Kurbin
Bashkia e Kurbinit është pjesë e projekteve strategjike, të propozuara nga PPK dhe korridoret energjetike në kontekstin ballkanik dhe më gjerë.
Duke iu referuar objektivave kryesore; (1) ndërthurjen e turizmit detar kulturor dhe bujqësor, (2) minimizimin e rrezikut natyror, si dhe (3) krijimin e një poli bujqësor rajonal, plani i Bashkisë së Kurbinit propozon politika për promovim potencialesh turistike; nxitje të vlerave bujqësore; masa konkrete për mbrojtjen nga rreziqet natyrore; si dhe aksesim të vlerave natyrore, kulturore, përmes infrastrukturës me impakt të ulët në mjedis.
Përcaktimi i territorit të kësaj PPV-je, sipas pesë sistemeve bazë: (1) sistemi urban, me objektiv kryesor rritjen inteligjente, përcakton Qendrat primare, në zonat e banuara me popullsi të stabilizuar dhe shërbime bazike të karakterit infrastrukturor, si elemente të hierarkisë lokale dhe Qendrat e specializuara, që do të zhvillohen në përputhje me potencialet e tyre dhe karakteristikat specifike të karakterit ekonomik; (2) sistemi natyror, targeti për 2030 do të synojë shtimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura 20% për tokën dhe 12-15% të sipërfaqes ujore; (3) sistemi bujqësor, me objektiv eficiencën për një sektor bujqësor konkurrues; (4) sistemi ujor; si dhe (5) sistemi infrastrukturor, si objektiv integrimi hapësinor, rritja e aksesit të vendit dhe shpërndarjes së balancuar të flukseve.
Krujë
Kruja dhe Fushë-Kruja hyjnë në grupin e qendrave dytësore urbane, duke u karakterizuar nga tipare zhvillimi ekonomik të specializuar. Kruja me karakter ekonomik të lidhur kryesisht me turizmin historik dhe natyror, ndërsa Fushë-Kruja me zhvillimin e logjistikës.
PPV propozon objektivat për; (1) qendër turistike kombëtare, (2) turizëm të alternuar gjithëvjetor, historik-kulturor, ekologjik, malor, kulinar, (3) mbrojtje të mjedisit, (4) qendër logjistike, si dhe (5) zhvillim të bujqësisë, nëpërmjet politikave për forcim të mobilitetit dhe logjistikës; promovimit të potencialeve turistike; nxitjes së vlerave bujqësore; aksesi i vlerave natyrore, kulturore përmes infrastrukturës me ndikim të ulët në mjedis, si dhe masa konkrete për mbrojtjen nga rreziqet natyrore.
Kukës
Vizioni për Bashkinë e Kukësit kërkon të promovojë një zhvillim të integruar territorial, që mbështet zhvillimin ekonomik të bazuar në shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialeve territoriale, të tilla si: burimet hidro-energjetike, trashëgimia kulturore dhe natyrore, depozitat minerare, pozicioni ndërkufitar strategjik për të përmirësuar cilësinë e jetës me qasje në rritjen dhe më të mirë të shërbimeve, si për qytetarët ashtu dhe për vizitorët.
Kjo vijon me përcaktimin e katër objektivave kryesore: (1) një cilësi më e mirë banimi në territorin e Kukësit – kjo linjë e ndërhyrjes referohet në mënyrë të veçantë në Sistemin Urban dhe Strategjinë e Vendbanimeve, me fokus zhvillimin policentrik të bazuar në forcimin e hierarkisë së sistemeve urbane; (2) aksesi më i mirë në zonën e brendshme të Kukësit dhe vlerësimi i lidhjeve ndër-rajonale dhe ndërkufitare, e lidhur me infrastrukturën e zonës; (3) shfrytëzimi i qëndrueshëm i burimeve mjedisore, si në aspektin e turizmit, ashtu dhe të energjisë dhe minierave, si dhe (4) vlerësimi i zinxhirit të prodhimit vendor bazuar në sektorin e bujqësisë dhe zejtarisë.
Vizioni i planit vendor e orienton zhvillimin e ardhshëm të Bashkisë së Divjakës sipas 5 shtyllave bazë: (1) traditë dhe trashëgimi – ku vizioni polivalent orienton zhvillimin e ardhshëm bazuar në potencialet njerëzore të territoreve, në identitetin e secilit vendbanim në traditat, zakonet dhe marrëdhëniet historike midis vendbanimeve në një bashki, por dhe me bashkitë e territoret fqinje; (2) natyrë dhe ekologji – do të synojë ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve të njeriut me natyrën si një dualitet plotësues, duke konsideruar dhe nevojat e gjeneratave të ardhshme; (3) ekonomi dhe sociale – aktualisht i njohur si territor me ekonomi rurale, por njëkohësisht shtrirja pranë detit dikton një orientim të zhvillimeve të ardhshme drejt sektorit turistik; (4) projektim urban – harmonizimi i investimeve në ekonomi e turizëm me infrastrukturë, skema transporti, do të rrisë zonën e ndikimit ekonomik të investimeve. Koordinimi dhe orientimi i zhvillimeve individuale private me investime në hapësira publike, objekte kulturore, arsimore e sociale do të rrisë cilësinë e jetës, atraktivitetin e vendbanimeve dhe do jetë rregullator i lëvizjeve demografike; si dhe (5) promovim dhe marketing – të gjithanshëm e të ndërlidhur, si bazë e partneriteteve strategjike dhe e një rrjeti territorial e dixhital komunikimi.
