Sarkazma mes socialistëve për protestën e opozitës tregoi se këta e kanë harruar grevën e urisë në bulevard.
Pas 4 vitesh në pushtet, jeta e opozitës ngjan me një botë tjetër që vështirë të përsëritet sërish. Por 7 vite më parë, pushtetarët e sotëm ishin njësoj të tallur për grevën e urisë dhe çadrat që ngritën në bulevard. Njësoj si sot, u përballën me indiferencën e qeverisë, që mburrej se në Shqipëri respektohej e drejta e protestës, por vetëm kaq. Njësoj si sot, kishte të pakënaqur me bllokimin e bulevardit dhe njësoj si sot, opozitës i kërkohej që betejën politike ta bënte në parlament, jo në rrugë. Por si i përgjigjej Edi Rama kundërshtarëve të tij nga protestat në bulevard?
Lapsi.al përzgjodhi disa momente nga fjalimet e Edi Ramës në maj të vitit 2010. Shtatë vjet më pas, thirrjet e opozitarit Rama që kërkonte hapjen e kutive, ngjajnë sikur i flasin të njëjtit model, pas dritareve të kryeministrisë.
PËR PROTESTËN NË RRUGË DHE DALJEN NGA PARLAMENTI
Dëgjojmë njerëz që thonë se gjërat vërtet mund të jenë keq po as rruga e protestës nuk është zgjidhje. Shkoni në parlament, përsërisin disa, se aty është vendi zhvillohet demokracia. Madje ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë që vetë jeton sidoqoftë më mirë se shqiptarët që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë. Janë ata që nuk kanë as dhimbjen e as ngutin tonë për Shqipërinë e shumicës që nuk shtyn dot muajin mes papunësisë, varfërisë e çmimeve të pafrenueshme të jetës së përditshme. Prandaj edhe kur flasim u dukemi sikur bëjmë politikën e arsyeve personale, jo betejën e vlerave qytetare. U them shumë thjesht: Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe e duam sot, këtu, në vendin tonë ku nuk do të lejojmë të instalohet një mbretëri e pashpallur dhe as do ngurrojmë të përballemi me fuqinë e rezistencës paqësore ndaj një pushteti që zgjedhjet i do lojë të paravendosur, parlamentin teatër të parashkruar, qeverinë pykë të palargueshme në rrugën mes nesh e të ardhmes europiane të vendit tonë. Kurse atyre që dashamirësisht thonë duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës u them ejani bashkohuni me ne se s’dihet kur e as ku mbaron kjo betejë – ndryshe s’do qe betejë po fushë për t’u mbjellë me lule – po është e sigurtë se sa më shumë dhe sa më të vendosur të jemi aq më shpejt fitorja e saj do të vijë për të gjithë. (Edi Rama, 1 Maj 2010)
PËR PROTESTËN PAQËSORE
Dua ta theksoj që të jetë e qartë për të gjithë, se manifestimet tona të protestës janë manifestime të një shpirti opozitar që nuk jepet dhe që qëndron i palëkundur. Por që mishërohet përmes qytetarësh e qytetaresh që nuk kanë në duar gurë. Dhe që dalin në rrugë në shenjë solidariteti me këtë grevë urie. Që dalin në rrugë për të dëshmuar se zemra e kësaj proteste që rreh në këtë bulevard, brenda kësaj çadre, pulson në të gjithë Shqipërinë. (Edi Rama 12 maj 2010)
PËR BLLOKIMIN E BULEVARDIT
Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte plotësisht dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë. Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg, sepse ajo ç’ka ndodh për mirë, është e mirë për të gjithë dhe ajo çka ndodh për keq, është e keqe për të gjithë. Nuk shpëtoni sot nga e keqja të cilën ne po e luftojmë, duke u mjaftuar me konstatimin se ne kemi të drejtë kur themi se ja ku është e keqja, por nuk kemi gjetur formën e duhur për të protestuar kundër të keqes. Bëhuni pjesë e betejës për të protestuar kundër të keqes, gjeni formën tuaj. Dhe në rast se nuk e keni një formë, respektojeni formën tonë.
