Projektet për ripërdorimin e pronave të konfiskuara thurin kulturën e rezistencës ndaj grupeve kriminale, por ndërtimi i biznesve sociale në mjediset e tyre mbetet sfidë për organizatat vendore në Shqipëri.
Për Sajmir Bakallin, pajisjet e tezgjahut në punishten ‘Tradita Ime Artizanale’ në Elbasan thurin jo vetëm qilima, por edhe çanta shumëngjyrëshe me figura gjeometrike.
Kjo punishte është themeluar si një sipërmarrje sociale, ku gra dhe vajza që vijnë nga grupe të margjinalizuara mësojnë metodat tradicionale të endjes dhe thurjes.
“Produktet që ne kemi nuk janë thjesht një mall, por produkt social,” thotë Bakalli, i cili është psikolog nga profesioni. “Nëse biznesi social ecën, edhe qëndrueshmëria do të jetë afatgjatë,” shtoi 34-vjeçari.
Punishtja ka gjetur strehë në katin nëndhe të një pallati shumëkatësh në qendër të qytetit të Elbasanit, pronë që dikur i përkiste një organizate kriminale. Kthimi i bodrumit në biznes social është mbështetur në modelin e suksesshëm italian për ripërdorimin e pronave të mafias.
“Nga ajo që unë kam parë, duke bërë edhe një krahasim me vendet e rajonit, mund të them se në Shqipëri kemi një model të mirë për vënien në përdorim të pronave të konfiskuara për projektet sociale,” thotë Fabian Zhilla, ekspert me Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
“Në rastin e Shqipërisë, lidhur me modelin social të pronave, një ndihmë shumë të rëndësishme kanë dhënë italianët, që kanë një eksperiencë goxha të rëndësishme në këtë drejtim,” shtoi ai.
Punishtja e tezgjahut në Elbasan është kthyer në sipërmarrje sociale falë bashkëpunimit të fondacionit ‘Jocelyn’ të drejtuar nga Bakalli me donatorë të huaj.
Ajo është pjesë e një numri projektesh për themelimin e bizneseve sociale në pronat e konfiskuara të krimit të organizura të zhvilluara gjatë viteve të fundit, të cilat ofrojnë mundësi punësimi, riintegrimi për persona të prekur nga krimi i organizuar ose vijnë nga grupe që janë në rrisk për t’u prekur nga krimi u organizuar.
Këto biznese nuk ofrojnë vetëm produkte dhe shërbime, por synojnë zhvillimin e aktiviteteve sociale, si dhe fushatave të ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe për çështje të tjera, të cilat u shërbejnë komuniteteve në të cilat këto prona ndodhen.
Edhe pse frika nga krimi i organizuar ekziston, sipas aktivistëve dhe ekspertëve, sfida kryesore me të cilën përballen këto projekte është nevoja për të gjeneruar të ardhura dhe mbijetesa në treg.
Frika nga krimi i organizuar
Sipas Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, nga viti 2011 deri në vitin 2020 në Shqipëri janë sekuestruar rreth 20 milionë euro prona nga krimi organizuar, përfshirë para të thata, llogari bankare, automjete dhe pasuri të patundshme.
Ligji parashikon që pasuritë e konfiskuara nga Agjencia të kalojnë për përdorim nga institucionet shtetërore ose për shitje në ankand. Ato gjithashtu mund t’i transferohen për ripërdorim social organizatave të shoqërisë civile.
Drejtuesi i AAPSK-së, Qirjako Theodhori thekson se deri në vitin 2021, agjencia nuk ka arritur të shesë asnjë aset të konfiskuar me ankand – me përjashtim të një toke dhe disa automjeteve.
“Fakti që pronat nuk janë shitur në ankand tregon njëfarë frike, njëfarë tërheqje të njerëzve,” theksoi Theodhori, i cili shpjegoi që edhe toka e vetme e shitur nuk është marrë në dorëzim nga fituesi i ankandit.