Ura Vajgurore
Bashkia e Urës Vajgurore, e ndodhur mes qendrave të rëndësishme urbane si Fieri, Elbasani e Berati, do të funksionojë si një Bashki me karakter bujqësor modern e konkurrues, me prodhime e produkte, duke respektuar mjedisin dhe duke mbrojtur burimet natyrore, bazuar në pozicionin kyç lidhës e kalimtar të bashkisë, logoja e saj mund të jetë “Ne jemi URA”.
Arritja e vizionit të planit mbështetet në katër qëllime strategjike, të cilat synojnë zhvillimin e zonës gjatë viteve të ardhshëm: (1) zhvillim i qëndrueshëm ekonomik – qëndrueshmëria e mëtejshme e zhvillimit ekonomik të zonës do të mbështetet në një model vlerësimi të prioriteteve krahasuese të Bashkisë në tre sektorët e prodhimit, në ekuilibër dhe sinergji me Bashkitë fqinje; (2) promovim i veprave dhe veprimeve të zhvillimit bujqësor – veprat e propozuara dhe veprimet përkatëse të këtij qëllimi strategjik lidhen me çfarë mund të mbrojë e të inkurajojë prodhimin e produkteve bujqësore cilësore; (3) përmirësim i nivelit të jetesës së banorëve; (4) vlerësim i pozicionit kyç gjeografik të Bashkisë.
Bashkia e Poliçanit, në afërsi të zonës turistike dhe kulturore të Beratit, do të shërbejë si satelit plotësues agro-turistik, nëpërmjet menaxhimit të integruar dhe të qëndrueshëm të tokës bujqësore.
Plani i përgjithshëm vendor vjen me 3 objektiva strategjikë: (1) forcimi i ekonomisë lokale dhe konkurrencës, nëpërmjet administrimit të plotë të hapësirës bujqësore me theks të veçantë forcimin e aktiviteteve bujqësore drejt prodhimit të produkteve cilësore, zbatimit të metodave mjedisore miqësore të prodhimit dhe stimulimit të sektorit dytësor, si dhe stimulimit të sipërmarrjes dhe sektorit terciar të prodhimit; (2) administrimi i qëndrueshëm i mjedisit dhe i burimeve – me fokus të veçantë administrimin më efikas të ujit për ujitje dhe të tokës së kultivimeve, me vëmendje ndaj përballjes së rreziqeve natyrore; (3) zhvillimi i komuniteteve të qëndrueshme – synon përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të mirëqenies së banorëve, kultivimit të bashkëpunimit dhe të solidaritetit të enteve prodhuese dhe qytetarëve të tjerë ndërmjet tyre, me qëllimin e ekzistencës së zhvillimit ekonomik në zonë, por edhe të promovimit të veprave të nevojshme të infrastrukturës dhe shërbimeve sociale.
Skrapar
Bashkia e Skraparit, me mjediset e pasura e me shumë vlera natyrore, do të shërbejë si një qendër malore për zhvillimet e shërbimeve inovative e të qëndrueshme në lidhje me bujqësinë dhe blegtorinë, me mbështetje tek objektet e vogla industriale, të cilat do të furnizohen me produkte vendase dhe forma të tjera të turizmit malor.
Vizioni për Bashkinë e Skraparit vijon me 4 objektiva strategjikë: (1) rigjenerimi ekonomik i zonës; (2) mbrojtja dhe administrimi i qëndrueshëm i mjedisit natyror; (3) zhvillimi i infrastrukturave teknike; si dhe (4) zhvillimi i komuniteteve të qëndrueshme, ku përfshin ndërtime infrastrukture dhe objektesh publike, forcimin e zonës së gjelbër urbane, ndërhyrje në restaurimin e ndërtesave, të cilat janë monumente kulture, nxitje të përdorimit të energjive alternative, si dhe ngritje e kapacitetit për futjen e teknologjisë e-qeverisje.
Gjirokastër
Bashkia e Gjirokastrës, si porta jugore e Shqipërisë, do të shërbejë si pol turistik për të gjithë rajonin, nxitur nga traditat e pasura dhe trashëgimisë së shumëllojshme kulturore dhe nga afërsia me zonat bregdetare turistike të zhvilluara.