Në mbyllje dua ta përsëris se protesta jonë është shprehje e shpirtit tonë opozitar edhe e vizionit tonë për një Shqipëri evropiane, për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri të mirëqenë, për një Shqipëri ku liria dhe e drejta e secilit janë mbi vullnetin e pushtetit mbi këdo. Në këtë rrugë të protestës ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë të bindur se dialogu është i domosdoshëm dhe asnjëherë nuk i jemi larguar apo nuk e kemi refuzuar dialogun.
Por nga ana tjetër është sot dita për ta thënë se nuk mjafton të thuash se jemi gati për dialog, dhe këtë e kam për zotërinjtë e palës tjetër, por duhet të thuash se për çfarë dialogu je gati. (Edi Rama 10 May 2010)
PËR SHPËRFILLJEN E PUSHTETIT NDAJ PROTESTËS
Në zemër të Shqipërisë, në mes të bulevardit “ Dëshmorët e Kombit” është ngritur një çadër që po bën histori. Dhe në anën tjetër, në të majtë e të djathtë të çadrës, qëndrojnë dy godina. Godinat e dy pushteteve që kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i përcakton si pushtet i popullit. Pushteti që bën ligje të mira për popullin, dhe pushteti që i ekzekuton ato ligje. Dhe në ndërkohë sot në 9 maj të vitit 2010, ne ndiejmë, ne shohim, ne prekim, se nga këto dy godina , jo vetëm që nuk dalin ligjet që ne duam, jo vetëm ligjet që shkruhen nuk zbatohen, por nga këto dy godina del përditë fantazma e një frike që shpërndahet kudo. Që shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Që shpërndahet tek nënpunësit e administratës. Që shpërndahet mes policëve dhe ushtarakëve. Që shpërndahet mes mësuesve e mjekëve. Që shpërndahet mes të gjithë atyre që e kanë një punë dhe që për ta mbajtur atë punë detyrohen të paguajnë haraçin e mbylljes së gojës. Fantazma e një frike që hyn shtëpi më shtëpi. Fantazma e një frike që paralelizon familje më familje. Fantazma e një frike që merr peng burra e gra, vajza e djem, në qytet e në fshat, në veri e në jug, në Shqipëri e në emigracion. (Edi Rama 10 May 2010)
PËR QËNDRIMIN E KRYEMINISTRIT
Sali Berisha del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshja, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë , për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë? Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është ti japësh zgjidhje kësaj krize e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara, prej të cilave kërcënohen zgjedhjet dhe zgjidhjet e ardhshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Çfarë bën zotrote në atë tavolinë, kur nuk je në gjendje të kuptosh dhe as të veprosh lidhur me këtë çështje të madhe me interes publik, që është transparenca. E në rast se në atë tavolinë nuk bën tjetër gjë zotrote veçse lexon kushtetutën, si ka mundësi që atë kushtetutë që e lexon përditë dhe na e këndon përditë ne të gjithëve, e ke shkelur më shumë se 30 herë i kapur në flagrancë nga gjykata kushtetuese e shumë e shumë herë të tjera. Për cilën kushtetutë flet zotrote, cilës kushtetutë i referohen kukullat e tua që dalin dhe bëjnë çdo ditë paradën e recitimeve nëpër ekranet e televizioneve duke u kujtuar shqiptarëve një kohë të shkuar, kohën kur fliste parti dhe dëgjonte populli, nënshtrohej populli dhe kënaqej partia. Ka mbaruar ajo kohë Sali Berisha, ka ikur, ka perënduar. Ku ka në europë, ku ka në botën e lirë demokratike, kryeministër që ti dalë popullit vetë përpara si triumfator dhe ti thotë, nuk ka zgjidhje, nuk kam zgjidhje, s’më kanë dhënë zgjidhje, nuk di për çfarë zgjidhje flasin. E kuptoni se ku është katandisur qeveria e këtij vendi? E kuptoni sesa të forta janë fijet e interesave personale të këtij oborri ku është mbyllur një pushtet i tërë duke i lenë shqiptarët jashtë rrugëve të zhvillimit dhe të mirëqenies. (Edi Rama 16 May 2010)