Rugovë Sinani, vajza e dëshmorit të kombit Tahir Sinani, ka reaguar ashpër pas publikimit të një letre nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cila sipas saj përfshin emra të pjesëtarëve të UÇK-së që kanë marrë pagesa dhe i cilëson ata si “mercenarë”.
Në reagimin e saj publik, Sinani e ka quajtur këtë veprim një fyerje të rëndë ndaj figurës së babait të saj, duke theksuar se emri i Tahir Sinanit, të cilin ajo e përshkruan si një nga komandantët dhe dëshmorët e shquar të luftërave për çlirim, është vendosur në një kontekst që cenon sakrificën e tij.
Ajo shprehet se publikimi i një liste të tillë, sipas saj e paqartë dhe pa specifika, përbën një “poshtërim” të kujtimit të atyre që ranë për lirinë e trojeve shqiptare.
“Ky është një turp i madh. Vetëm një njeri i paskrupullt mund ta bëjë këtë. Babai im nuk ka luftuar për parti politike, por për lirinë e vendit,” shkruan ajo, duke kërkuar njëkohësisht që Balla të kërkojë falje publike.
Në reagimin e saj, Sinani thekson se Tahir Sinani njihet gjerësisht si dëshmor i kombit dhe se sakrifica e tij nuk mund të vihet në diskutim apo të përdoret në debate politike.
Ajo i drejtohet gjithashtu Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke kërkuar që të distancohet nga përfshirja në debate politike dhe të mbrojë vlerat e luftës dhe familjet e dëshmorëve.
Sipas saj, përdorimi i emrit të babait të saj në këtë kontekst, gati 25 vite pas rënies së tij, është një plagë e hapur dhe një fyerje e rëndë për familjen dhe kujtimin e tij.
Kush eshte Tahir Sinani?
Tahir Sinani, nga Tropoja, ishte oficer i Ushtrisë së Shqipërisë kur iu bashkua UÇK-së. Ai mori pjesë aktive në tri luftëra çlirimtare në hapësirën ballkanike.
Gjatë vitit 1998-1999, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shërbeu si komandant i shquar në Zonën Operative të Pashtrikut, duke udhëhequr operacione të rëndësishme luftarake kundër forcave serbe.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai kontribuoi në organizimin dhe strukturimin e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.
Tahir Sinani ra dëshmor më 29 korrik 2001 në Malet e Tanushës (në rrethinën e Gostivarit), gjatë një shpërthimi aksidental të municioneve në një depo armatimi të UÇK-së, ku humbi jetën së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë.
Ai u varros me nderime të larta ushtarake dhe mban titullin e lartë Hero i Kombit. Në nëntor të vitit 2025, në nderim të figurës së tij, u zbulua një shtatore madhështore në qytetin e Prizrenit.