Për të përmbushur vizionin për Bashkinë e Gjirokastrës janë zhvilluar 5 objektiva strategjike: (1) forcimi i pozicionit kyç të Bashkisë, për t’u bërë porta jugore e vendit dhe nyje për bashkëpunimin ndërkufitar; (2) mbrojtja dhe promovimi i mjedisit kulturor të Bashkisë dhe të trashëgimisë kulturore, duke krijuar edhe rrjetëzimin – bashkëpunimin në nivel turistik, kulturor dhe tregtar të Bashkisë me Bashkitë fqinje dhe me biznese; (3) rigjenerimi ekonomik i zonës, në tregje të Jugut të Shqipërisë dhe në Greqinë Veriore apo shtetet e tjera fqinje; (4) mbrojtje dhe menaxhim i qëndrueshëm i mjedisit natyror, përpos promovimit të zonave me vlera ekologjike, janë menduar dhe krijimi i strukturave të vëzhgimit apo lëvizjes në natyrë, ndër të tjera edhe kultivimi i tokave bujqësore, duke siguruar edhe mbrojtjen e erozionit dhe përmbytjet; si edhe (5) përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve, përmes kompletimit të infrastrukturës teknike dhe krijimit të një niveli të lartë të infrastrukturës sociale.
Librazhd
Bashkia e Librazhdit është e pozicionuar në korridoret më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, me historinë e saj, bukuritë natyrore, biodiversitetin e rrallë e të larmishëm, vlerat etnografike dhe folklorike, mikpritjen, qetësinë dhe ajrin e pastër.
Nëpërmjet hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor synohet që Bashkia e Librazhdit të jetë vendi i mundësive të shumta për zhvillimin ekonomik dhe turistik, duke u mbështetur sipas elementeve: (1) aksesi dhe lidhja shumë e mirë me rrjetin kombëtar dhe korridoret më të rëndësishme ndërkombëtare; (2) toka bujqësore, do të trajtohet si resurs primar për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, për rritjen e punësimit në këtë sektor dhe rritjen e mirëqenies; (3) pikë stacionimi historike; (4) ekzistenca e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë; (5) traditat kulturore – historike; si dhe në (6) potencialet që ofron Bashkia për popullsinë vendase.
Cërrik
Bashkia e Cërrikut ka një pozicion strategjik në rajon, për këtë arsye synohet zhvillimi i infrastrukturës në mënyrë që kjo bashki të kthehet nga regresive në një bashki progresive, përmes zhvillimit të industrisë, nxjerrjes në pah të vlerave historike, natyrore dhe turistike, përmirësimit të infrastrukturave sociale, dhënies së përparësisë të sektorit e bujqësor dhe atij turistik.
PPV është i ndarë në 3 objektiva kryesore: (1) zhvillimi social ekonomik dhe i infrastrukturës, ka për qëllim që të vërë në qendër zhvillimin social-ekonomik të territorit, duke e integruar me një zhvillim dhe fuqizim të infrastrukturave të ndryshme të rrjeteve teknologjike, si parakusht për një zhvillim të integruar dhe të qëndrueshëm të territorit; (2) organizimi hapësinor i bashkisë dhe rikualifikimi i imazhit urban; si dhe (3) cilësia mjedisore dhe mbrojtja e territorit.
Korçë
Zhvillimi i territorit të Bashkisë së Korçës, si qendër rajonale me rendësi kombëtare, me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi e turizëm të zhvilluar do të orientohet përmes pesë dimensione zhvillimi, të cilat kanë për synim udhëheqjen dhe monitorimin e përparimit të objektivave strategjike të zhvillimit, programeve dhe projekteve të zhvillimit në drejtimin: (1) formës urbane, duke përmirësuar proceset planifikuese dhe menaxhuese, Korça do të ketë një formë urbane, që u përshtatet objektivave ambicioze dhe mbështet zhvillimin në tërësi; (2) infrastrukturës, me vizion në infrastrukturë publike që rrit mundësinë e zhvillimit të bizneseve dhe komuniteteve, duke u shoqëruar me rritjen e mobilitetit për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në mënyrë të “zgjuar” dhe eficente; (3) jetesës në komunitet, përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve përmes ofrimit të shërbimeve publike të nivelit të lartë, duke i dhënë prioritet arsimit cilësor dhe ekonomikisht të përballueshëm, për një komunitet kulturalisht të pasur dhe fuqi punëtore më të kualifikuar; (4) zhvillimit ekonomik dhe inovacionit, qendër rajonale me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi të zhvilluar, turizëm shumëdimensional, e fokusuar tek inovacioni dhe duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mjedisin; (5) mjedisi natyror, duke zbatuar standardet teknike e ligjore për trajtimin e ekosistemeve dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin urban.
Monitor.al