Me ndihmën e programit C.A.U.S.E të financuar nga Komisioni Europian dhe të zbatuar nga organizata “Partnerët për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri”, në vitin 2016 ka filluar procesi i transferimit të disa pasurive të paluajtshme të konfiskuara tek organizatat e shoqërisë civile për ripërdorimin e tyre në projekte për sipërmarrje sociale.
Klotilda Tavani, drejtuese e programit pranon se ky proces ka qenë plot sfida, pasi numri i pronave të konfiskuara ka qenë i vogël dhe programi zbatohej për herë të parë në Shqipëri.
“Ky koncept ishte i vështirë për t’u kuptuar kështu që na u desh që të bënim një punë edukuese dhe trajnuese me organizatat,” shpjegoi Tavani.
“Qëndron edhe frika që ti do hysh në një pronë të konfiskuar, që dikur i ka përkitur një grupi kriminal apo një individi që ka pasur probleme me ligjin,” shtoi ajo.
Megjithë frikën e arsyeshme nga krimi i organizuar, drejtuesi i AAPSK-së, Qirjako Theodhori thekson se nuk janë raportuar shqetësime nga organizatat që i kanë marrë në përdorim pronat e konfiskuara.
“Në këto prona të dhëna nuk ka pasur asnjë problem,” theksoi ai. “Mund të ishte meraku se kur t’i marrin këto se si mund të reagojnë, por nuk ka pasur asnjë problem,” nënvizoi Theodhori.
Sipas Fabian Zhillës, përfshirja e organizatave ndërkombëtare në këto projekte e amortizon presionin e mundshëm që mund të vijë nga krimi i organizuar.
“Personat që vijnë nga bota e krimit dhe që i kanë pasur këto prona nuk kanë një interes për të ngacmuar apo për të sulmuar ata persona që punojnë dhe sot kanë një projekt në këto objekte, pasi ato janë nën vëzhgimin e një sërë institucionesh dhe një sërë organizatash,” tha ai.
“Nëse do të ndodhte që një nga këto objekte – i kthyer në model social, të sulmohej apo të kërcënohej, do të sillte që një sërë organizatash ndërkombëtare të reagonin,” shtoi Zhilla.
Ndryshe, eksperti shqiptar thekson se dhënia me qira për biznese fitimprurëse e këtyre pronave është shoqëruar me kërcënime dhe në disa raste, ato kanë përfunduar në duart e krimit të organizuar. Sipas tij, ka pasur raste kur qiramarrësi është tërhequr pas një kohe të shkurtër nga kontrata, për shkak se ‘pronarët e dikurshëm’ i kanë kërcënuar dhe i kanë kërkuar që të largohen nga objekti.
“Po të lexosh raportet vjetore nga Agjencia një gjë e tillë thuhet, por preket shumë pak dhe nuk japin detaje lidhur me arsyet që çojnë në lënien e këtyre pronave,” tha ai.
“Kemi edhe raste të tjera ku këto prona janë marrë sërish me qira nga persona që janë të lidhur direkt ose indirekt me persona që i kanë pasur këto prona më parë,” shtoi Zhilla.
Sfida e një biznesi social
Të gjitha qeveritë mund t’i konfiskojnë pronat e grupeve kriminale, edhe pse mënyra se si ata e praktikojnë këtë ndryshon. Por konfiskimi i pronave është rrallëherë thelbi i problemit, menaxhimi i tyre është.
Të mbështetur edhe nga donatorë të tjerë – mes tyre dhe Mbretëria e Bashkuar, deri në vitin 2021 AAPSK ka bërë të mundur transferimin e katër pronave të paluajtshme shoqërisë civile për ripërdorim në sipërmarrje sociale – përfshirë një pasuri në Fier, një në Durrës, një pasuri në Elbasan dhe një në Sarandë, si dhe dy automjete.
Qirjako Theodhori, drejtues i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara shpjegoi për BIRN se këto mjedise i janë dhënë organizatave jofitimprurëse për projekte sociale për një periudhë 5 vjeçare pa qira.
