Bastisja e pronës së Donald Trump nga agjentët e FBI-së ka shkaktuar një stuhi politike në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Për mbështetësit e miliarderit të pasurive të patundshme, kontrolli në resortin “Mar a Lago” është pjesë e një strategjie të demokratëve për t’i ndaluar atij rikandidimin në vitin 2024.
Mes tyre është strategu republikan, Seth Weathers, i cili e ka quajtur operacionin e agjentëve federalë një veprim mizor dhe fyes.
Weathers ka deklaruar se me këtë lëvizje është vendosur një precedent që do të jetë shumë e vështirë të zhbëhet.
“Autorizimi ligjor i mandatit të kontrollit ishte i motivuar politikisht dhe qasja e administratës së presidentit Biden ka arritur nivele të paprecedenta. Askush nuk mendonte se një gjë e tillë do të ndodhte”, ka thënë Weathers.
Nga ana e tij, Biden është përpjekur të distancohet nga ngjarja dhe burime nga Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar se ai nuk ishte njoftuar për kontrollin e kompleksit të paraardhësit të tij në detyrë.
Ndërkohë, për gazetarin Daniel Lippman, i cili ka mbuluar gjerësisht aktivitetet politike në Uashington, ish-presidenti Trump nuk mund t’i mbante dokumentet e klasifikuara pas largimit nga Dhoma Ovale, të cilat përflitet se u sekuestruan nga FBI në operacionin e së hënës.
“Fakti që po largoheni nga detyra nuk do të thotë se dokumentet mbi të cilat keni punuar janë tuajat. Ish-krerët e shtetit janë të detyruar t’i dorëzojnë dokumentet presidenciale”, ka thënë Lippman, i intervistuar nga BBC.
Ndërkohë, kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel është shprehur se operacioni i FBI-së ka pasur si synim cenimin e përpjekjeve të republikanëve për mbledhjen e fondeve për kandidatët e tyre.
“Duhet të marrim sërish në duar frenat e pushtetit. E vetmja mënyrë për t’i ndalur ata është duke fituar si Dhomën e Ulët, edhe Senatin”, ka thënë McDaniel për FoxNews.
Ajo ka shtuar se Trump ka të drejtë kur e krahason bastisjen e pronës së tij me skandalin “Watergate”. “Kjo është e frikshme, nuk i përket demokracisë sonë”, ka shtuar McDaniel.
Por për kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kontrolli i FBI-së është një lëvizje serioze, që tregon se as ish-presidentët nuk janë mbi ligjin.
“Ne besojmë tek sundimi i ligjit dhe kjo është karakteristikë e vendit tonë; asnjë person nuk është mbi ligjin, as presidenti dhe as ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Pelosi./Euronews