtetin. Po, po, pikërisht ai shtet, që tani më ka rrasur pas hekurave pse paskam kultivuar kanabis, është i njëjti që nuk iu përgjigj nënës sime kur kishte nevojë për kura të shtrenjta, për ekzaminime të specializuara.
Sa herë kishim kemion e na duhej ta blinim vetë ilaçin, sepse nuk gjendej atë ditë. E hymë në borxh për ato ilaçe. Ai shtet nuk u kujdes për kurat paliative, të fundjetës e në fund i njëjti shtet, kur ne mbetëm jetimë, u tall duke na ofruar një mbështetje sociale qesharake për katër fëmijë që do të shkonin në shkollë, të visheshin, të hanin, të udhëtonin, të kishin një jetë të dinjitetshme. Ne u braktisëm nga të gjithë, po, po nga të gjithë.
Edhe nga shteti ynë. Prandaj unë kur mbarova klasën e nëntë, nuk shkova në shkollë si të gjithë ata fëmijët e tjerë të oborrit të Kishës, sepse isha betuar që do të gjeja një punë, do të bëja diçka që e ardhmja ime të mos ishte si ajo e prindërve të mi. Revolta ime e fundit është me ty, dom Gjergj. I radhit bukur germat në kompjuter e në fund të fundit çfarë të kushton. Por kur kaloje aty në rrugët e fshatit tim, si dreqin nuk u ndale njëherë të pyesje se ku isha? Çfarë po bëja? A kisha gjetur një punë? A isha gjallë xhanëm? Nuk e bëri asnjeri këtë gjë e as ti.
Të ra ndërmend për mua vetëm kur dëgjove emrin tim në media. Atëherë u kujtove se kushedi të ka brejtur edhe ndërgjegjja, por unë tani isha pas hekurave dhe ishte pak vonë të pyesje për mua. Dhe a e di, dom Gjergj, si shkoi historia? Kur të gjithë na braktisën, kur edhe shteti u bë shurdh ndaj nevojave tona, po, po i njëjti shtet që tani do të luftojë kanabisin, m’u afrua dikush që ishte një kushëri i largët i babait.
Erdhi një ditë në shtëpinë tonë me një makinë superluksoze dhe i tha babait: “Për djalin do të kujdesem unë. Do të punojë me mua. Do të shohësh që do të jetë mirë”. Dhe kështu fillova të shkoj me të. Hipa për herë të parë në një makinë të bukur. Filloi të më jepte edhe lekë. Mësova duhanin, e ktheja edhe ndonjë gotë raki me të e me shokët e tij e pastaj filloi puna. Më duhet të ruaja parcelën që ishte mbjellur me kanabis atje pas kodrave të fshatit tonë.
Të gjithë e dinin, sepse aty punonin shumë e jo vetëm unë. Banorët e zonës kishin dhënë tokën me qira, disa e kishin mbjellë, të tjerë e ruanin e më pas përpunohej e shkonte ku duhej të shkonte. Sa net kam kaluar me një kallashnikov në dorë për të ruajtur parcelat. Merrja shumë para, gatigati 20 mijë apo 30 mijë nata (të vjetra kuptohet). Çoja para në shtëpi e kisha edhe për vete. U bleva motrave rroba, babait rroba, filluam të rregullonim diçka në shtëpi. Ishte gjithçka një parajsë, derisa atë mbrëmje pa pritur e pa kujtuar u gjenda i shtrirë përtokë me një tytë arme në kokë. Shteti kishte ardhur. E në atë moment u zhdukën të gjithë, madje edhe ai i afërmi me makinë superluksoze.
Thjesht më kishte thënë: “Çfarëdo të ndodhë, emrin tim mos e nxirr nga goja”. Sapo hyra në burg, m’u afrua dikush e më tha: “Mos nxirr gjë nga goja, sidomos emrin e atij, se je i vdekur”. Mbeta edhe një herë vetëm. Edhe një herë jetim. Jetim përgjithmonë. Dhe tani qesh sa herë që dëgjoj në TV, pasi këtu në burg kemi edhe TV, që ne, të burgosur për përpunim lëndësh narkotike, qenkemi kriminelë. Unë, pikërisht unë, që luaja pafajësisht në oborrin e kishës sonë, tani jam kriminel.
Më thoshe në letrën tënde që nëse do të dua, në fund të tunelit ka dritë. Unë jam në një tunel tani vërtet. Jam në një ferr këtu në burg, brenda dhe jashtë vetes sime. Pres që një ditë të dal nga ky ferr ku jam, por kam frikë se kur të dal, nuk do të gjej dritë, pasi nuk do jetë njeri te dera që të më presë, ose prit pak… mund të jetë përsëri ai kushëriri i largët i babait me makinën e tij superluksoze, që më pret krahëhapur për të më përcjellë për në… parcelën tjetër! Apo ndoshta… do të jesh ti dom?