“Nëse pas 5 vitesh shfaqin sërish interesin për të vazhduar aktivitetin në të njëjtin objekt, duhet të paguajnë qira,” tha ai. “Kur komiteti e vendos dhënien e një prone për përdorim social dhe kanë një impakt të mirë për shoqërinë e japim pa frikë,” shtoi Theodhori.
Bizneset e reja sociale që krijohen në pronat e konfiskuara mbështeten nga programet e donatorëve me financim për një periudhë 1-vjeçare, i cili kryesisht ka shkuar për rehabilitimin infrastrukturor të ndërtesave, rilidhjen e energjisë elektrike, ujit dhe ripërshtajen e mjediseve.
Në punishten artizanale të tezgjahut në Elbasan, projekti ka mbështetur dhe rrogat e mjeshtreve të tezgjahut për një periudhë kohore. Qamile Biçaku, një nga trajnueset e punishtes i tha BIRN se produktet që ato prodhojnë janë shumë cilësore, por dalin me një kosto shumë të lartë, pasi janë punime dore dhe gjetja e tregut përbën një sfidë.
“Nuk shiten, sepse njerëzit nuk kanë kaq mundësi sa për të blerë një punë të tillë,” u ankua Biçaku. “Duhet gjetur një treg jashtë Shqipërisë, se tek ne kjo punë nuk funksionon,” shtoi ajo.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe drejtuesi i projektit, Sajmir Bakalli, i cili nënvizon se një konsumator vendas e ka të vështirë që të marrë një produkt që ka një kosto të lartë.
“Shpresa jonë e vetme mbetet që produktet tona të mund të tregtohen jashtë, që mund të vlerësohen për kohën dhe mundin,” tha ai.
“Aktualisht, kostot dhe pagat e personelit janë të mbuluara nga projekti, ndërsa mbetet sfidë për të ardhmen nëse një biznes i tillë social do të mund t’ia dalë që të mbajë veten,” shtoi Bakalli.
Megjithë sfidat me të cilat përballen bizneset sociale të ndërtuara në pronat e konfiskuara, aktivistët theksojnë se kontributi i inisiativave të tilla shkon përtej bilanceve financiare.
Pastiçeria ‘KeBuono’ është biznesi i parë social i hapur nga projekti C.A.U.S.E në vitin 2018 në Fier. Ajo është një iniciativë e promovuar nga shoqatat italiane ENGIM dhe qendra sociale “Murialdo”. KeBuono nuk është vetëm një pastiçeri, por gjithashtu edhe një ambient ku zhvillohen kurset e formimit profesional për pastiçierë.
“Aktualisht funksionon si një pastiçeri sociale, në të cilën jo vetëm janë punësuar gra dhe vajza që kanë qenë viktima të dhunës në familje e të tjera, por edhe ofron kurse pastiçerie për të rinjtë dhe të rejat që duan të marrin një profesion dhe më pas të kenë mundësi punësimi,” shpjegoi Klotilda Tavani.
Sipas Qirjako Theodhorit, aty janë trajnuar më shumë se 30 vajza e djem në zanatin e pastiçerisë duke sjellë përfitime shtesë për komunitetin.
“Pra po të vendos në balancë të mirat materiale që do ishte përfituar nga shitja e asaj prone ose kalim pronësie me të mirat shoqërore, do të them që e dyta është më mirë, pasi ka dhënë një produkt,” tha ai.
Silvia, një vullnetare nga Italia për organizatën ENGIM bie dakord me kreun e AAPSK-së. Ajo tregon për BIRN se një projekt i tillë ka ndihmuar shumë persona në Fier, por thekson se ardhmja e tij varet gjithashtu nëse ky biznes social do t’ia dalë që të jetë produktiv.
“Njerëzit e kanë përqafuar një ambient të tillë, pasi është edhe një vend i sigurt, por gjithashtu edhe një ambient ku organizohen shumë aktivitete,” tha ajo, ndërsa shtoi se një ambient i tillë i duhet Fierit.
“Ne nuk do e mbajmë për vete, por normalisht shpresojmë që organizata lokale të mund ta kthejë në një strategji biznesi,” përfundoi ajo. /BIRN/