Mbi 40 persona janë shoqëruar gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit nga policia, në lidhje me hetimet për vrasjen e trefishtë që tronditi dje vendin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Mbikalimin e Fushë-Krujës. Personat e shoqëruar janë shtetas që njohin viktimat, persona që mund të kenë dijeni për rrethanat apo konflikte me viktimat.
Të gjithë të shoqëruarit janë dërguar në Policinë e Durrësit, pasi në Krujë dhe në Fushë-Krujë nuk ka ambjente.
Grupi hetimor ka sqaruar se e gjithë ngjarja ka ndodhur për 40-50 sekonda. Autorët kanë qëlluar me automatik me breshëri, duke mos iu lënë mundësi viktimave të reagojnë, sepse edhe këta të fundit kanë pasur armë.
Nga atentati një ditë më parë mbetën viktima Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Autorët dyshohet se kanë qenë profesionistë, pasi kanë përdorur teknika ushtarake dhe armë të sofistikuara.
Autorët dyshohet se kanë zgjedhur edhe zonën ku do të kryenin atentatin e digjnin më pas automjetin. Në të dyja zonat nuk ka pasur kamera të sigurisë.
Për të ndjekur internerarin e autorëve, policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në segmentin Thumanë-Lezhë, por edhe në zonën e Fushë Krujës.