Edmond (Ali) Sula, 50 vjeç, është personi i cili mbeti i vrarë në atentatin me armë zjarri të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, 13 korrik, në fshatin Bërxullë të Vorës.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, në momentin kur 50-vjeçari ishte kthyer në banesë, kishte parkuar automjetin dhe po shkonte drejt derës së shtëpisë. Ai u qëllua me një plumb në shpinë dhe humbi jetën menjëherë në vendngjarje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori dyshohet të ketë qëlluar nga një distancë prej rreth 50 metrash, nga një zonë fushore përballë banesës së viktimës.
Nga mënyra e ekzekutimit, hetuesit dyshojnë se është përdorur një armë me precizion të lartë, si pushkë me dylbi ose snajper. Pas kryerjes së krimit, autori dyshohet se është larguar me automjet, ndërsa policia ka nisur kontrolle dhe po analizon kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar lëvizjet e tij.
Edmond (Ali) Sula njihej si person me ndikim në zonën ku banonte dhe merrej me aktivitet në fushën e shitblerjes së pronave, pistë që po hetohet si një nga motivet e mundshme të atentatit.
Hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që vrasja të lidhet me konflikte të tjera të mëparshme, pasi sipas burimeve ai zhvillonte takime të shpeshta me persona të ndryshëm në lagjen ku jetonte. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe dokumentimin e motivit të ekzekutimit.














