Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur këtë të mërkurë (17 qershor 2026) të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke shpallur të pafajshme deputeten e PD, Albana Vokshi, e cila u padit për shpifje nga biznesmenja Vilma Nushi.
Në përballjen në Apel, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, mbajti të njëjtin qëndrim duke kërkuar pafajësi për Vokshin.
Padia ndaj Vokshit u bë pas deklaratave të saj të bëra në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Deputetja akuzonte Nushin për përfitime nga akte korruptive, duke pretenduar se kishte marrë rreth 1.5 milionë euro divident përmes kompanive të përfshira në koncesionin e Check-Up-it.
Sipas Vokshit, Nushi ka qenë përfituese direkte dhe indirekte nga fondet publike të këtij koncesioni, duke përfituar në mënyrë të padrejtë në kurriz të sistemit shëndetësor.
Në një postim në rrjete sociale, Vokshi e ka cilësuar padinë si një tentativë për ti mbyllur gojën, në lidhje me denoncimet që kjo e fundit ka bërë mbi dosjen.
“Një padi për shpifje e ngritur nga Vilma Nushi, financuese e Edi Ramës dhe përfituese e koncesionit të Check Up-it, u rrëzua nga gjykata dhe vendimi u la sot në fuqi edhe në Apel.
Prej një dekade, jam në një betejë të pandërprerë në parlament dhe në gjykata me oligarkët e shëndetësisë dhe koncesionet 100 milionë euro, të konceptuara jo për pacientët, por për të shpërblyer klientët politikë të Edi Ramës.
Kanë tentuar të më mbyllin gojën me padi. Dështuan. Nëse mendojnë se do të më frikësojnë me shpifje dhe letra anonime, gabohen!
Në 10 vjet, jam mësuar të përballem me pushtetin e dukshëm dhe të padukshëm në anë të kundërta të barrikadës. Ata me pushtetin dhe koncesionet qindramilionëshe. Unë me të vërtetën dhe me interesin publik. Dhe kjo mbetet ende forca ime më e madhe”,- shkruan Vokshi në fb.














