Perëndimi po përballet me krizën e çmimeve të larta të energjisë dhe furnizimeve të pakta. Me një peshë prej vetëm 2 për qind të PBB-së, eksportet e gazit natyror nuk janë një problem kritik për Kremlinin. Por importet e gazit janë shumë jetike për klientët e tij si Gjermania.
Bashkitë e shumë qyteteve gjermane, kanë urdhëruar mbylljen e pishinave me ujë të ngrohtë. Shumë më e keqe është ajo që pritet të vijë. Çmimet e gazit për furnizimet dimërore janë 7 herë më të larta se sa niveli i tyre afatgjatë. Disa kompani energjetike në Francë dhe Gjermani janë rrënuar tashmë, dhe po bëhen gati të marrin paketat e shpëtimit.
Më pas radhë do t’i takojë kompanive industriale të goditura nga racionimi i energjisë.Gjermania i mbron konsumatorët e saj nga çmimet e tregut, por nuk mund të mbrojë dot vendet e tyre të punës. Kjo krizë e rëndë, do të testojë unitetin e Evropës, në një mënyrë të tillë që është parë herë të fundit gjatë krizës së migracionit të vitit 2015, apo krizës së euros pas vitit 2010.
Situata do të jetë ideale për politikanët populistë, që të etur të qetësojnë votuesit e tyre, do të ndalojnë eksportet e energjisë tek vendet më në nevojë, duke e shkatërruar tregun e përbashkët
të BE-së. Pasi mungesa e vërtetë e energjisë, nuk është në molekula dhe elektrone. Por tek ajo e energjisë politike:e sinapseve në trurin e politikanëve dhe votuesve.
Perëndimi po lodhet nga lufta në Ukrainë, ndërsa kostot e përballjes me Rusinë, po bëhen më të mëdha dhe gjithnjë e më të dukshme. Deri më sot, rreziku duket i largët. Ukraina po merr armë të reja, edhe shumë ngadalë. Donatorët perëndimorë po japin Kievit para për të mbajtur në këmbë ekonominë e shkatërruar nga lufta.
Bashkimi Evropian sapo ra dakord për një kredi tjetër urgjente prej 1 miliardë eurosh.Pavarësisht mijëra viktimave, morali i ukrainasve është ende i lartë. Ofensivës ruse në Donbas i ka mbaruar vrulli, dhe të paktën tani për tani rusët po humbin terrenin e fituar në jug.
Por kjo panoramë është iluzore. Ukraina po shtyp para për të mbijetuar dhe në sasi të rrezikshme. Të ardhurat nga taksat dhe doganat po bien. Eksportet janë tkurrur. Rezervat e Bankës Qendrore po zvogëlohen:vetëm në qershor ranë me 10 për qind. Ukraina thotë se i duhen 9 miliardë euro në muaj për të vazhduar përpara, ose sa dyfishi i vlerësimeve të mëparshme.
Naftogaz, kompania shtetërore e energjisë, po përpiqet të paguajë mbajtësit e bonove të saj. Janë premtuar shumë para; por shumë më pak janë dhënë. Vendeve perëndimore, të shqetësuara për mbrojtjen e tyre, dhe me industritë e tyre të armëve që janë dizenjuar për të pasur prioritete të tjera, po u mbarojnë armët që mund të dërgojnë në Kiev.
Ukraina ka marrë mjaftueshëm armë nga miqtë për të penguar humbjen e saj, por jo aq sa për të siguruar fitoren. Në luftën e shkatërrimit masiv që po zhvillohet aktualisht, Rusia, më e madhe dhe me rezerva më të mëdha armësh të modës së vjetër, ka avantazhe ndaj Ukrainës.
Shtojini kësaj edhe tensionet politike dhe ekonomike me të cilat do të përballemi këtë dimër që po vjen, dhe tabloja duket tepër e zymtë. Por shumë më të zymta do të jenë rezultatet e frikës dhe pavendosmërisë. Vladimir Putin ka dy synime në këtë luftë. Njëra është shkatërrimi i Ukrainës si një shtet funksional. Tjetra është të tregojë se vullneti i tij, është më i fortë se ai i Perëndimit.
Imagjinoni se si do të duket bota nëse ai ia del mbanë. Një fitore për Rusinë në Ukrainë, parathotë katastrofën për vendet e tjera: Moldavinë dhe Gjeorgjinë së shpejti, por më pas shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Besueshmëria e Perëndimit, e ndërtuar gjatë dekadave, do të shkatërrohej.
Atëherë do të thuhej që ne dështuam, pasi donim më shumë të ishim ngrohtë në dimër, sesa të ishim të lirë. Dhe kjo sjellje do t’i dërgonte një mesazh të fuqishëm Xi Jinping, ndërsa ky i fundit po mendon se si të menaxhojë ngritjen e Kinës dhe rënien e Amerikës. Përgjigja është të mos pritet deri sa të mbërrijë acari i dimrit.
Muajt e verës duhet të shfrytëzohen në maksimum për t’i imponuar Kremlinit kosto të patolerueshme. Ne duhet t’u japim komandantëve ukrainas dritën jeshile për të goditur në thellësi të territorit rus. Ne duhet t’u ofrojmë tanke, avionë luftarakë dhe armë të tjera. Ne duhet t’i përshkallëzojmë sanksionet tona financiare dhe të llojeve të tjera kundër Rusisë.
Ne duhet të mbështetim financiarisht stabilitetin ekonomik të Ukrainës. Ne duhet ta shprehim qartë dhe në mënyrë të besueshme synimin tonë:një fitore ushtarake gjithëpërfshirëse për Ukrainën. Duket e kushtueshme dhe e rrezikshme apo jo? Po. Por nga ana tjetër mos harroni se cila është alternativa.